Thesaret e fshehura të Drinit. Mrekullia e liqenit që gjarpëron në luginën magjepsëse që fillërojnë kreshtat e maleve

Kur shqipton fjalën Drin të ndërmendet lumi, ndoshta edhe ndonjë djalosh me emrin Drin e pa dyshim dhe hidrocentralet e ngritura mbi rrjedhën e tij bujare 160 km të gjatë. Por pak ose jo aq sa duhet, kujtojmë bukurinë që të merr frymën,

 

natyrën si një amazonë e pazbutur që dashurohet dhe lufton pambarimisht me liqenet që njeriu në përpjekje për ta zotëruar, për t’ia marrë energjinë krijoi duke e përmbytur përjetësisht luginën e tij me ujë. Luginën e gjatë që nis nga Vau i Dejës e shtrihet sipër në Koman për të përfunduar me Fierzën, liqene mbi të cilat mbështeten nevojat më të mëdha për energji të të gjithë vendit.

 

Por Drini është edhe një mënyrë jetese, përveçse një përcaktues natyror i brigjeve, ku kanë gjalluar gjithnjë shqiptarë, arbnorë apo ilirë. Në metropolin tonë real dhe virtual diskutojmë shpesh për nevojat që “modernizmi” ynë ka për energji duke marrë për të mirëqenë jo vetëm bujarinë e lumit dhe natyrës, por edhe të banorëve, që si flora dhe fauna i janë përshtatur një mënyre të re jetese për t’i mbijetuar lumit të kthyer në liqen. E pranova ftesën për të vizituar Komanin dhe rrjedhën e Drinit kryeneç jo thjesht nga kureshtja për natyrën, por edhe prej faktit se nga

IntbauAlbania, organizatorët e këtij rrugëtimi nën çadrën me emrin e bukur “DrinCorda” m’u evidentua vizita në vendbanimet e hershme të Komanit, për të cilët fëmijëria dhe leximet në shkollë më kishin ngacmuar fantazinë.

Si shkohet në Koman?

 

Ndryshe nga ç’besohet, Komani nuk ndodhet shumë larg nga Tirana, diçka më shumë se një orë larg ndodhet Vau i Dejës për ku ndahet rruga për në Koman. Gjatë rrugës ndeshim disa grupe turistësh, që edhe ata si ne sa mahniten me bukuritë përreth, aq mallkojnë rrugën në të cilën nuk është vënë dorë as për mirëmbajtje prej të paktën 26 vitesh. Janë 32 km që të kujtojnë se je në Shqipëri përkundër peizazhit që të krijon iluzionin se ndodhesh në Alpet zvicerane, një peizazh aq frymëmarrës që të fton ta zbulosh pas çdo kthese duke të bërë të harrosh paksa shkundjet e makinës.

 

Drini ka filluar të na joshë me ngjyrën e tij të smeraldë dhe mban

fshehur ishullin e Sardës apo të Shurdhahut, ku kishin selinë Dukagjinët, qendër ndërlidhëse e rëndësishme deri në shekullin e XV mes Malësisë, Mirditës dhe Zadrimës. Veç sa e përshëndesim nga larg ishullin e Sardës pasi udha gjarpëron drejt thesareve të tjera. Ndërsa natyra ka çelur e gjitha nga lartësia e malit dallojmë një rezervat gjigant peshku…(banorët do të na rrëfejnë më tej se rezervati një investim turk ka ndryshuar shumë morfologjinë e specieve natyrore të Drinit. p.sh trofta e rezervatit e çliruar nga rrjetat po han troftën e egër për të cilën Drini është aq i famshëm).

E ti kujtohesh se në ç’kohë të egra jetojmë dhe se si koncensionet me bazë vetëm fitimin pa respektuar natyrën dhe mjedisin kthehen kundër njerëzve që ende nuk e kanë braktisur këtë vend të bekuar nga Zoti.

Në besën e Berishajve

 

Pas ndoshta 40 minutave nga Vau i Dejës mbërrijmë në Koman, na pret Mirjani një djalosh që ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij nuk e ka braktisur natyrën e egër, por përpiqet ta zbusë atë duke e kthyer në burim jetese duke jetuar me të ardhurat e turizmit që ka filluar të shfaqë interes për këtë zonë. Ai na pret në portin e Komanit dhe ka bërë gati varkën e tij me motor për grupin e arkitektëve, inxhinierëve të mjedisit, arkeologëve, ekspertëve të trashëgimisë kulturore, sociologëve dhe gazetarëve. Për të shkuar deri në lagjen Berishë dhe në kullën e tyre do lundrojmë mbi liqenin e Komanit që na shfaq pak nga pak madhështinë e tij. Në gjithë Komanin kanë mbetur ndoshta rreth 200 banorë dhe ndër mbijetuesit, ose ata që nuk e shohin Drinin si armik, por si aleat janë edhe familja e zgjeruar e Mark Berishës.

