Simon Rrota: Të marrë e injorant ka gjithkund

Shkruan Ilnisa Agolli.

Është një tablo ditari me penelata sinqeriteti, me gjuhën e sakrificës dhe kulturës që ka shquar shkodranët. Kujtime të një shekulli të shkuar që i lexojmë mes rreshtave të mjeshtrit të madh Simon Rrota, histori që më në fund vijnë të botuara nën logon “Botimet Fishta” falë Pjetër Logorecit.

 

 

“Po shkruej për vedi e Shkodrën” është një jetë e tërë e shkruar në avujt e nostalgjisë personale me rrëfime të panjohura gjer më sot. Ditari i nxënësit të Kol Idromenos hedh dritë mbi fillimet e pikturës realiste shqiptare dhe mbi rrugën e vështirësitë që ka kaluar arti dhe vetë piktori mbi “disprimin”, sikundër shkruan ai, për gjendjen në të cilën ndodhej vendi si pasojë e pushtuesit anadollak osman duke folur me imazhe e ngjyra historike nga tabaloja e piktorit tek heshtja e dhomës së shkrimtarit.

 

Por nëse do të hulumtojmë mbi jetën dhe veprën e çdokujt prej autorëve të veprave të Rilindjes do të mund të perceptojmë gjithë historinë e artit shqiptar ndryshe, jo vetëm për veçoritë e papërsëritshme të formimit artistik por edhe duke u njohur me kohën kur ato u krijuan. Çfarë fshihet pas atyre tablove? Cila është e vërteta që ekspozitat e para të hapura që nga ajo e vitit 1883 me dy pikturat e famshme “Motra Tone” e Kol Idromenos dhe “Skënderbeu” i Jorgji Panaritit të cilat ndryshuan dhe fatin e pikturës duke sjellë një frymë bashkëkohore dhe një mesazh ndryshe? Askush nuk e di me saktësi gjuhën e këtij romantizmi nëse mund ta quajmë kësisoj i cili duket se e ka fituar betejën për forcimin e ndjenjës së identitetit tek popujt.

 

Është rast i veçantë në historinë e artit figurativ që për të pestë ekspozitat e hapura në harkun kohor të 25 vjetëve nga viti 1920-1945 të paraqiteshin me titullin “E para ekspozitë arti në Shqipëri” në gazetat dhe revistat e kohës, që siduket bojën dhe letrën e paskan patur të përjetshme. Kështu më 1923, ekspozita që u hap në Shkodër ēshtē quajtur më e para në gjithë Shqipërinë. Ku morëm pjesë të gjithë artistët e qytetit, prej tyre dhe Simon Rrota.

Ndërkaq duke shfletuar kujtimet e Rrotës njihemi me zakonet, dasmat shkodrane, vdekjet, lindjet, patriarkalizmin, armiqësitë deri në luftë vëllavrasëse mes dy besimeve fetare. Por ajo që bie në sy është jeta e vështirë dhe peripecitë që kaloi Simon Rrota për të realizuar ëndrrën artistike. Një vend të veçantë në ditar zë miqësia e Simonit me At Gjergj Fishtën, i cili atë kohë drejtonte shkollën françeskane në Shkodër. Frati françeskan e ndihmon piktorin e vogël me materiale, që i duheshin për pikturën që atë kohë gjindeshin me shumë vështirësi dhe me ambiente për të punuar, duke i ofruar edhe shpërblim financiar.

 

Dishiri qi i paraqita, për kërkesën e materialit, – kujton ai, – e gëzoi shumë fratin, prandaj, pa far voneset më mori për krahut, më prini përpara, tue me çue në dhomën e vizatimit ku unë tre vjetë ma parë kisha mësue vizatim me shokët e shkollës. Aty material kishte mjaft e pa dhimbë. Më dha nji sasi të mirë lapsa, goma, letra vizatimit e modele të ndryshme. Përveç gjanave, i dha urdhën shërbyesit të shkollës, Ndokë Çunit, i cili ishte edhe kepucar e bante sandale për freten, qi, sa herë qi do të më nevojitesh material për vizatime, me ma dhanë pa pengesa. Gzimi kje i madh e kshtu unë pa vonesë ju shtrova punës me dishir për me vizatue elementet e para, e mbasi bana nji sasi të mirë, i çova te Kolë Idromeno për me i korigjue…” shkruan Simon Rrota i cili përshkruan po aq bukur edhe takimin e parë me Fishtën.

 

“Por me u paraqitë te Padër Gjergji më vinte turp mbasi qi ishte e para herë që do të flitshe me të… Rasa kje e mirë për mue me u takue së bashku, pse, njatë herë ai kishte ndejë në kopësht të Kuvendit, ku sot asht nji bli i madh, ndërsa po vërente punëtorët qi po ndërtojshin Kishën e Françeskanëve…” Piktori Simon Rrota vdiq dhe u “varrue” më Shkodër mē 27 janar 1961. U deshën 57 vjet që në faqet e ditarit të kuptojmë që koha është e njëjta, veç Simonët mungojnë:

 

“Tue vazhdue kështu, mendojshe se në katund i lir o jo i trazuem si në qytet, por edhe këtu, puna ndrroi pse të marrë e injorante kishte gjithkund. Ishte hapë fjala se unë kam dalë me qëllime tjera: me shkrue shtëpijat, bagëtitë e tjera sende të katundit, për të cilat, ma vonë do të paguejshin taksat. Ashtu kujshojshin katundarët e më shikjojshin me sy të keq, veçanërisht njatëherë kur unë i shikjojshe në fytyrë me u ba skicat; kjo gja i bante me dyshue edhe ma tapër e mu kërcnojshin fort, kështu, ndër katunde qi shkojshe, më qitshin jashtë pse unë, për ‘ta ishe i rrezikshëm. Kësi rasash, ishin të thuejsh përditë; por ajo ma interesante kje ajo kur unë ishe tue vizatue mëshehtas, nji malcuer. Kur i diftuen tjerët, u drejtue nga unë e me kercnim të madh më tha: “unë nuk jam asi burrit qi me hye në letër”. Pra? Falemders, mjeshtër!./ KultPlus.com

 

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME