U quajt investimi më i madh në qytet, shembet rruga pas 3 vitesh

296

Investimi më i madh në qytetin e Beratit,që përfundoi 3-vjet më parë, ka pësuar një dëmtim të madh në segmentin Polici-Stadiumi Tomorri.

 

Rruga është çarë dhe është shembur në njërin krah, gjatë qarkullimit të automjeteve në rrugë. Një automjet që ishte në ecje përgjatë këtij aksi, ka rënë në gropën e shembur në rrugë.

 

Automjeti ka pësuar dëme materiale dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërkohë që dëmtimi i rrugës në këtë segment ka vështirësuar mjaft qarkullimin e mjeteve në rrethrrotullimin e stadiumit.

 

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar specialistë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Beratit, të cilët kanë rrethuar vendin dhe kanë pezulluar qarkullimine mjeteve pranë rrugës së shembur.

 

Burime zyrtare pranë kësaj drejtorie deklarojnë se,do të punohet gjatë gjithë natës për riparimin e rrugës së shembur,që mendohet të përfundojë nesër në mesditë.

 

Specialistët e kësaj drejtorie bëjnë me dije se,rruga ka shkarë dhe më pas është shembur për shkak të shembjes së njërit krah të murit mbajtës nëntokësor të kanalizimeve të ujërave të zeza.