Nga oborri i shtëpisë ku kanë shtruar drekën për ne, na pret një peizazh piktoresk, fshati dhe kulla përballë dhe kryqet vendosur mbi maja kepash për të na kujtuar se ky territor ka luftuar shumë për të ruajtur identitetin e vet të krishterë. Sapo e kemi marrë veten nga pamjet që të ngopin syrin dhe shpirtin një banket i thjeshtë por që të kujton se parajsa e shijes ekziston na pret me gjithë mirësitë, djathë dhie, bukë shpie, troftë e kapur në liqen dhe një gotë raki për t’u përshëndoshur me të zotin e shtëpisë rreth, të cilit janë bashkuar nipa e mbesa për ta mbajtur gjallë jetën në këtë copë tokë mes malesh që Drini nuk e ka marrë me vete. Marku i thinjur na rrëfen

 

dhe historinë e kishës dhe atyre viseve “është bërë luftë e madhe këtu, rreth viteve 1100 aq sa thuhet se lumi u mblue n’gjak, e prej atëherë lumi në këtë pjesë u quejt dhe lumi i gjakut.” – thotë Marku. Por sot veç një kryq afër kullës tipike të malësisë tregon për histori të lashta betejash kryqtare. E pas një dreke “bukë e zemër” mjalti i luleve nga bletët e shtëpisë na kujton se nektari i bjeshkëve ekziston.

Varret e mistershme të Komanit

 

Udhërrëfyesi ynë është arkeologu i ri Ulsi Tota që punon me misionin arkeologjik franko-shqiptar. Ulsi na parapërgatit për një ngjitje të vështirë nga fshati Koman drejt misterit që rrethon atë që edhe në shkollë e kemi mësuar si “kultura e Komanit”. Një zonë A, e cila për pak u shkatërrua nga lufta e përjetshme e trashëgimisë kulturore me projektet e zhvillimit siç ishte përcaktimi i linjës së Interjeksionit pikërisht në gjurmët e gërmimeve arkeologjike. Një dashamirësi fatlume e minutës së fundit i shpëtoi kishat e Shën Janit. Shën Todrit dhe Shën Nikollës si dhe Nekropolin e

Komanit nga dëmtimi i pashmangshëm duke e spostuar linjën në largësi nga siti i rëndësishëm arkeologjik. Ngjitemi thuajse 580 m mbi nivelin e detit është një e përpjetë që shumë mirë mund të shërbejë edhe për të apasionuarit pas hiking. Mes bimësisë së dendur arkeologët, të cilët punojnë intensivisht çdo gusht që prej vitit 2011 kanë shënjuar shtigjet nga duhet të shkosh. Kur ngjitesh mbi pllajë, gurët janë rreshtuar si dëshmi e asaj që njëherë e një kohë ishte një qendër e banuar dhe me disa lagje, aq sa çdo lagje kishte kishën dhe varret e saj.

Teksa Ulsi rrëfen i apasionuar dhe i palodhur ne ende nuk e kemi marrë veten nga lodhja e ngjitjes së thikët. Por gurët në kishën pa emër na joshin jo pak bashkë me rrëfimin e arkeologut. Njohuritë për këtë kulturë të vjetër dolën në dritë rreth vitit 1898 kur arkeologë të huaj ranë në gjurmët e një varreze të madhe pranë kalasë së Dalmacës. Dalmacija e vjetër, vendbanimet e Komanit që datojnë (shek VI-VIII) në historiografinë dhe arkeologjinë shqiptare kanë një peshë shumë të rëndësishme si përkufizues të hipotezës së kalimit nga ilirët tek arbrit. Ndonëse Ulsi tregohet shumë i matur në termat që zgjedh për të mos bërë kategorizime absolute në lidhje me datimet rrëfen punën gjigante të bërë gjatë viteve të misionit arkeologjik franko-shqiptar. Edhe pse ne nuk shohim dot pasuri nga objektet që vendoseshin bashkë me eshtrat në këto varre për ne është kurioze të mësosh se popullata e këtyre vendbanimeve vdiste relativisht e re ndër të paktën 150 varret e evidentuara.

E shkuara dhe e ardhmja natyrore e Drinit

 

Qytetërimet e mëdha kanë lindur përgjatë lumenjve të rëndësishëm. Drini fsheh jo pak site antike gjatë rrjedhës së tij, por po ashtu është një pasuri më vete për shkak të shumëllojshmërisë së specieve që e gjallojnë. Sipas biologes së apasionuar

 

shkodrane Aurora Zylaj, rrjedha e Drinit zotëron një pasuri prej 4 mijë speciesh dhe mikrogjallesash shumë prej tyre në rrezik zhdukjeje për shkak të ndryshimeve drastike që i janë bërë habitateve natyrore. Dhe kënga e një bilbili na e kujton sa e rëndësishme është kënga e zogjve për të na kujtuar se nga vijmë. Po të dëgjosh arsyetimet e një eksperti të trashëgimisë kulturore si Kreshnik Merxhani; – trashëgimia si edhe natyra janë motorët e asaj që na propagandohet si hovi i turizmit. Pa një mbështetje të integruar jo vetëm nuk kemi zhvillim turizmi por rrezikojmë të kemi vetëm investime gjigande që pasi kanë shfrytëzuar çdo resurs hidrik dhe natyror lënë pas veç varfëri dhe braktisje.

 

E tingëllon marrëzi dhe makutëri ekstreme kur mëson se vetëm gjatë viteve të fundit janë dhënë 160 leje për ndërtime HEC-esh vetëm në territorin shqiptar përgjatë kaskadës së Drinit. Dhe siç pohon edhe Mirjani, djaloshi që nuk e ka braktisur Komanin: “Drini është thesar që duhet mbrojtur dhe promovuar me krenari”.

 

​Nga Mira Tuci

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...