Amnistia e të burgosurve, PS do të kërkojë votën e deputetëve të rinj

312

Për ligjin e amnistisë së të burgosurve, Partia Socialiste do të kërkojë ndihmën e deputetëve të rinj të opozitës. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka thënë se amnistia prej disa kohësh ka mbetur pezull në Parlament, pasi kërkohet shumicë e cilësuar.

“Për shkak të mungesës së opozitës dhe mungesës së vullnetit të tyre për të miratuar një amnisti, që miratohet me shumicë të cilësuar ka ngelur e pamiratuar. Por tani që opozita, pjesa tjetër ka ardhur, do ta rishikojmë idenë sesi mund ta kalojmë sërish në parlament për miratim.

Është një draft i përgatitur nga një grup pune nga Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme. Nga amnistia pritet të përfitojnë 350 dënuar duke mos përfshirë ata në ndjekje penale. Do të shërbejë në mënyrë rrënjësore dhe të dukshme për uljen e mbipopullimit në sistem”, ka thënë Gjonaj për “Ora News”.

Deri më tani në Kuvend janë 11 deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe gjashtë të Partisë Demokratike, ndërsa dy të tjerë pritet të marrin mandatin ditët e ardhshme.

Nëse kjo çështje do të kalohet javën e ardhshme në Parlament, do të jetë votimi i parë i deputetëve të opozitës për një ligj ku kërkohet shumica e cilësuar, ndaj pritet me interes qëndrimi i tyre./Opinion.al