Kulla e Vraninës, qëndresa shkodrane përballë malzezëve dhe vetëflijimi legjendar i Oso Kukës

Ishte koha e perandorisë otomane e shtrire ne tre kontinente. Malazezët që kishin shtetin dhe mbretërinë e tyre të dalë pas traktatit të Shën Stefanit në mbarim të luftës ruso-turke, kërkonin pushtimin e territoreve nën Perandorinë Otomane, të cilat në të vërtetë ishin toka shqiptare. Siç thonë kronikat e kohës, në maj të vitit 1862,

forcat malazeze nisën sulmet në Malësi të Shkodrës por u thyen nga malësorët e Hotit dhe të Grudës. Një muaj më vonë, forca të shumta ushtarake të Malit te Zi, sulmuan ishullin e Vraninës. Për të mbrojtur pikën kufitare të Vraninës, që është në anën veriore të Liqenit të Shkodrës, dolën vullnetarë nga rinia shkodrane.

Ndër këto ishte dhe i riu nga qyteti i Shkodrës Oso Kuka. Detyra e grupit të tij prej 24 vetash ishte të mbronin Kullën e Vraninës, që ishte dhe postë kufitare, që ndante shtetin malazez me perandorinë otomane. U zhvilluan luftime të shumta, në mes grupit të djelmoshave shkodranë të komanduar nga Oso Kuka dhe ushtarëve të shumtë malazezë. Oso Kuka me shokët e vet rezistoi gjatë, mirëpo sulmuesit malazezë ishin të shumtë, dhe vendosën ta marrin me çdo kusht Vraninën.

Oso Kukës po i vriteshin bashkëluftëtarët e vet një e nga një dhe ndihma nga qyteti i Shkodrës po vononin të vinin. Në momentet e fundit, kur malazezët mendonin se kulla do të dorëzohej, sepse ishin vrarë pothuaj të gjithë mbrojtësit, Oso Kuka me dy-tre shokët e mbetur gjallë ne mes te cileve edhe një djalë i ri shkodran i quajtur Salë Behri,

megjithëse me trupin plagë, vendosin të mos dorëzohen të gjallë në duart e armikut. Mbledhin të gjitha fuçitë e barotit në një vend të kullës dhe ndenjën në pritje të sulmit vendimtar të armiqve.

Kur ushtaret malazezë menduan se shqiptaret ishin vrarë të gjithë dhe i u afruan kullës me dëshirën kush më parë të hynte brenda për të vendosur flamurin malazez në majë të kullës, Oso Kuka i gatshëm me pishtar në dorë, i vuri flakën fuçive të barotit. Bëri atë që nuk e bëri dot

Ali Pasha në Janinë ku mbeti kryeprerë. U dëgjua një shpërthim i tmerrshëm. Kulla e Vraninës u hodh në erë bashkë me rrethuesit dhe mbrojtësit. Jehona e kësaj ngjarjeje shumë shpejt u përcoll në Shkodër e në Cetinë – kryeqyteti i Malit te Zi. Ishin vrarë të 24 djelmoshat shkodranë në kohën më të bukur të jetës së tyre,

por e kishin shpaguar veten, duke vrarë me qindra armiq që u dogjën e u përvëluan në ekstazën e fitores, cfarë u kthye në një tragjedi aq pikëlluese e humbëse, sa edhe sot e kësaj dite kujtohet me hidhërim në Mal të Zi nëpër këngët popullore elegjiake. Nenat shkodrane e rapsodët e Malësisë së Shkodrës, trimërinë e Oso Kukës e kënduan në këngë trimërie, që edhe sot e kësaj dite dëgjohen me admirim nga i

gjithë populli shqiptar. Oso Kuka shumë shpejt u kthye në simbol trimërie e vetëmohimi për mbrojtjen e trojeve shqiptare, që mizorisht u pushtuan nga fqinjët tanë ballkanikë, dhe shëmbëllesa e tij ishte e gjallë e frymëzuese edhe në zjarrin e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe me pas. Ai u kthye në simbol mbarëkombëtar. Ndër shkrimtarët që është frymëzuar më shumë nga akti vetëmohues i Oso

Kukës është Atë Gjergj Fishta, i cili në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis” i kushtoi katër prej tridhjetë këngëve të librit: Oso Kuka, Preja, Vranina, dhe Deka.

OSO KUKA NGA “LAHUTA E MALCIS”

(Gjergj Fishta)
Oso Kuka

Zot, ç’ ká thánë njaj Avdi Pasha:
Paska mbetë Shqypnija m’ vasha,
Qysh se s’ léka mbrendë nji djalë,
N’ at Vranine mue sod me m’ dalë,
N’ at Vraninë, m’ at t’zezë terthore, 5
Kû mbe’n shkret sá armë mizore,
Kû mbe’n djerr sá tokë gratçore,
Kû mbe’ n vithnat pa bagtí,

Veç prej cubash t’ Malit t’ Zí,
Qi po vrasin djelmt e rí, 10
Qi po mârrin lopët me viça,
Qi po presin dhênt me ogiça,
E po djegin kulla e stane,
E po thájn kaq zêmra nane!
Eh! po,knjazi ke Cetina 15
Ka lshue cubat kah Vranina,
Per me vrá atà e per me pré,

Per me djegun gur e dhé,
Veç si t, nisë degamë me né;
Pse dushmani âsht tue ndersy,20
Tokët e Mbretít per me i msý,
Per me i msý e me i rrembý.
Nji djalë m’ voter t’ m’ ishte llâ,
Paçë m’ i a lânë t’ âmen me fshâ,
Paçë m’ i a lânë motren me kjá: 25
T’ mjeren moter, ehu! pá vllá,
E n’ Vraninë un kjeçë tue e qitun,

Cubat knjazit per m’ i a pritun.
Por mue djalë nuk m’ ká qillue;
E n’ Shqypní nji djalë drangue,30
T’ cillit mos t’ i dhimet jeta
Per Daulet e troje t’ veta,
Fort kerkova e s’ mund e gjeta.–
Kshtû ankoi Pasha turçelí.
Oso kuka paska ndí: 35
Paska ndí,po,e kênka idhnue:
M’ sylah doren paska çue:
Me qitë m’ Pashen ká mendue.
Por i urti kurr nuk ngutet,
Prej burrnís e jo prej tutet, 40
Prandaj Osja ndali doren,

E as m’ e xjerrë s’ e xuer mizoren,
N’ fletë t’ sylahit çatallue;
Veç pá folë s’ mujt me u durue:
Avdì Pashë, tha, mâ kadalë! 45
Mos e thuaj dý herë at fjalë,
Se, per Dî’n e per Imâ’n,
T’bâj qi t’ kjajë e zeza nânë!
T’ bâj qi t’kjajë pa exhel tý nâna;
Pse n’ Shqypní ká djelm si Zâna, 50
Qi per Mbret e troje t’ veta
Nuk u dhimet gjâja as jeta:
E kû i lypë besa e burrnija,
Kû i lypë Mbreti e i lypë Shqypnija,

Kta mâ t’ parët jânë n’ fushë t’ mejdanit,55
Kta mâ të rrebët janë n’ballë t’dushmanit:
Janë çelik per tef t’ taganit.
Marre vedit kurr s’ i lâmë!
Pá ksulë m’ krye pa opingë në kâmbë,
Na per Mbret e per Atdhé 60
Per kanû, per besë e Fé,
S’ druem me rá nder pré të thyeshme,
S’ druem me msý kalát e rrmyeshme:
E kahdo qi t’ bjerë Shqyptari,
Shkon rrufeja tue e ndezë zhari,65
Pushkë e besë pse na la i Pari.

E ti tash vjen ktû e na thue:
Se n’ Shqypni nji djalë drangue,
Qi per mbret e troje t’ veta
Nuk i dhimbet gjâja as jeta, 70
Fort kerkova e s’ mund e gjeta…
Por s’ké faj; pse zâni i zí
Aj ká dalë, po, per Shqypní,
qysh se erdh Pasha turçelí,
Qse edhè t ‘ hujve sod Shqyptari 75
Qiri m’ kambë do t’ rrijë qyqari,
Si punue né s, na ká i Pari…
Por po i lâm tash na kto fjalë.
Në Vraninë, qe , un jam tue t’ dalë,

Cubat Knjazit me t’i a ndalë. 80
Veç t’i lypi un dyzet vetë,
Dyzet vetë, po, djelm të letë,
Qi të desin kû t’ zatesin:
Si mund t’léjn veç e n’Shqypn’;
E po t’ ap besen e Zotit, 85
Se, pa u djegë un n’ flakë t’ barotit,
S’ ká me u lshue per t’ gjallë Vranina.
Avdì Pasha kênka çue,
Osos doren ká shterngue:
Aferim, bre,ti Oso Kuka! 90
Se tý t’ thotë fjala edhè duka
Qi ké lé nji sokol malit.
Zgidh kû t’ jetë, po, pika e djalit,
Edhè del ti n’ at rranxë boke:
N’ at Vraninë, kû t’zezat loke,95

Qi kan mlue, ehu! djelmt e rí,
Qi kan kthy rejat n’ gjiní,
Janë tuj t’ pritë si drita diellin.
Foli Pasha. Buzës s’ Cukalit,
N’krye t’javës, dielli kur u çue, 100
Per me shndritë mbí kobe të shekullit,
Kû e perbuzne shuen e drejta,
Qafës s’Kalás, qe, çeta e Osos
Po mêrr rrugen kah Vranina.
Çetë e vogel, por kreshnike: 105
Dyzet vetë mâ s’ janë me t’ njehun:
Djelm te zgiedhun n’mal e n’ vrrî,
Jo per dukë e per pashí,
Por per zêmer e trimní:
Oso kuka na u ká prî. 110

Oso Kuka, ‘i rrfé prej qiellit,
Shoq nuk ká kah vrân e kthiellet.
A she’ i herë, ka’ i bje sokakut,
Se ç’ m’i bâjn t’ gjith tungjatjeta!
Se ç’ permnershem xheverdarja 115
M’ i flakon mbí sup të krahit,
Si ajo rrfeja n’ natë thellimit!
N’ fletë t’ sylahit— folé bollash
Çatallue i ká dý kuburet:
T’ mnershemet motra t’ t’idhtë taganit,120
Qi ndermjet u rri kercnue.
Veshë e mbathë e n’armë shtrengue,

Shtatin div, e sý’ n si zhgjeta,
Oso Kuka n’ jelek arit,
Pash e m’ pash po i bjen pazarit.125
Njitë mbas tij vjen shpata e dekës,
Soko Tona i Gurit t’ Lekës;
Soko Tona, si Valbona,
Larg permendë m’ kto male t’ ona,
Si per bukë n’ shpí t’ tij të ngranme,130
Si per pushkë e besë të dhanme.
Thonë se i ká nja trí nishane,
Trí nishane, me fermane
Per sherbim qi i baka Mbretit
Ktej e andej valen e detit. 135
Mbrapa i shkonin qa’ i biri i t’ mirit,
Taro Pllumi i Jegumirit.
Mandej vînë dý rê mizore,
Dy djelmoça prej Zagore:
Kaçel Doda e Kerrni Gila: 140
Rritun mocë si karajfila.
Ehu! bre Oso, Oso-rrfeja,
Ç’ kan me t’namë dý vasha t’ reja:
Ç’ kan me t’ nam dý bija nane
N’ ato mrize e n’ ato stane, 145
Kúr, kercunat, kan me ndí,
Se ke zgiedhe dy dhandrra t’ ri,
Me i perpjekë me Mal të Zí.
Po a thue e njef njat kime-zí,
Qi e ká ballin si siní, 150
Qi e ká sýnin si duhí,
Qi i ká shpatllat si nji arí?
Aj âsht Çoku i Mar Kolë Dinit
Prej Kabashit t’ Dukagjinit:
Trim i çartun, trim si Zânë, 155
I pá tatë edhè i pá nânë,
Dy gur njitë, thonë, s’ i ká lânë.
Per mbas ktij vjen çeta tjeter,
Do mâ t’ rí, do prap mâ t’ vjeter,
Por t’ gjith mocë me trimëní: 160
Me trimní e me bujarí:
Veç, per dukë e per pashí
Dán mâ n’ shâj njaj Jup Qehaja,
Galo Keqi e Sinanaja,
Vuksan Gjeli e Met Zeneli; 165
E nder t’gjith– porsì hýll drite,
Preng Markola prej Mirdite:
Lypë per pushkë ky e per pleqní
Q’ mêrr prej Shkodre e n’Peshkopí.
Veshë e mbathë e m’ armë shtrengue: 170
Thue se krushq po duen me shkue:
Nja mbas nja’i po i bien Pazarit,
Si ajo rê qi prej Tivarit
Njitet zí terthoreve t’ona,
Per me shkrepe ndokahe t, e vona: 175
Edhè kapen m’ at breg Buene,
Kû n’ nji lunder u rreshtuene.
Vend n’ at lunder t’ gjith kur zune,
Rrqase âsht lundra e veli u nde,
Edhe nise âsht porsi rê, 180
Tuj çá valen nper Liqê:
Tuj çá valen kah Vranina,
Kû po bâte nâm Cetina.

Preja

Vall, kush din mue me m’ kallzue,
Pse kjo qyqja ,zog i true,
Si mos kurr âsht tue vajtue
N ‘ at Vranine, n’ at t’zeze krahinë,
M ‘ breg t ‘ Liqênit n ‘at kodrinë? 5
A mos kján hallet e veta,
Persè zí i shkon moti e jeta,
Bír as bí pá rritë e shkreta?
Qyqja vehten s’ âsht tue kjá,
Bír as bí pse e mjera s, ká; 10

Por po kján ajo nji moter,
Qi ka mbetë sod qyqe n’ voter,
Sod qi kputë i âsht kulmi i shpís:
Kján qat motren e atí Avdís!
Jo,po,âsht vrá thonë, Avdì Hisa, 15
Mriz kah bâte nên dy lisa,
Nên dy lisa n’ mal t’ Vraninës:
E vrau Vulja, i biri i shkinës!
Njiky Vulja, ‘i trim drangue,

N’ at Vraninë fort âsht rendue: 20
Nuk lên kál, jo, me shtektue,
Nuk lên çikë, jo, me u fejue,
Ke po i vret aj djelmt e rí,
Ke po i kthen nuset n’ gjiní,
Ke po i vishte nanat ne zi. 25
Edhè u çueka,zogu i shkinës,
Me trembdhete cuba t’ Cetines,
Me msý mrizet e Vraninës:
Po i isht’ kênë kandun mishi i dhís:
Edhè u ndeshka m’ mriz t’ Avdís. 30
Qaj Avdija vrik piskati:
ndalo, Vulo, mustak-giati:
Ndalo,Vulo,me caruqe,
Pse s’ t i leshoj, dhít e kuqe,

Per pá e lá mrizin me gjak: 35
S ‘ ruej dhí per Karadak!
Edh’ e drodh t’ zezen breshanë,
Qi e kisht’ pasë moter e nânë,
Kinsè, i mjeri, zjarm me i dhânë;
Por prej Zotit s’ kisht’kênë thânë; 40
Persè i shkrepi n’ dorë breshâna,
Shí kur dashtë s’ do t’ i a kisht’ nâna.
Po, por Vùloja i terbue,
Qi per pushkë ishte i gatue,
M’ karajfile i u shterngue: 45
Dekun m’ tokë e la pushue.
Edhè u turr m’ tê i patenzoni,
(Shka as atij s’ i a epte zakoni),
E i zdeshi xhamada’n
E i a xuer edhè taga’ n, 50
E i a muer pushken e giatë,

Si nder burra s’ âsht zanát;
Mandej dhít i vên perpara,
Edhè u grafë neper rrege e ara.
Fort po nget capi i Vraninës, 55
Fort po ndjekë cubi i Cetinës,
Fort po kján nji e bija e Turkinës:
Fort po kján e fort po fshán,
Dekun m’ vig kah e shef te vllán:
— Kur ká dalë qaj hylli i dritës,60
O vllau i êm o vllá!
Mbí ato suka t’ Podgoricës,

O vllau i êm o vllá!
Ti m’ i a vne pushken krahit,
O vllau i eêm, o vllá! 65
Edhè m’ dole m’derë te vathit,
O vllau i êm, o vllá!
E m’i a lshove zânin skjapit,
O vllau i êm, o vllá!
Me i lshue podit e livadhit, 70
O vllau i êm, o vllá!

Me i lshue m’ ujë– m’ at ujë t’ Moraçës
O vllau i êm, o vllá!
Me i mrizue ke aj lisi i rrashit.
O vllau i êm, o vllá! 75
Qyqja motra tue t’ kundue,
O vllau i êm, o vllá!
Porsí lis me degë prarue,
O vllau i êm, o vllá!

Lis me mâje te lulzue, 80
O vllau i êm, o vllá!
Rrite e mjera tue u mendue,
O vllau i em, o vlla!
Se me ç’ vashë tý me t’ fejue;
O vllau i êm,o vllá! 85
Por qe Vùloja, i’ drangue,
O vllau i êm, o vllá!
Me tokë t’ zezë ty t’ ká martue,
O vllau i êm, o vllá!
Armë e petka tue t’ shkretue, 90
O vllau i êm, o vllá!
Nanë e moter tue t’ zezue,
O vllau i êm, o vllá!
T’ zezat qyqe tash këndojn,
O vllau i êm, o vllá! 95

Nanë e moter t’ u ndihmojn,
O vllau i êm, o vllá!
Pse mâ udhë per tý s’ kundrojn.
O vllau i êm, o vllá!
Tash këndon nji zog i zí, 100
O vllau i êm, o vllá!
Kah t’ fluturojë neper Shqypní:
O vllau i êm, o vllá!
Kurr ket p6unë un s’ e kam ndí,
O vllau i êm, o vllá! 105
Se ká mbetë kund gjak pá u kthye,
O vllau i êm, o vllá!
A me pare a se me krye,

O vllau i êm, o vllá!
Veç ká mbetë njaj gjaku i Avdis, 110
O vllau i êm, o vllá!
Qyqja motra, vaj, e Avdís!—–
Ksht vajton të vllán Turkina:
E ndien Lqêni edhè Vranina,
Edhè e ndieka aj Oso Kuka; 115
Vaj’n e ndieka e m’ kambë u çueka:
— Hani djelm! e ju vraftë buka!
Eh ju vraftë buka e Dauletit;
Eh ju dhaça ujët e detit,
Po s’u muer sod gjaku i Avdís, 120
Po s’ i u kthye ndera Shqypnís.

Çou bre, Soko, e mund t’ i xâmë!
T’ mos t’ i májm cubat me vjâmë,
T’ mos t’ i lâmë çikat me nâmë.
Proh! ti o Zot, kur na janë çue, 125
Mbathë e zbathë– si kan qillue
E i kan rrokun armët Shqyptare,
Njato ltina e xhevardare,
Njato t” bardhat n’ za breshâna
E i kan njitë njatà tagâna, 130
E i kan vû njato calina,
Se ç’ ushtimë ka marrë Vranina!
Porsì, kur ndokush t’ i nguce,
Dalin grêthat jashtë biruce,
Njashtû turr per derë t’ kaushës 135
Djelmt e Osos rrâjn drejt fushës
Kû kisht’ krise e zezë potera,

Motra e Avdís kû kjate e mjera.
Shoqi shoqin nuk po e pritka,
Por secilli vrap po ngitka, 140
Thue se t’ parit qi do t’ veka,
Petku cohet do t’i u préka
‘E jo mâ se po i pret deka!
S’ âsht tue e drshtë, jo, kush rrezikun,
kah per gjurmë po ndjekë anmikun; 145
Veç se i lngon setcillit zêmra,
Ka mâ e letë s’i ndolli thêmra.
Sýt u qesin flakë e shkendija
Kah t’ frigueshem, si duhija,
Qi kalon me t’ rrebtë zhumhuer, 150
Fushës i bjen kryq e terthuer,
N’dorë tuj mbajtun pushkët arbnore,

Qi u flakojne neper terthore
Porsì rrfeja n’ natë mizore.
Si i’ langue, qi, dalë me gjue 155
Endet malit pá pushue,
Dér sa t’ jetë per erë páu vû:
Djelmt e Osos njashtû ngasin,
Veç me cuba si mund t’ Hasin.
S’ kerset, jo nji pyllë mâ teper, 160
Kur mêrr zjarrë ndoj majes s’ eper,
Si kerset Vranina e shkretë,
Sod qi bien Shqyptarët e letë,
Vrap tuj ngá poshtë e perpjetë:
Thue se kambve u kan vû fletë. 165
Kur,qe, krisi i’ xheverdare
M’ breg te Moraçës nder do zhavare:
M’ breg t’ Moraçës drejt Bjelopoles,
Krisi pushka e Preng Markoles.

Preng Markola pre Mirditet, 170
Nder shokë t’ vet porsì hýll dritet,
I pau cubat aj mâ i pari,
Ke po majshin kah Ponari.
Ah! kadalë, bre zogu i shkinës,
Se s’ i a mêrr ti gjân Vraninës, 175
Me kênë vet ëKnjazi i Cetinës!
Prenga Mirkos i vikati,
M’ xhaverdare, edhè i ndêi gati.
Krisi pushka, ateherë, batare.
Krisi ltinë e xhaverdare, 180
Edhè ushtoi duhma e breshânës
Me u dridhe fmija n’ zêmer t’ nânës.

E pse trimi m’ trim si t’ hase,
E n’ log Zânash si t’ kersase,
Si t’ kersase pushka, or vllá, 185
Rrallë pá gjak se mujn me u dá,
Pavloviqi ktû edhè u vrá:
Pavloviqi u vrá n’ pushke t’ para,
Ka’ u grahë dhive neper ara.
Kúr pau Vùloja se shoku 190
I kje vrá, e se pataloku
Per tê s’ isht nji vend bejlegut,
I lshoj dhít edhè u nis bregut.
Me dorë, burra!— sa i mujt zâni,
Brit Osja atbotë si luâni, 195
Edhè m’ shpinë aj zhgjetë i u lshue
Me djelm t’ vet, porsi i’ Terbue.
A ké pá ndo’ i herë per seri
Se si, kur t’ u bjere skyfteri,
Hikin pulat neper kaçuba? 200
Njashtû atbotë, hikne ata cuba.
Hikne cubat porsi zhgjeta,

Kush n’ teposhtë, kush kah perpjeta,
Veç se Vulja, çue dollâmen,
Aj aq shpejt s’ e ndrronte kâmben: 205
Kisht’ kênë trim, eh i bâsha gjâmen!
Por shka? sod s’ i heci e mara,
Pse edhè ‘i shoq i a fiku Tara.
Tara pllumi i Jegumirit
I rá krés shi njâjë mâ t’ mirit, 210
Njajë djaloçit prej Zaçirit,
Tue e lshue dekun m’ do gjeth firit.
Deh! moj Zânë, m’ a thuej nji fjalë:
Kû e ka Osja edhe nji djalë?
Kû e ka Osja at Kerrni Gilen, 215
Qi s’ i a dáj kund karajfilen?
A thue ti, pse ndolli i rí,
E pse e dí per tê n’ shpí

Rreh nji zemêr plo dashtní,
Ndoshta sod po i dhimbet jeta 220
E rrin mshefët nder shkorre e mbreta?
Nuk âsht mshefë, jo, Kerrn Zagorja,
Kerrn Zagorja—rê mizorja;
por âsht ndeshë aj me Jovanin,
M’ breg t’ Moraçës tue da mejdanin. 225
Desht ky Jovja i’ herë me hikun,
Por per vrap s’ kisht pasë kerrçikun;
Prandaj shokët e lane mbrapa,
T’ cillt po hikshin me t’ mdhaj hapa.
Urra! m’ shpinë, atbotë, si bisha 230
I u lshue Kerrni neper plisha,
Neper plisha e bregut t’ uj” t,
M’ karajfile m’ nja tue e gjujtë,
M’ nja tue e gjuejtë, por veç per ânë:

