I dashur Prind,
E di që jeni i shqetësuar. E di që çdo ditë fëmija juaj vjen në shtëpi me një histori të re rreth atij fëmijës tjetër. Atë fëmijë, që gjithmonë është duke ngac*muar, sharë, goditur ndoshta edhe duke ‘kafshuar’ fëmijët e tjerë.
Atë fëmijë që gjithmonë i duhet të mbajë dorën time në korridor. Atë fëmijë që ngjitej në gardhin e oborrit, pikërisht në momentin kur unë i thosha të mos e bënte. Atë që derdhi qumështin e shokut në dysheme me qëllim.
Dhe më pas, kur unë i kërkova ta pastronte, boshatisi të gjithë letrën e kuzhinës, po prapë me qëllim.
Ju jeni i shqetësuar se mos ky fëmijë po bëhet pengesë në procesin e të mësuarit të fëmijës suaj. Ju jeni i shqetësuar se mos ky fëmijë po më shpenzon shumë kohë dhe energji. Jeni i shqetësuar se mos ndonjë ditë ky fëmijë lëndon me të vërtetë dikë tjetër.
Dhe se ky “dikush tjetër” mund të jetë fëmija juaj. Jeni i shqetësuar se mos fëmija juaj mbetet mbrapa ngaqë unë nuk e vë re që ai po ‘luf*ton’ të mësojë si mbahet një laps. E di dhe këtë.
Fëmija juaj nuk është perfekt, por në përgjithësi i ndjek rregullat. Është i aftë t’i ndajë lodrat me të tjerët në mënyrë paqësore. Ngre dorën kur do të flasë.
Punon kur është koha për të punuar dhe luan kur është koha e lojës. Mund t’i zë besë se do të kthehet sërish pa bërë dredha kur merr leje për të shkuar në tualet.
E shikoni që edhe unë shqetësohem gjatë gjithë kohës. Për të gjithë fëmijët. Kujdesem për majën e lapsit të fëmijës tënd, për mënyrën si e shqipton një germë një fëmijë tjetër, për atë në çantën e të cilit nuk ka ushqim, si dhe për atë që është i turpshëm.
Shqetësohem se mos xhupi i Gavin-it nuk mban dhe aq ngrohtë sa duhet edhe kur babai i Talitha-s i bërtet asaj kur ajo e shkruan shkronjën “B” mbrapsht. Shumica e udhëtimeve me makinë dhe dusheve të mia janë të mbushura me shqetësim.
Por unë e di që doni t’ju flas për atë fëmijën tjetër. Sigurisht sepse fakti që Talitha e shkruan shkronjën “B” mbrapsht, nuk do t’i shkaktonte fëmijës suaj një sy të nxirë. Edhe unë dua t’ju flas për atë fëmijë, por ka shumë gjëra që nuk mund t’jua tregoj.
Nuk mund t’ju tregoj që u adoptua nga një jetimore kur ishte 18-muajshe.
Nuk mund t’ju tregoj që është i uritur gjatë gjithë kohës pasi ka alergji nga shumë ushqime. Nuk mund t’ju tregoj që prindërit i ka në mes të një divorci dhe për këtë i është dashur të qëndrojë me gjyshen, për të cilën kam filluar të shqetësohem se mos ka filluar pijen.
Nuk mund t’ju tregoj që ilaçet e astmës e acarojnë atë.
Që mamaja e saj është prind i vetëm dhe se këtij fëmije i duhet të qëndrojë në shkollë më shumë se gjithë të tjerët e të feljë më pak se shumica e të rriturve.
Që ka qenë dëshmitar i dhu*nës në familje.
Që i takoj prindërit e këtij fëmije çdo javë dhe që të dy ata shpërthejnë në lot në këto takime.
Nuk mund t’ju tregoj që shpenzon një pjesë të madhe të kohës përpara laptopit tim sepse thotë që “më bën të ndjehem më mirë kur dëgjoj zemrën tuaj edukatore”. Nuk mund t’ju tregoj që kam ndjekur me përpikmëri rastet e agre*sivitetit të fëmijës në tre muajt e fundit dhe ka arritur t’i rrallojë nga 5 incidente në ditë në 5 incidente në javë.
Që me lot në sy u jam lutur kolegëve të stafit për t’i kushtuar më shumë vëmendje e të sillen më mirë me këtë fëmijë edhe kur ky i fundit ka goditur dikë tjetër në sy të edukatores.
Ka kaq shumë gjëra që nuk mund t’jua tregoj rreth këtij fëmije. Ka edhe të mira. Për shembull, nuk mund t’ju tregoj se në klasë ka si profesion ujitjen e luleve dhe se një ditë qau zemërthyer kur një nga lulet u vyshk.
Që çdo ditë i jep puthjen e mëngjesit motrës së vogël dhe i pëshpërit në vesh se “është rreze drite” për të. Që di më shumë për vetëtimat sesa meteorologët. Nuk mund t’ju tregoj që shpesh kërkon ndihmë për të mprehur lapsat gjatë kohës së lojës.
Që shkul ndonjëherë flokët e shoqes më të mirë. Që kur sheh ndonjë shok klase duke qarë, vrapon drejt tyre me lodrat më të mira.
Çështja, i dashur prind, është se unë mund të të flas vetëm rreth fëmijës tënd. Pra, ajo çfarë mund të të them është vetëm kaq. Nëse në një farë pike, fëmija juaj, apo i ndonjë prindi tjetër, shndërrohet në këtë fëmijë për të cilën fola, unë në asnjë mënyrë nuk do ta diskutoj me prindërit e tjerë të klasës. Do të komunikoj me ju vazhdimisht, me qetësi e kënaqësi.
Do të sigurohem që t’i japim zgjidhje të gjitha problemeve, dhe nëse më lejoni do t’ju shtrëngoj duart kur të qani. Do të jem avokatja juaj dhe e fëmijës suaj. Do të sigurohem që fëmija juaj të marrë dashuri kur të ketë nevojë. Do të jem zëri i fëmijës suaj në komunitetin e shkollës. Pavarësisht se çfarë ndodh do të jem në kërkim të gjërave të bukura e të veçanta rreth fëmijës suaj. Dhe kur një tjetër prind të vijë tek unë, me shqetësime rreth fëmijës suaj, do vazhdoj t’u them të gjithë këtë që ju thashë dhe ju.
Me shumë dashuri,
Mësuesja
Amy është gjithashtu e pjesë e komunitetit global të edukatoreve. Ajo është trajnere e lektore e mënyrave të sjelljes së fëmijëve.
(Kjo letër është publikuar edhe në Washington Post)