HYRJELAJMEAKTUALITETKeni dasma në gusht? Policia ka një mesazh të rëndësishëm

Keni dasma në gusht? Policia ka një mesazh të rëndësishëm

Dasmat janë një nga momentet më të bukura që njeriu mban mend në jetën e tij, kur është protagonist i kësaj mbrëmje, por edhe kur merr pjesë në gëzimin e njeriut të afërt.

Megjithatë, për shkak të gëzimit dhe festës, i lejon vetes që të bësh disa gjëra që në përditshmëri nuk i mendon kurrsesi t’i bësh…si të dalësh në ditaren e makinës, të ecësh duke i rënë borisë gjatë gjithë rrugës apo shpejtësi tej normave të lejuara.

Pikërisht nisur nga kjo, edhe për faktin që gushti mund të quhet ndryshe si muaji i dasmave, Policia Rrugore ka zgjedhur që të përcjellë një mesazh sensibilizimi për qytetarët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, që kjo ditë gëzimi të mos kthehet në tragjedi

“Këto ditë pushimesh shërbimet e Policisë Rrugore vazhdojnë të jenë të angazhuara, kryesisht në menaxhimin e trafikut në akset rrugore të vendit, sidomos në zonat turistike në afërsi të plazheve dhe zonat rrugore bregdetare.

Me ndihmën e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve, trafiku është përballuar duke mos krijuar bllokime dhe radhë të gjata. Ndërkohë që kemi vënë re shqetësime në mjaft raste, në të gjithë qendrat e banuara dhe në kryeqytet, pasi në këtë sezon shtohen karvanet me makina të dasmoreve të përbërë nga mjete që qarkullojnë:

Me shpejtësi të ulët duke penguar mjetet e tjera;

Pasagjerë që dalin nga dyert e mjeteve në mënyrë të hareshme, duke rrezikuar dukshëm sigurinë e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në trafik;

Mjete që në mënyrë abuzive, krejtësisht të panevojshme përdorin sistemet zanore (boritë) duke shkelur ligjin dhe duke shqetësuar banoret me “ndotje zanore” të panevojshme;

Në mjaft raste janë vërejtur pasagjerë (dasmorë) në kamioncina ku ndodhet orkestra, të cilët qëndrojnë në këmbë në karroceri, ndërkohë që mjeti është në lëzizje dhe çdo frenim i mjetit sjell rrëzimin e tyre;

Shumicën e rasteve, nga mjetet e dasmorëve janë evidentuar drejtues që tejkalojnë kufijtë e shpejtësisë;

Shërbimet e Policisë Rrugore ftojnë qytetarët që të sillen dhe të festojnë në mënyrë të përgjegjshme në rrugë, si drejtuesit e mjeteve ashtu dhe pasagjerët.

Edhe në të tilla raste siguria e tyre është prioritet i shërbimit të Policisë Rrugore, ndaj nuk do të tolerohen sjellje që cenojnë dukshëm standardin e sigurisë rrugore.

Policia Rrugore ka filozofinë e policimit në bashkëpunim me komunitetin rrugor dhe në këtë kuadër mirëpresim çdo foto dhe video të rasteve të tilla abuzimi në rrugë nga karvanët e makinave të dasmorëve, me qëllim marrjen e masave administrative në përputhje me normat e Kodit Rrugor, duke kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Dasmat janë momentet më të spikatura dhe të bukura për njerëzit. Le të sillemi në mënyrën e duhur që ato të mbeten të tilla! Siguria rrugore është e para”, njofton Policia.

TE TJERA

spot_img