Gjallë me dorë dote m’ e xânë. 235
Por me dorë nuk xëhej djali,
Pse kisht’ kênë nji sokol mali:
Kisht’ kênë Shkjau, po, me trí zêmra!
Tek e ndiu Kerrnin te th6emra,
E hodh pushken m’ nji ferrmanë, 240
Edhè xuer aj t’ idhtë tagâ’n,
Qi kisht’ fikë mâ se nji nânë;
E t’ u dredhë ka’ i Zagorjani:
Kshtû po mêrr e i thotë Jovani:
Mos trrêjë mendja, or trim i rí, 245
Se e koris Malin e Zi,
Tuj t’ rá n’ dorë si nji baxhí;

Por, n’jé i armve e n’ jé Shqyptár,
E per n’ jé ndopak bujár,
Xír tagâ’n, e n’ kjoftë gjykue, 250
N’ bejleg kryet shkurtoma mue,
Vrik qaj Kerrni na i ndêi gati,
Na i ndi gati edhè i piskati:
Si tagan, si pushkë te giatë,
Jam Shqyptár, e i kam zanát; 255
Edhè cubi i Malit t’Zí
S’ ká per t’ m ‘ msue besë e burrní…
Por, merzitë mbasi t’âsht jeta
Me cubní e me pûnë te shkreta,
A ti ktû ké me marue; 260
Kerrni Gila pse m’ thone mue,
Edhè xuer tagâ’n prej millit:
Ç’ ka flakrue m’at rreze diellit!

E si pushken m’ tokë e uli,
Báll per báll Jovos i duli. 265
–Or Shqyptár, qi tash n’ e vona,
Tuj perbuzun Fé e zakona,
Veç mbas shpine msýn anmikun,
Hec e shifsi dredhë çelikun
Kerrni Gila e njaj Jovani: 270
Shif si dahet, bre, mejdani!
N’ báll t’shoshojt ata si u gjeten,
Kryq taganit i zateten:
E si t’ ishin flakë e agzot,
Lum e lum per t’Madhin Zot! 275
Se ç’ filluene me vringllue,
Si dý rrfé, ehu! tue flakrue.
Shkrepshin shkendija ndaj perpjetë
Porsi m’ kullme prej hekrit t’ xetë,

N’ajr tagânat ka’ u perpiqshin, 280
Kryet shoshojt atà ka’ i ndiqshin.
Djersë e gjak xû me u Kullue;
Por s’ xû asnj6ani me u ligshtue,
Mu ma fort erdh t’u terbue.
Kur varrohet n’ mal nji arí 285
A me pushkë a m’hekur t’ zí,
Jo veç se prej dhimës s’topitet,
Por mâ teper vjen e nzitet,
Edhè msýn, n’ furi t’terbueme,
Me gjak t’ vet armen t’ ritueme: 290
Njashtu atbotë atà dy trima
T’ shpejtë kah dora si vetma,
T’ rrebtë ka’ e sjellmja porsì rrfeja,
Mêrrshin turr me fuqí t’ reja,
Tue terflluem e tue kercnuem, 295

Shkumë e gjak, prej gojës tu’ u shkuem.
Kur i behë, qe, n’ at fushore
Oso Kuka rrfé mizore,
Kah po kthete asajta n’ shpí
Me dy rob edhè me dhí, 300
Qi kisht’ marre prej Malit t’ Zí.
Oson Kerrni tuj e pá
Disi marre atbote i rá
Ke nene s’ kisht’ pré anmikun;
Prandaj çon të prehtë çelikun 305
Edhè e siell me kaq furí,
Qi t’kish ndeshë n’ cub t’ Malit t’ Zí
Fíll per gjysë, tham, kje tu’e pré.
Por jetë – giatë cubi kisht’ lé;
Pse ndermjet tagâ’n i a qiti 310
Me tê deken edhè e priti.

Kur tagânat janë zatetë,
Fort shunglloi Vranina e shkretë.
Edhè u kpu’ n t’ dy per mjedisit,
Si t’ ki’ n kênë dý krande lisit. 315
Jam ndermjet! atbotë Vikati
Oso Kuka edhè u ndêi gati.
U ndêi gati me i shkatrrue,
Pse me dorë kjenë t, u pushtue.
Trima, mjaft pask’ ni luftue: 320
Diku veç nuk ká kênë shkrue.
Zûni Osja atëherë me u thânë,
Dikû shkrue veç nuk ká kânë
Njâni tjetrin dekë me e lânë…
Prá, ti cubi i Malit t’ Zí, 325
Prehi kâmbët e dredho n’ shpí,
E thuej nânës e nuses s’ ré
(Per n’ i paç ti kund n’ at dhé),
Se per s’ dytit sod ké lé.
Jem’ tue t’falë, po, n’ ket ditë t’ sodit 330
Pse, me giasë, qi kênke rodit.

