Ku po shkojnë Meta, Rama, Basha?

Temperaturat politike janë ulur në këto ditë të nxehta korriku, e si Meta ashtu edhe Basha, po lëshojnë mesazhe tërheqje, të cilat sinjalizojnë marrëveshje të mundshme në horizont.

Kush arrin të befasojë mbetet Edi Rama, që njëlloj si në rastin e dekretit të Metës për anulimin e 30 qershorit, nuk u ndal as para dy vendimeve të gjykatave të Durrësit e Tiranës, që nuk u dhanë vërtetimin e mandatit kandidatëve të tij fitues në Durrës e Vorë. Heshtja e ndërkombëtarëve pas 30 qershorit, po u lë terrenin politik tre aktorëve kryesorë në vend. Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Edhe pse nuk e fsheh kënaqësinë për pjesëmarrjen e ulët në 30 qershor, Lulzim Basha ende nuk po ofron ende diçka të re të paktën publikisht. Tani që kryebashkiakët e opozitës do të dorëzojnë zyrat, pas protestës së 10 kombëtare falenderuese për atë që quan bojkot masiv të 30 qershorit, L. Basha ka nisur një tur takimesh me degët në rrethe por edhe organizimi. Lëvizjet e të deleguarve të kryesisë nëpër degë, e urdhri i brendshëm që shtabet politike të ngrihen brenda datës 31 gusht, duken lëvizje përgatitore për fushatë, por vetëm me vlerë motivuese, sa kohë nuk paraqitet një strategji, se si do arrihet në zgjedhje të parakohshme.

Organizim po bën edhe Edi Rama, që ka tashmë i ka siguruar të 61 bashkitë e vendit, ku në më shumë se gjysmën e të cilave, nuk kishte rivalë. Javën politike që lamë pas Edi Rama u shfaq publikisht më shumë në selinë e PS, se atë të qeverisë. Në tre ditët e para të javës pati takime disa orëshe me kryesinë e koordinatorët politikë, ndërsa sqarimin për mediat e bëri vetë. Po përgatitet kalimi i butë i pushtetit në bashkitë që qeverisen nga opozita, me porosi për kujdes me largimet nga puna. Në këtë panoramë Rama thotë nuk gjen arsye për t’u testuar në zgjedhje të parakohshme siç kërkon me gjysëm zëri opozita e presidenti.

Madje po mendon se nuk ka as arsye të tronditë qeverinë, edhe pse një lëvizje surprizë si ajo e dhjetorit të kaluar, nuk përjashtohet. Qetësi duket se po i jep edhe iniciativës për shkarkimin e Ilir Metës. Nuk e ka më nxitimin e fillimit, kur u thirr një seancë e posaçme parlamentare. Këtë ngadalësim e reflektoi edhe vetë komisioni hetimor parlamentar, i pari për shkarkimin e një presidenti.

Nje opinion që do kërkojë kohën e vet, e me gjasë do jetë paraprak, pasi komisioni i Venecias mblidhet vetëm 4 herë në vit, e seanca më e afërt është 10 tetori. Por socialistët janë gati ta shtyjnë afatin e komisionit hetimor edhe përtej afatit 3 mujor 8 Tetorit.

Opozita evidenton përbërjen e komisionit hetimor

Çlirim Gjata: Kush janë personat që do hetojnë presidentin Meta? Ilir Ndraxhi është krahu politik i bandës së Abdulajve, të cilët Abdylajt e kishin vënë në listë. Ky person i vendosur nga kjo bandë do të vendosë për shkarkim të presidentit. Ulsi Manja i dosjes 184 do të hetojë, ku mjafton lidhja e tij me bandat e Dibrës, me shefa komisariatesh e lloj lloj të tillë të organizuar në krim për te vjedhur vota. Ky njeri do të vendosë?

Basha bëri një lëvizje e ndrojtur, por që nuk prodhoi një qëndrim të qartë. Pas një takimi 40 minutësh kokë më kokë me Ilir Metën, mblodhi aleatët dhe për herë të parë foli për zgjedhje më 13 tetor
Lulzim Basha: Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe siç është shprehur publikisht, edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale, që nënkupton ndryshime kushtetuese. …opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës, që është dhunuar dhe tjetërsuar, përtej çdo përfytyrimi, çfarë e pame edhe me 30 qershor, ku Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë, tabulonte vetë dhe për të garantuar, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve.

E paqartë se si do mund të mbahen zgjedhjet 3 muaj më vonë, kur çdo ndryshim i nevojshëm kushtetues e në kodin zgjedhor në funksion të tyre, pjesë e platformës së Bashës për daljen nga kriza, duhet bërë sipas ligjit, të paktën 6 muaj para zgjedhjeve.

Ndryshe nga Basha, ai që po bën lëvizje është Ilir Meta. Brenda 12 orësh ktheu tre ligje mbrapsht në parlament. Ligji për rezervat materiale të shtetit, ligji për pronat dhe ai për PV, kishin si emërues të refuzimit, fuqinë që merrte KM me ndryshimet e propozuara, edhe pse socialistët i kanë mundësitë t’i rivotojnë.

Në kuvend nuk ka pengesa prej kohësh. Procesin e nisur e të ngecur me PD, për të ndryshuar sipas vendimit të GJK, dy prej ligjeve të reformës në drejtësi, atë për organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë dhe ligjin për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, i miratoi me opozitën parlamentare me 106 vota, duke tejkaluar kështu shifrën 86 të miratimit të parë të tyre tetorin e 2016 (6), pa PD, që votoi veç ligjin për SPAK, që mori 122 vota, shifrën më të përafërt me konsensusin 140 votësh të reformës në drejtësi. Me opozitën e re, këto nuk do jenë ndryshimet e fundit.

Ndërsa mbushen 3 vjet nga miratimi ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi me 140 vota, Ilir Meta bën bilancin duke akuzuar Edi Ramën se qëllimisht ka penguar ngritjen e GJK, ndërsa 3 vjet pas miratimit të reformës vendi nuk ka as Gjykatë të Lartë funksionale dhe as Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Ilir Meta zbulon në një sqarim të gjatë në FB se si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që përzgjidhet prej tre vitesh me short me mandate një vjeçar, është bllokuar qëllimisht, për të mos plotësuar vendet e nevojshme për të vënë në punë GJK.

Meta thotë se KED i zgjedhur me short në 27 janar 2017, në kohën kur ishte kryetar kuvendi, e mbylli mandatin pa u mbledhur asnjëherë, sepse 4 ditë pas zgjedhjes së tij, Rama tha publikisht se nuk i pëlqenin emrat e dalë nga shorti. Më pas në detyrën e presidentit, Meta thotë se në nëntor 2017 ka kërkuar ndihmën e ambasadores së kohës të BE Vlahutin, për procesin e përzgjedhjes së Këshillit të ri të emërimeve të drejtësi, që do funksiononte gjatë vitit 2018 dhe nisjen e procedurave me qëllim plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Një ditë para tryezës së dakordësuar me Vlahutin e EURALIUS për këtë qëllim, Meta thotë se Euralius njoftoi mospjesëmarrjen, pa dhënë arsye bindëse duke e bojkotuar atë përpjekje. Për pasojë Meta thotë se iu drejtua kuvendit, i cili hodhi shortin e ri në dhjetor 2017, por sërish sipas tij, emrat që dolën nga shorti me gogla nuk i pëlqyen KM. Meta thotë se KED e 2018 bëri vetëm një mbledhje, me kërkesë të tij, për të shqyrtuar me precedencë kandidaturat e paraqitura për plotësimin e vendeve në GJK, dhe denoncon kreun socialist të komisionit të ligjeve Ulsi Manja.

“Ulsiu në datë 19 mars 2018, shkoi dhe u paraqit në mbledhjen e parë dhe të vetme të KED-së dhe i shantazhoi drejtpërdrejtë anëtarët e këtij organi pa ju dridhur qerpiku.

