Televizionet nxjerrin në shitje hapësirën editoriale në fushatë

Zgjedhjet lokale të 30 qershorit janë ende në pikëpyetje prej faktit që partitë kryesore të opozitës kanë refuzuar të regjistrohen si pjesë e procesit zgjedhor në formë proteste ndaj lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar.

Por ndërsa vetëm Partia Socialiste dhe e sapo krijuara Bindja Demokratike kanë filluar fushatën, 7 prej televizioneve kryesore në vend i kanë dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ofertat për reklama gjatë fushatës elektorale.

Pesë nga mediat që kanë bërë vetëdeklarim çmimesh për reklama në KQZ, kanë përfshirë në ofertat e tyre për partitë politike dhe kandidatët për kryebashkiakë edhe mundësinë për të blerë hapësirë televizive brenda emisioneve të lajmeve, speciale ose ftesa në emisionet e debatit.

Kodi Zgjedhor e ndalon transmetimin e propagandës në atë kohë televizive të identifikuar si “edicione informative” dhe po ashtu në kod përcaktohet se debatet televizive duhet të jenë me kohë të balancuar për palët. Përzierja e informacionit me reklamën gjatë fushatës zgjedhore, shihet nga ekspertët e medias dhe ato të proceseve zgjedhore si cënim i profesionalizmit dhe një përzierje e gazetarisë me marketingun.

Të pyetur nga BIRN, drejtuesit e televizioneve dhe gazetarët – emisionet e të cilëve reklamoheshin si marketing në KQZ, reaguan në mënyra të ndryshme ndaj praktikës së shitjes së hapësirës televizive ndaj kandidatëve dhe partive politike.

Ylli Rakipi, drejtues i emisionit “Të Paekspozuarit” – i cili ishte fillimisht në listën e emisioneve që ofrohej me pagesë nga televizioni News24, mohoi të kishte dijeni dhe shtoi se nuk do të pranonte të bënte një emision të tillë. Andi Tela, drejtor i News 24, tha se oferta e dorëzuar në KQZ ishte një gabim i zyrës së marketingut, që i ishte referuar një oferte të ngjashme në vitin 2017.

Nga ana tjetër drejtues të disa televizioneve që u pyetën nga BIRN thanë se nuk shihnin asnjë problem me këtë lloj oferte.

“S’ka rëndësi nëse është paguar, gazetari do i bëjë pyetjet”, tha Artur Zonja, kryeredaktor pranë ABC News, i cili ndër të tjera ofron edhe trasmetime live të fushatës apo profile kandidatësh. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Kasem Hysenbelli, administrator i Fax News.

Ndërsa Elert Yzeiri kryeredaktor pranë A2 CNN mohoi se hapësira editoriale e këtij televizioni ishte në shitje. Ai tha se oferta e identifikuar në faqen e KQZ si “përmbajtje editoriale” dhe sipas të cilës shitej “përmendja në show” për 1 mijë euro dhe “segment në show” për 5 mijë euro, ishte vetëm për hapësirën e reklamave dhe jo për emisionet.

“Nuk preket përmbajtja editoriale, pasi për ne pavarësia editoriale është shumë e rëndësishme”, tha Yzeiri.

Carlo Bollino, zotëruesi i kompanisë Multiscreen Shpk që ka në pronësi Report TV dhe gazetën Shqiptarja.com, nuk iu përgjigj pyetjeve që BIRN i dërgoi me e-mail deri para publikimit të këtij shkrimi. Ndërsa zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxha i tha BIRN se ishte detyrë e Bordit të Monitorimit të Mediave për të parë nëse ka apo jo propagandë në edicionet informative.

Tradhtia ndaj publikut

Shitja e hapësirave ose pjesëmarrjes ne emisionet televizive gjatë fushatës elektorale nuk është një praktike e re në Shqipëri. Një investigim i BIRN i publikuar në vitin 2017, gjeti se një numër televizionesh e kanë reklamuar haptazi në KQZ në të kaluarën shitjen e hapësirës në edicionet informative dhe emisionet politike për partitë dhe kandidatët për deputetë dhe kryebashkiakë. Megjithëse kjo praktikë u kritikua nga ekspertët medias dy vjet më parë, kritikat nuk i kanë penguar pesë televizione të bëjnë oferta të ngjashme në prag të fushatës për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

News 24, Report TV, A2 CNN, Fax News dhe ABC News reklamojnë në vetëdeklarimet e tyre pranë KQZ-së se ofrojnë veç spoteve edhe hapësirë editoriale kundrejt pagesës. Këtë media ofrojnë ndër të tjera kundrejt pagesave nga 3 mijë deri në 5 mijë euro emisione të dedikuara, kronika, shkrime, profile kandidatësh dhe ftesa në studio.