Por ket fjalë shokve m’ u a thuaj:
T’ mos u rrêjë njaj Cari i juej
Se sundon mbi né kurr Nika,
Per pá mbetë Shqypnija m’ çika. 335
Ndoshta t’ dám na jem ‘ nder veti;
Por kû né t’ na lype Mbreti,
Por kû shkjau t’na ngasë n’ vend t’ t’ Parve,
Per ket besë, fara e Shqyptarve
Turk e i kshtênë– êerr vesht, or djalë– 340
Kan me u gjetun krejt me ‘i fjalë…
Kshtû tha Osja. Atbotë Jovani
Njâ as dý mâ nuk i a bani,
Por, si i a lidhen varrët e shtatit,
Rroku pushken e u nis shpatit: 345
Lum! e lum! po, kopilani
Pse i u kput n’ at dite tagani…
U nis shpatit per Cetinë
E Oso kuka per Vraninë,
Per Vraninë, kû kendonte Zâna: 350
Ke bje dielli e ke mêrr hâna

Oso Kukë nuk bân mâ nâna
As n’ Begllerë as n’ Kapidana!

Vranina

Vojti fjala ka cetina:
Vall ç’ po bân mbi Shkijé, Vranina!
Vall ç’ po bân Vranina m’ Shkijé,
Rob tue záne e gjind tue pré:
Tue pré gjind, tue zânë hajduka, 5
Qysh se duel njaj Oso Kuka!
Oso Kuka, i’ burre Shkodranë,
Shoq ne Shkoder, thonë, s’ ká lanë
Per kah besa e kah trimnija,
Qi zanát i ká Shqypnija. 10
Kalashan e sý – pergjakun,
Mje m’ sylah e ka mustakun;

Ushton mali, thonë, kur t’ flase,
Dridhet fusha kah t’ vikase;
E kah t’dredhë të rrebtë tagâ’n, 15
thue se rrfeja shkrepë per ânë:
Kaq vringllim aj shkon tu’ i dhânë!
Edhè e ká nji xheverdare,
Xheverdare pushkë vrastare,
Qi, ke t’laje sýni i njerit, 20
Me tê sý’n i a zier skyferit.
Burrë kaprroç e trim si Zâna,
Thonë me kmishe e bâni nâna;
Edhè, thonë, ká lé drangue,
Pse trí zëmra i kan qillue, 25
E pse i ka trí pupla t’ arta
Per nen krah të armve t’ larta.
Prandaj plumja m’ tê nuk ngulet,
M’ tê tagâni edhè perkulet:
Top me i rá shpierti s’ i shkulet. 30
Ky n’Vranine edhe ká zânë
Me njiqind e nji breshânë
Kú nji fjale e paska thânë:

Se per t’ gjallë rodi i Shqyptarit
S’i bjen n’ dorë kurr Gospodarit.35
Fjala knjazit n’ vesh i ká shkue:
Edhè Knjazi na âsht idhnue,
Na âsht idhnue kur e ká ndí.
Thirrka Krenët e Malit t’ Zí:
Njani arí, tjetri duhí, 40
Të gjith lé sokola malit:
E m’ledinë n”kuvend rreshtue,
Ngerthye vetllat m’ shtek të ballit,
Folë u paska si tue ulurue:
Ká dalë fjala nper Cetinë, 45
Se ‘i Shkodranë ká rá n’Vraninë,
N’at Vraninë, po n’at rranzë suket
Thonë ká rá ‘i farë Oso Kuket.
Kaleshan e Kime-zí,
Gjak e zjarm â aj sýni i tí; 50
Edhè i ká nji pare mustaqe
Kaçarrel e leqe – leqe,
Qi me i mrîjtë mje m’fletë t’ sylahit,
T’ zez e t’ trashë sá llana e krahit.
Ky edhè, thonë, ká lé drangue, 55
Pushkë as top mos m’e shinue,
As tagân mos m’e varrue;
E po thonë se ká zatetë
N’at Vranine me dyqind vetë,
Me dyqind fatosa t’ rí 60