Ai debatoi me ta dhe i përsëriti të njëjtin kërcënim se KED mund të mblidhet për veprimtari administrative, por jo për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Ai e dinte fare mirë se ajo që po bënte ishte një krim kushtetues”.

Sipas presidentit Ulsi Manja e shantazhoi KED dhe ia arriti sepse ky organ pas datës 19 mars 2018, nuk u mblodh më asnjëherë.

“Kështu u bllokua edhe me 1 (një) vit tjetër Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Kjo është mënyra se si Ramaforma shantazhoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për 2 vite me radhë, 2017 dhe 2018, dhe bllokoi emërimin e gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas kryetarit të shtetit kryeministri Rama nuk e donte Gjykatën Kushtetuese funksionale, sepse vetëm kështu nuk kishte se kush t’i kontrollonte vendimmarrjet antikushtetuese që ai realizoi. E pa gjykatë kushtetuese askush nuk kishte ku të ankohej.

Rama nuk reagoi për këtë akuzë publike, por për të dytën ditë radhazi ishte në PS, këtë herë në mbledhje pasdite me koordinatorët e qarqeve. Përveç ministrave e deputetëve përgjegjës për çdo zonë, janë tre figura në PS që kanë përgjegjësinë për 12 qarqet e vendit. Edi Rama ka në patronazh qarqet e veriut: Shkodër, Kukës, Lezhë e Dibër; Taulant Balla Shqipërinë e mesme: Tiranën, Elbasanin, Durrësin e Korçën dhe Gramoz Ruçi atë të jugut Vlorë, Fier, Berat e Gjirokastër

Është Ilir meta ai që vazhdon ta sfidojë direkt zgjedhje. Një ditë pasi kishte pritur Lulzim Bashën në zyrën e tij, Ilir Meta përsëriti sfidën që ai vetë, Rama e Basha të testohen tek qytetarët, si një mundësi për vendimin e KE për negociatat në 17 18 tetor

“Nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër. Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 Tetor”.

Rama u përgjigj pas një mbledhje afro 5 orëshe të kryesisë.

Rama: 13 tetori ditë e zakontë …jemi një shumicë qeverisëse që kemi detyrimin të mbajmë me nder e dinjitet deri në 2021.

Në të njëjtën ditë, dy kandidatë të tij fitues në Bashkinë Durrës e Vorë nuk e morën vërtetimin e mandatit. Gjyqtarja Mimoza Margjeka e Gjykatës së Durrësit, rrëzoi kërkesën e Valbona Sakos për vërtetimin e mandatit në krye të Bashkisë Durrës, me argumentimin se Bindja Demokratike ishte regjistruar jashtë afateve ligjore në zgjedhje.

Ndërsa gjykata e Tiranës nuk shpalli fitues të zgjedhjeve kandidatin socialist për bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku i cili nuk kishte rivalë. Gjyqtarja Ariana Gunbardhi vendosi t’ia kalojë këtë çështje për kompetencë gjykatës administrative të rrethit të parë Tiranë.

Vendimet dukeshin surprizë, pasi tashmë më shumë se gjysmës së të zgjedhurve socialistëve u janë njohur mandatet si kryetarë bashkie, në gjykatat e rretheve respective e ky process vazhdon.

Lulzim Basha e përshëndeti vendimin, ndërsa PS, pas një reagimi paraprak se do apelonte vendimin, përmes nr 2 Taulant Balla e konsideroi një lajthitje antiligjore, e se cdo kryetar i sapo zgjedhur do e merrte detyrën pas vendimit nga KQZ e Kolegji Zgjedhor.

Ndërsa opinioni ende po përpiqej të përtypte këtë situatë të re ngërci, Ilir Meta bëri lëvizjen e radhës. Tha se është gati të rishikojë 13 tetorin e ftoi Ramën e Bashën të flisnin për zgjedhje e zgjidhje.

