Presidenti nuk është më, me brekë

245

Nga Mero Baze

Sot presidenti u shfaq me pantallona. Ka më shumë se një muaj që poston përditë foto me brekë nëpër male, liqene, lumenj dhe kodrina të Kosovës, duke u përpjekur të japë mesazhe të koduara me një pamje shumë transparente.

I pafuqishëm për të ndaluar zgjedhjet e 30 qershorit, i pafuqishëm për të zhvilluar zgjedhjet e 13 tetorit, i pamposhtur në vendimin për të mos lejuar zgjedhje të reja në Shkodër, i palogjikshëm në kthimin e çdo akti juridik të qeverisë dhe i paqetësuar ende nga ideja se Gjykata Kushtetuese mund të bëhet në vjeshtë, ai zgjodhi të na shfaqej me brekë çdo ditë, gjithë verën, për të na mbushur mendjen se e kishim zhveshur nga çdo pushtet.

Sot u pa me pantallona. Ambasadori i ri i Gjermanisë në Tiranë, veç punëve të mira që mund të bëjë si ambasador, e nisi mbarë, se na veshi presidentin.

Dhe jo vetëm që i veshi panatallonat, por i dha rastin të gjejë një perëndimor për të dalë në fotografi, në verën e vetmisë së madhe.

Nxitimi për të bërë një njoftim shumë të gjatë shtypi, pritja dhe përcjellja deri në oborr, dhe teksti i gjatë shpjegues se çfarë u tha, në një takim rutinë për paraqitje kredencialesh, tregojnë shumë, se presidenti ka pas nevojë të vishet me pantallona si burrë i vërtetë, pas një muaji ku ka dalë më shumë se Kim Kardashian me bikini.

Lexohet nëpër rreshta inati me ambasadoren që iku, qëndrimi i saj për 30 qershorin, lexohet shpresa që lobistët e Bashës në Bundestag, të mundin që një ditë të jenë qëndrimi zyrtar i Gjermanisë, biles gati- gati duket se është gati të dekorojë dhe gazetën “Bild”, për kontributin që ka dhënë për demokracinë në Shqipëri.

Lexo edhe:   Shkodra me dhe pa korsi biçikletash...

Duhet të ketë lajmëruar dhe Doktorin për takimin, pasi edhe ai postoi lajmin se Martin Henz, këshilltari i Bashës në Tiranë, që paguhet nga pronarë hotelesh afër Berisha dhe prodhon lajme për shtypin gjerman me përgjime, do ketë kasetë tjetër.

E gjithë kjo duket se i kishte kthyer hijen presidentit. Nuk dukej si njeri që kishte marrë malet për një muaj, por më i qetë dhe më me shpresë.

Ose ndoshta ashtu mu duk, ngaqë kam një muaj që e shikoj me brekë nëpër… male.