Liqeni i Komanit, perla turistike e së ardhmes (FOTO)

610

Një port i vogël në Fierzë të Bajram Currit, vetëm një orë larg qytetit të Gjakovës, shumë shpejtë mund të shëndrrohet në portën hyrëse të një perle turistike të së ardhmes, liqenit të Komanit. I ndërtuar fillimisht si liqe artificial për furnizimin me ujë të hidrocentralit të Komanit, ky liqe në vitin 2000 filloi të përdorej edhe për udhëtim, gjegjësisht për lidhjen e Gjakovës dhe malësisë së saj me pjesën jugore të Shqipërisë.

 

Por, në dy vitet e fundit liqeni i Komanit ka filluar të nxisë edhe kureshtjen e vizitorëve, veçanërisht atyre të huaj, pikërisht për faktin e atraksionit që sjellë jo vetëm udhëtimi përmes tij por edhe për fshatrat e shumtë piktoresk që shtrihen buzë liqenit.

 

“Përgjatë tërë liqenit, nga Fierza e deri në Koman, në një udhëtim që zgjatë më pak se tre orë, vizitorët mund të mahniten me pamjet që ofrohen. Udhëtimi me traget apo me ndonjë barkë më të vogël ofron kënaqësi të pa përshkruar, ndërsa atraksion në vete janë fshatrat e kësaj zone dhe grykat e disa lumenjve që derdhen në liqe. Lirisht mund të them se liqeni i Komanit është njëri ndër vendet më të bukura dhe që më së shumti i’a vlen të vizitohen në Shqipëri”, ka thënë Mir Marku, banor i fshatit Svinë, që shtrihet pothuasje në mesin e liqenit, në pjesën administrative të rrethit të Pukës.

 

Miri i cili është ndër të parët banorë të zonës që ka filluar të merret me turizmin, aktualisht e udhëheqë njërën prej dy kompanive që po ofrojnë aranzhmane turistike, konkretisht shëtitje nëpër pjesët më të bukura të liqenit të Komanit.

 

“Ka dy vite që kemi filluar të organizojmë ture nëpër liqe dhe interesimi po rritet çdo ditë e më tepër, veçanërisht nga turistët e huaj, të cilët po mahniten me bukuritë që ofron liqeni. Ne punojmë gjatë tërë vitit, por sezoni turistik fillon nga maji deri në shtator, periudhë kur edhe klima është e përshtatshme. Kemi në dispozicion dy tragete që çdo ditë e bëjnë linjën Ferizë – Koman si dhe varka tjera më të vogla që shfrytëzohen për shëtitje nëpër pjesë të ndryshme të liqenit”, ka treguar ai.

 

Megjithatë, Miri dhe operatorët tjerë të turizmit, e pranojnë se zona ka nevojë ende për shumë investime tjera, që garantojnë turizëm të mirëfilltë. “Përveç transporti me varka, në këtë zonë nuk ka ndonjë vend që ofron akomodim për turistët e interesuar. Ka disa raste kur turistët e interesuar i trajtojmë nëpër shtëpitë tona me mundësitë dhe kapacitetet që kemi por që në fakt janë të pamjaftueshme. Buke, djathë, domate, qepë, peshk liqeni, mjaltë e raki rrushi janë ushqimet që megjithatë u pëlqejnë turistëve e që ne u ofrojmë me kënaqësi”, ka thënë Mark Frani, një tjetër banor i Svinës. “Duhet shumë investime në këtë zonë, duhet të ngriten dhoma e lokale për turistët”, ka thënë më tej Frani.

 

Por, edhe në mungesë të kapaciteteve, zona e liqenit të Komanit duket të jetë mjaft atraktive për turistët. Mundësia e kampingut në ndonjërin prej fshatrave të zonës, shëtitja nëpë pjesët e ndryshme të liqenit dhe ushqimi tradicional, tërsisht bio, duket se janë të mjaftueshme për kënaqësinë e tyre.

“Qëndrimi në këtë zonë është një aventurë e papërshkrue

shme. Ne e kemi ngritur kampin me tenda ne fshatin Berbull, një fshat me kulla të bukura dhe me një pozicion të mahnitshëm me pamje mbi liqe. Kemi vizituar vende të mahnitshme, përrallore, shumë prej tyre edhe të pashkelura më parë, e që me plotë të drejtë mund të quhen parajsë mbi tokë, siç është lumi i Shalës dhe shpella e këtij lumi, apo lumi Daica, një vend i mrekullueshëm për qëndrim ditor dhe freskim. Këtu e kam ngrënë peshkun e liqenit, i cili e ka një shije të jashtëzakonshme e që nuk e kam shijuar askund tjetër. Rakia dhe ushqimi bio i siguruar nga banorët e zonës është i mrekullueshëm. E them me bindje të plotë, se shëtitjen dy ditore në këtë zonë nuk do ta ndërroja as me vendet dhe hotelet më luksoze në botë”, ka thënë Dardan Krelani, një i ri nga Gjakova, i cili për herë të parë e kishte vizituar liqenin e Komanit.

 

 

 

 

Të mahnitur me pamjet përrallore të liqenit të Komanit janë shprehur edhe disa turistë të huaj, të cilët lundrimin nga Fierza në Koman apo anasjelltas e kanë cilësuar si “udhëtimin në mes të fjordeve shqiptare”. “Kemi hyrë nga Greqia dhe e kemi vizituar tërë jugun e Shqipërisë. Tani po shkojmë në Valbonë dhe atje kemi vendosur të shkojmë përmes liqenit të Komanit, nga Komani në Fierzë. E kemi kaluar edhe më parë këtë liqe, kjo është hera e tretë në fakt, dhe sinqerisht kjo është ndër përvojat më të bukura që e kemi pasur nga shëtitjet tona në shumë vende të botës”, ka thënë Stanislav, udhëheqësi i një grupi motoristësh nga Çekia, të cilët po e prisnin tragetin e tyre në portin e vogël të Komanit.

 

Ndryshe, përveç dy porteve në të dyja anët e liqenit, atij të Fierzës dhe të Komanit, liqeni si tërësi ofron edhe shumë vende tjera që vlen të vizitohen. Në mesin e tyre vlen të përmenden Lumi i Shalës, Lumi i Daicës, Lumi i Berishës, Lumi i Gominës, Shpella e Shalës, Shpella e Kaurrit, Ishulli i Paqës, Përroi i Gjakut, si dhe fshatrat Svinë, Berbull, Zhub, Berishë, Nanbli, Temal, Toplane, Brise, Salcë, Palcë e të tjera.

Aktualisht e vetmja mundësi për t’i vizituar këto vende është përmes dy operatorëve turistikë, Ferry Tour “Berisha” që udhëhiqet nga Mir Marku dhe Bout Tour “Mario”, që udhëhiqet nga Mario Molla, operatorë të cilët përkujdesen për secilin detal të një udhëtimi magjeps.