Meta: Jam fleksibël, meqenëse mund t’i ketë dalë ters në filxhan 13 tetori që ta rishikoj këtë datë, por përpara 17-18 tetorit, në çdo moment do të ishte i mirëpritur.

Unë kam kaq kohë që po e pres me shumë durim, por edhe me shpresë, për të dhënë një zgjidhje të përgjegjshme. Përndryshe kjo krizë do të vazhdojë të përshkallëzohet dhe askush nuk duhet të mendojë që do të dalë me kosto zero. Aq më tepër ata, të cilët kanë punuar me shumë përkushtim për të gatuar këtë rrëmujëhane sot në Shqipëri….Duhet ta kenë të qartë të gjithë qytetarët shqiptarë se nuk ka pasur zgjedhje të qytetarëve shqiptarë, zgjedhje shtetërore, zgjedhje kushtetuese, zgjedhje ligjore më 30 qershor. Le të thotë kush të dojë e çfarë të dojë, çdo shqiptar e çdo ndërkombëtar se gomari fluturon! Ne mund t’i themi se kjo mund të ndodhë në art, mund të ndodhë në ëndërr e mund të ndodhë në piktura, por ne e dimë që gomari, të paktën këtu në Shqipëri nuk është shqiponjë që të fluturojë!

Përpjekjet për ndërmjetësim ndërkombëtar duket se nuk mungojnë. Lulzim Basha njoftoi për një vizitë pune në selinë e OSBE në Vjenë. Me këtë pritshmëri ndërmjetësimi, u shfaq i familjarizuar edhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit Reeke, që qartësoi se nuk do ndërhyjnë.

Reeke: Shtetet e Bashkuara nuk do te bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet e të bëjnë hapat e duhura.

Rama nuk iu përgjigj ofertës publike të Metës të enjten. Dita e fundit e sesionit parlamentar kishte një axhendë të ngarkuar me 23 pika në rendin e ditës e një interpelancë. Mungesa e Ramës në atë seancë, u sqarua nga ai vetë përmes një fotoje në instagram ku shfaqej në tryezë me Erdogan, me sqarimin se ishte ftuar në rezidencën verore të presidentit turk në Marmara. Nuk është sekret se BE i druhet po aq sa Rusisë, ndikimit të Turqisë në BP. Erdogan që takoi një javë më herët edhe Ilir Metën në një event rajonal, ka ngjallur së fundmi pakënaqësinë e SHBA pas afrimit e blerjes së armatimeve nga Rusia. Erdogan e ka bërë të qartë se Turqia është lodhur prej më shumë se 5 dekadash në pritje të anëtarësimit në BE. A po jep vallë mesazhe gjeostrategjike km Rama, në prag të vendimit të KE për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë e MV?

Në planin e brendshëm vijon të provohet po aq i fuqishëm sa Edrogani në vendin e tij. Dy ditë pasi gjykata e Durrësit kishte refuzuar të vërtetonte mandatin e socialistes Valbona Sako, u shfaq një vendim njohës i fitores nga një tjetër gjyqtar i të njëjtës gjykatë. Nuk ishte arritur të bëhej një apelim i vendimit të parë, kur PS i ishte drejtuar të njëjtës gjykatë me një kërkesë për vërtetim mandati të kandidates së saj. Lëvizja taktike kishte ardhur një ditë pasi Km deklaronte se mazhoranca kishte detyrimin të forconte kulturën e ligjit në Shqipëri.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Edhe 1 Ditë nga Ndezja e Atmosferës Festive në Sheshin e Bashkisë Shkodër

Shkodra është në përgatitjet e fundit për ndezjen e...

Me 1 dhjetor, në orën 18:00, të gjithë janë të ftuar ne Shkodër

Shkodra, e njohur për traditën dhe mikpritjen e saj,...

Monika Kryemadhi: Divorcin nuk e kisha menduar kurrë, Meta mbetet babai i fëmijëve të mi

Në një deklaratë për mediat, Monika Kryemadhi është shprehur...