PRESIDENTIN E MARRIN PENG!

380

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Lajmi për pengmarrjen e Presidentit u përhap brenda pak orësh. Në kushte të tjera, lajmi do të ishte përhapur në fraksion sekondash, por mediat on line atë paradite ishin të angazhuara me një lajm ‘shoubizi’, të rëndësishëm deri në marrëzi kolektive; një nga moderatoret më seksi të ekranit mund të ishte shtatzënë, nëse vërtetohej se rrumbullakësia e barkut të saj nuk vinte nga gazrat!

Në orën pesë të mëngjesit, një njeri totalisht i rëndomtë, i veshur keq dhe me higjienë të varfër, se si dreqin kishte mundur të futej deri në zyrën e Presidentit, e kish kapushtuar atë nga pas, dhe, me anë të një thike të ndryshkur që ia mbante përpara fytit, kërcënonte se do bënte hatanë! Në çast kameramanët filluan të xhirojnë, por reporterët nuk futeshin dot në transmetim “live” për arsye të preçedencës që kishte lajmi i moderatores që ishte ose nuk ishte me barrë. Pas disa orësh, gazetarët e terrenit mundën të marrin linjën dhe në atë moment pengmarrësi filloi të rradhisë kërkesat e tij:

Si fillim dua të më sillni këtu katër thasë me miell! Zotrote shtyve datën dhe na le thatë në këto zgjedhje! Kemi 30 vjet që marrim miell kur ka votime!
Titi, porosit një furgon me dhjetë thasë me miell që të vijnë urgjent!
Ore kur them katër thasë, katër dua! Aq sa vota kemi në shtëpi, aq thasë më takojnë! Nuk e pranoj haramin!
Mielli mbërriti në pak minuta, megjithatë keqbërësi vazhdonte të ishte i tensionuar. Ndërkohë, pegmarrësi ishte kthyer nga kamera më e madhe dhe po artikulonte kërkesën e dytë:

Dua një dekoratë “nderi i lagjes”, që ta qep në xhaketë dhe të shes pordhë nëpër shokë e kushërinj!
Dekoratë “nderi i lagjes” nuk kemi, por unë të jap ty një dekoratë “nderi i kombit” që vlen më shumë, sepse kombi i përmban të gjitha lagjet, edhe lagjen tënde!
Prej floriri është kjo “nderi i kombit”?
Hahahahahahahahahahahahahahaha!
Ore president mos qesh se je me thikë në grykë, o njeri!
Titi, merr në depo një dekoratë “nderi i kombit” dhe jepja zotërisë! Besoj tani je i kënaqur! A po më lëshon, se kam takim me ambasadoren e re! E kam të rëndësishëm për jetë a vdekje!
Merre me qetësi dhe dashuri zoti president! Këto ishin kërkesat ekonomike! Tani e kanë rradhën kërkesat politike! Duam zgjedhje të lira pa Edi Ramën kryeministër!
Titi, merre në telefon Edin dhe thuaji se nëse nuk jep dorëheqjen tani, mua do të më vrasin, por përpara sesa kjo të ndodhë do të tregoj publikisht aty dy gjërat që ai i ka merak!
Pas pesë minutash në derë u shfaq një korrier i djersitur deri në këpucë me dorëheqjen e firmosur të Kryeministrit!

Kërkesa e fundit! Nuk futemi në zgjedhje pa Lul Bashën kryeministër!
Presidenti heshti për pak sekonda, pastaj ngriti qafën dhe i tregoi tjetrit me gishtin tregues vendin ku duhet ta priste!