Drejtuesi i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi i tha BIRN se kjo ishte një qasje tipike biznesi që injoronte “përgjegjësitë (e medias) ndaj shikuesit e lexuesit, standardet dhe vlerat e demokracisë përfaqësuese dhe konceptet e lirisë së medias apo pavarësisë së saj”.

Krasniqi nënvizoi se një situatë e tillë ishte përgjegjësi e institucioneve monitoruese që nuk kishin bërë ndonjëherë ndonjë hetim serioz mbi paratë e përdorura në fushata, ndërsa shtoi se kjo lloj parregullsie ishte edhe produkt i një konsensusi mes palëve.

“Për pasojë, ka një konsensus të heshtur për informalitetin e lartë financiar në fushata elektorale dhe një situatë e tillë paradoksale po përsëritet edhe tani, duke pamundësuar transparencën, hetimin dhe llogaridhënien financiare për subjektet, kandidatët, mediat dhe sponsorët e tjerë të përfshirë në fushatë”, tha Krasniqi.

Krasniqit shtoi kjo praktikë ishte tregues i një demokracie të brishtë dhe një shoqërie me nivel të lartë informaliteti e korrupsioni.

“Fatkeqësisht shitblerja e votës dhe e zgjedhjeve nuk ndodh vetëm në zonat e largëta e kafetë e fshatrave, por edhe në studiot kryesore televizive në Tiranë dhe redaksitë kryesore të medias në Tiranë”, tha ai.

Një qasje të njëjtë ndaj këtij fenomeni kishte edhe kreu i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, i cili tha se problemi ishte më i përhapur se sa vetëm muaji i fushatës elektorale.

“Ky fenomen nuk është aspak i ri. Lajmet e fabrikuara nga partitë politike, qeveria apo Bashkia e Tiranës e që u vinë shumë mediave të gatshme nuk janë gjë tjetër vetëm se “blerje” e lajmit”, tha Cukali.

Sipas Cukalit ofertat e bëra nga TV të ndryshme për fushatë ishin veç zgjerim i kësaj situate, e cila tani përpos kronikave të përgatitura shtrihej edhe në zonën e debateve. Ai tha se ofrimi për shitje i hapësirës editoriale i bënte mediat të padobishme dhe se pas kësaj ato nuk mund të kishin më aftësi të kontrollit mbi të zgjedhurit që me herët u kishin ofruar para për hapësira televizive.

“Ky fenomen konfirmon edhe një herë që një pjesë e madhe e medias ka kohë që nuk është më në shërbim të publikut por në shërbim të privatit dhe të atij që paguan më shumë. Paradoksi qëndron që asnjë nga këto media nuk do të mund të vazhdonte të ekzistonte nëse nuk do kishte shikues apo lexues, pra, ato mbahen në këmbë vetëm falë audiencës të cilën e tradhtojnë”, tha Cukali.

I pyetur në telefon për faktin që emisioni i tij reklamohej në shitje për 5 mijë euro, gazetari Ylli Rakipi reagoi i çuditur duke mohuar të ishte në dijeni të këtij fakti. Ai e dënoi këtë praktikë duke nënvizuar se cënonte lirinë e medias.

“Nuk ka lidhje fare. Unë emision të dedikuar për këtë punë nuk bëj, në mënyrë absolute jo”, tha ai, duke akuzuar qeverinë se përdorte forma të tilla për të kapur median.

Rakipi tha se ofrimi i emisioneve dhe hapësirës editoriale me pagesë nuk ishte profesional dhe akuzoi institucionet monitoruese që nuk bënin punën e tyre me qëllim, duke lejuar që kjo të ndodhte.

“Kjo është një mënyrë e fshehtë që përdoret për të kontrolluar median që është e dobët, nëse do kishim media të fortë kjo gjë nuk do të ndodhte”, tha Rakipi.

Pas interesimit të BIRN oferta e News 24 në KQZ u ndryshua dhe në ofertën e dytë nuk përfshiheshin emisionet televizive “Të paekspozuarit” dhe “Dritare”. Megjithatë televizioni informativ vijoi të ofronte hapësirë për intervistë të kandidatit, profil kandidati, transmetim të mitingjeve dhe shkrim elektoral në Ballkanweb, me çmime nga 1500 euro në 3 mijë euro.

