ZËRI I KJARA PEPUSHAJ “PËRKUND” NË KELMEND “DJEP KRESHNIKESH”

194

Nga Albert Vataj

- PUBLICITET -

Muzika shqiptare, në përgjithësi, ajo në malësore në veçanti, sa vjen dhe pasurohet me emra dhe zëra, me forca të reja përtëritëse të atij repertori që u ndez nga vibrimi i melodive të lahutës, gjëmoi nga tërbimi i tupanave, rrebeshi nga ritmi i çiftelive, e pikoi me zërin prej qielli të fyellit.

Muzika, kjo shprehi shpirti gufoi në flakën e barutit dhe vetëtiu në gjëmimin e zemrave malësore, për t’i kënduar; gëzimeve dhe hidhërimeve, trimave që dhanë jetën për liri, bukurisë dhe traditës, vlerave dhe virtyteve.

Kënga lindi dhe jetoi me njerëzit, shpalosi pasurinë shpirtërore dhe ngriti urat e larta të komunikimit ndërmjet brezave. Pa këngën malësore; melodinë e saj, ngjyrën dhe ritmin, pastërtinë dhe përshkueshmërinë, ndjeshmërinë dhe grishjen, ne ndahemi me të shkuarën,

na mbeten peng amanetet, na shuhet zjarri në vatër e na fiket gjaku në deje. E trashëguam atë dhe do ta pasojmë brezave si në visar i çmuar i asaj pasurie që na jep emrin malësor.

Ky amanet, ky premtim, kjo thirrje e gjakut dhe e jehonave, kjo gurgullimë bjeshkësh e ai tufan zemëratash dimri, ajo krenari trimërie e ai zë i lartë kushtrimi, ajo urtësi e kulluar dhe ai pasion i ndezur në gjak, ka thirrur vajzën malësore,

Kjara Pepushaj, t’i këndojë Kelmendit dhe Malësisë, ti këndojë trimave dhe bukurisë, t’i këndojë vendorigjinës dhe zemrës që ndjen ajo.

- PUBLICITET -