Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, “Mjeshtre e Madhe e Artit”, portret rrezatues i talentit, përsosmërisë dhe mirësisë njerëzore

Sa herë kërkon të shkruash rreth ndjesive që të krijojnë artistët e mëdhenj shqiptar, për momentin ndjen pak frenim në vetvete, sepse tek ata së bashku me madhështinë e roleve të interpretuara, ngjizet thjeshtësia e tejskajshme e tyre.

 

Pothuaj se në të njëjtën situatë ndodhesh kur përpara ke një artiste të përmasave të tilla sikurse është “Nderi i Kombit”, “Mjeshtrja e Madhe e Artit” Margarita Xhepa. Në pamjen e parë ajo të krijon përshtypjen e një engjëlli që ndonëse i ka kaluar të 70 vitet, por bukuria e saj e praruar të kujton “Ofelinë” e interpretuar prej saj në vitet e rinisë.

 

Tepër impulsive në bashkëbisedim, fjalë të përzemërta dhe plotë konsideratë për shokët, kolegët e saj aktorë, për interpretimet e tyre skenike, marrëdhëniet mes njëri -tjetrit. “Kam luajtur me Mihal Popin, Naim Frashërin, Prokop Mimën. Sandër Prosin, Kujtim Spahivoglin, Pjetër Gjokën, të cilët me interpretimet mbeten majat e artit shqiptar. Por është për të thënë se edhe mjeshtrit e artit teatror e filmik si Kadri Roshi e Sulejman Piktarka, ku dhe kam luajtur në skenë, të cilët kanë qenë dhe mbeten në krye të artit skenik.

 

“E kam për nder që kam qenë partnerja e këtyre artistëve të mëdhenj”. Kështu është shprehur ajo nga bashkëbisedimi që kemi zhvilluar me të. Margarita Xhepa lindi në qytetin e Lushnjës, qytet, ky, i cili ka nxjerrë artistë në të gjitha fushat e artit si: Vaçe Zela, Vath Koreshi, Ilia Shyti, Kristaq Dhamo, Ferial Alibali, Visar Zhiti dhe të tjerë. Ka qenë një vajzë e vogël kur plejada e artistëve të teatrit dhe të skenës si Kujtim Spahiovogli, Kadri Roshi, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka,Loro Kovaçi ishin ata që ngacmuan ëndrrat e Margarita Xhepës vite më parë…

 

Dhe kjo bëri që ajo të mos ndahej nga arti. Artistja e Popullit Margarita Xhepa ka një hapësirë të gjerë rolesh në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në kinematografinë shqiptare si “Majlinda” tek Majlinda, “Zonja tek kush e solli Doruntinën, “Dafina” tek “Përballë vetes”, ” Vajza e dytë”, tek Mbreti Lirë, Dado tek ” Romeo e Zhuljeta etj… Ka interpretuar në shumë filma ku midis të cilave “Vitet e para”, “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Koncert në vitin 1936″, Pylli i lirisë”, “Gjeneral Gramafoni”, “Rrethi i Kujtesës”, “Vitet e pritjes”, “Dora e ngrohtë” e shumë të tjerë…

 

Ofelia tek “Hamleti i Shekspirit”, kulmi artistik i aktores së re

Teatri Popullor i asaj kohe i viteve ’60 merrte një përgjegjësi për të inskenuar tragjedinë e Hamletit, këtë kryevepër të dramaturgjisë botërore. Ekzistonte një farë skepticizmi te një pjese aktorësh dhe me te drejtë, se nuk është e lehtë të depërtosh e të bësh tëndin një rol të kryeveprës së Shekspirit. Margarita Xhepa me eksperiencën e roleve të interpretuara prej saj nga dramaturgjia shqiptare nuk u tremb nga dyshimi i ndonjë aktori, por iu përvesh punës me pasion.

 

Në dhomën e të çmendurës

Margarita ka treguar vetë me pasion se si e kishte përgatitur rolin nga më të arriturin të karrierës së saj. “Bleva fruta dhe shkova në spital, në pavijonin e Psikiatrisë. U takova me mjekun e pavijonit dhe i tregova arsyen e kësaj vizite. Më lejoi të vizitoja një të sëmurë ku më shoqëroi dhe vetë. Kur ecja midis të sëmurëve, doja të gjeja një paciente të re që t’i përshtatej rolit tim. Dhe sa më të re. Pasi e gjeta e falënderova mjekun dhe ju drejtova të sëmurës e cila nuk më përfilli fare. Pas disa pyetjesh, ajo filloi të më përgjigjej. Kështu që unë vija re me syrin e aktorit reagimet e saj në të gjitha lëvizjet më të imta si të fytyrës, të gjymtyrëve dhe të trupit. Vija re kur qante dhe qeshte. Mënyrën e të folurit, zërin e saj dhe kohën që harxhonte për këto veprime. Vëreja se si kalonte nga një gjendje tek tjetra dhe të gjitha këto i përvetësova në provat e mija në skenë

 

Hekuba myzeqare e Trojanëve!

Kjo nënë ballkanase, nënë shqiptare, nënë me përmasa botërore që provon të lind fëmijë, të gëzojë e të vajtojë. Mes heshtjes rrëqethëse të kësaj humbje të madhe, Margarita si rreze drite mes kësaj tragjedie të pa masë turret të kap kohën e humbur. Kohën e vrarë. Lotin e nënës derdhur brigjeve të pikëllimit. Brigjeve të Otrantos, brigjeve të Atlantikut. Maj maleve të Hekurave në Qafë Botë, kampet shfarosëse të Mat’hauzenit. Në shtëpinë e bardhë ku një njeri me ngjyrë rreket të shërojë plagët e botës.. Në Kalkuta, ku një nënë trupvogël i tregoi botës se ekziston një dimension. Një botë më e mirë. Bota e dashurisë për të pamundurën.

 

Ajo lëviz në skenë si një gurë i rëndë Troje që nuk vdesë kurrë. Artdashësit të tronditur të gozhduar në karriget e tyre mbeten pa frymë, rendin pas saj. Kur vrojtojnë këtë interpretim sa virgjëror e profesional, duartrokitjet frenetike thyejnë konturet e zakonshme të kohës. Muret e heshtjes rrënohen. Hekuba-Margaritë, simbol i dhimbjes dhe i mbidhimbjes njerëzore… Hekuba Margaritë rrethuar nga kori si buçim deti, mali, lumi tërësia njerëzore, këlthet. “Trojë, moj e zeza Trojë”!…. Margarita-Ofeli, Hekubë, Ajkunë, artiste virtuoze. Busti i saj i gjallë shndrit si një premtim për dashurinë njerëzore./Baxhul MERKAJ

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...