Andi Tela tha se News 24 do t’i ofronte këto hapësira me pagesë vetëm për kandidatë të partive të vogla, për të cilët nuk kishte interes publik dhe për transmetim të mitingjeve elektorale.

E shitur dhe e fshehur

Sipas kryetarit të KSHM-së Koloreto Cukali, mediat televizive që kanë reklamuar në KQZ minimalisht do të duhej që të njoftonin publikun nëse pjesë të hapësirës editoriale ishin të shitura, pasi kjo të paktën do i bënte shikuesit të vetëdijshëm që nuk po shihnin një produkt gazetarie, por një reklamë.

“Por, dhe nëse ndodh gjatë tërë këtij emisioni duhet nxjerrë njoftimi që bëhet fjalë për një program të paguar, pra reklamë”, tha ai.

Të njëjtën gjë vuri në dukje edhe zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxha. Ajo i tha BIRN se Komisioni dhe ligji i detyronin mediat që të njoftonin qartësisht se materiali ishte i përgatitur nga një forcë politike apo edhe nëse përgatitej nga vetë media që ai ishte i porositur. “Duhet të ketë logo dhe identifikim të qartë”, tha ajo.

Por disa drejtues të mediave me të cilët BIRN foli nuk e kishin këtë shqetësim.

“Jo nuk ka nevojë, përse duhet të njoftohet”, i tha BIRN drejtues i ABC News Artur Zonja.

Sipas Zonjës megjithëse emisioni do ishte paguar prej kandidatit apo prej partisë politike, gazetari do të bënte punën e vet.

“Ne garantojmë që atij do t’i bëhen pyetjet dhe që janë në interes të publikut. Në parim mund të krijohet problem, por ne garantojmë që në rast se është për shembull kryebashkiak aktual do i kërkohet llogari për premtimet e pambajtura, s’ka rëndësi nëse ka paguar apo jo”, tha Zonja.

Të njëjtën gjë tha edhe Kasem Hysenbelliu, administrator i Fax Media News. Ai shpjegoi se duke qenë se nuk kishte fushatë për shkak të situatës politike televizioni që drejton nuk do të “krijonte një emision të tillë”, por tha se e shihte normale si sjellje, ndërsa shtoi se në një emision debati ku do jenë të ftuar dy kandidatë, “të dyve do ju kërkohet të paguajnë”.

Andi Tela i tha BIRN se këto pjesë nëse do të bëheshin nuk do të njoftoheshin si reklamë, por do të kishte një identifikim që ishin hapësirë promocionale, pra që e njoftonte shikuesin se ishin të porositura, por theksoi se do ishin të kufizuara.

Nga ana e tij kryeredaktori i A2 CNN, Yzeiri nënvizoi se hapësira do të ishte dukshëm e ndarë dhe se do të identifikohej ashtu siç kërkon KQZ.

“Do të zbatojnë rregullat e KQZ për transmetimin e spoteve dhe oraret”, tha Yzeiri, i cili këmbënguli se pavarësisht se si ishte shkruar në ofertën dërguar KQZ-së, këto pjesë nuk do ishin brenda emisioneve dhe as segmente të tyre, por hapësira reklamimi.

Cukali i tha BIRN se kjo formë e të bërit biznes e gjymtonte në një mënyrë median, pasi ajo nuk do kishte më “kurajon për të kritikuar politikanët, partitë apo kryebashkiakët që “e mbushin me para””.

Ai shtoi se media në këtë formë nuk do mund të ndalonte publikimin apo transmetimin e programeve apo shkrimeve “që mund të jenë keq-informuese apo dhe krejtësisht të rreme”.

Cukali thotë se kjo praktikë gjithashtu krijonte kufizime për kandidatët që nuk kishin para, pasi hapësira do blihej nga ata që ishin të pasur apo që kishin lidhje me biznesin, duke u hequr kështu mundësinë kundërshtarëve për t’u shprehur.

Shënim: Pas publikimit të këtij shkrimi Z.Carlo Bollino i nisi BIRN këtë përgjigje për pyetjet që i ishin adresuar atij:

“Unë nuk merrem me çështjen e reklamave. Parimi që kompania zbaton rreptësisht është që çdo produkt i shkruar apo audio-vizual që ka lidhje me reklama, ka shenjë dallimi për të infromuar lexuesin dhe për ta diferencuar nga prodhimi redaksional, dhe nuk është prodhuar asnjëherë nga gazetarët tanë, kështu që pavarësia editoriale është totalisht e garantuar sipas të njëjtave standarde europiane të gazetarisë profesionale të parashikuar edhe nga ligji shqiptar”.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...