Djelm të zgjedhun n’mal e n’ vrrî
Jo per dok ëe hijeshí,
Por per zêmer e trimní,
Qi e kan pushken tatë e nânë.
Ky edhè ‘i fjaleë paska thânë: 65
Se per t’gjallë rodi i Shqyptarit
S’i bjen n’dorë kurr Gospodarit…
Prap po thonë se ky Oso Kuka
Paska zânun do hajduka:
Do i ká zânë e do i ká pré: 70
S’ lên me rá mâ Shkjá n’at dhé.
Cubat vetë i paçë ndersý,
T’ zezë Vraninen per me msý,
Vrasë e pré mos me i a ndalë,
Veç me Turk si t’nisi fjalë; 75
Pse Moskovi e ká pleqnue
Shqyptarín né me na lshue
M’ Rozafat e m’ Kishë Deçane,
Kû do t’mrrîjë megja serbijane,
Per me u gjetun Cernagora 80
Me Serbí bashkë dora – dora.
Kujtoj keq s’na kishte rá.
Shqypnín tjeter kan me e dá
Bulgarija e ajo Greqija.
Pse, mbasi Shkijét e Ballkanit 85
T’ kanë pushtue tokët e Sulltanit,
E mârrë t’kenë do skele detit
Te kane lidhë besë ndermjet vetit,
Ká m’ i dhânë Shkjenís e mbara,

Ká m’u shtrue ura perpara 90
Dét e m’dét m’u kapë Moskovi;
Ká m’i thye Krajlnive hovi.
Por, qe tash, mbasi ká zânë
N’at Vranine ky burrë Shkodranë,
Nuk po dij se kah t’i a majë: 95
Drue s’ka metë per sod uzdajë
Se i pushtoj tokët e Shqyptarit,
Si e kam pasë fjalen e Carit!
Kshtû tha Knjazi i Malit t’ Zí.
Krenët po rrijshin tue e ndí, 100
Tue e ndi e tue mendue
Se shka Knjazi ish’ tue ligjrue
Per Shqypní e per Shqyptarë.
Kur qe Mirkja, Krenësh se parë,
Po i thotë Knjazit: Gospodár, 105
Fjala e Carit n’udhë s’do lânë,
Pse ka dalë nji burrë Shkodranë
N’at Vraninë, n’at t’zezë krahinë,
N’breg t’Liqênit n’at kodrinë.
Pse, po kje se ky Oso Kuka, 110
Po âsht nji nieri qi e man buka

N’mos e mârrët pushka e kurrkuej,
(Mjaft qi, mjeri, mund t’a gjuej!)
Ká m’e marrë nji pushkë vrastore:
Pushka e babës ltinë mizore, 115
Qi der m’sod mue s’m’ká koritun,
Pse edhè m’turk ajo âsht vaditun…
Veç po e zâm se ket Shkodranë
Gjallë as dekë s’po mûjm m’e zânë,
Me gjithkta nuk do me thânë, 120
Se na s’e pushtojm Shqypnín.
Malazezt te gjith e dín
Se n’Shqypní ká djelm si Zâna,
Qi mâ t, fortë s,po t’i bân nâna.
Me armë n’dorë, si thomë na, lé, 125
Anë e kand permendë mbi dhé
Per trimní, per besë e Fé:
E prandaj p’r i’ dite Shqypnija
S’t’bjen n’dorë, besa, lum Zotnija.
Por me kohë e me dredhí, 130
Me u kapë mundet Mali i Zí

M’ Teqe t’ Krús e m’Kishë Deçane,
Kû do t’mrrîjë megja serbijane.
Pse tue kênë se kan fillue
N’ Shqyptarí sod m’ kâmbë me u vû 135
Muhaxhír e Anadollí,
Gjind t’pá plang edhè t’pá shpí,
Qi nuk dín se shka u kje i pari,
Zot e Mbret per t’cillt âsht ari,
E u lanë m’anesh dyert bujare, 140
Dyert bujare t ‘tokës Shqyptare:
Njata krenë e kapitana,
Bajraktare, trima si Zâna;
T’msuem per Mbret me dhânun jeten,
T’msuem per vend me shkrî atà veten,145
Per ket besë, kallxou kuleten,
Se Shqypnín ké m’e pushtue

Para se t’a keshë mendue.
Prandej zên tash, Gospodár,
Me qitë fitme nder Shqyptarë; 150
Pse me kohë e dhelpëní.
Ké m’ u bâ Krajl mbi Shqypní.
Edhe ndoshta mbi Serbí…
Por na as tash harû spo t’rrím:
Sá ma shpejt n’Vraninë po t’ bím, 155
Me u perpjekë ma at Turk Shkodranë.
Un po t’bie me Cetinjanë,
Cetinjanë nja shtatqind vetë,
Qi per gjâ s’ e bâjn ket jetë:
Si me dekë ashtû me metë. 160
Mandej t’bjerë Gjukovic Pera
Me nja katerqind pushkë tjera,
Katerqind Bijoca t’rí,
Qi janë Ora e Malit t’Zí.
Kam uzdajë se me kto çeta 165
N’sukë t’Vraninës un porsá t’ veta,

Kam me ngulë m’tê Trobojnicen,
Kam m’i a vû Osos kapicen,
N’kjoftë se kryet s’i a pret tagâni,
Si n’Cetinë ka dalun zâni… 170
Pse perndryshej, kam m’i a prû
Kret n’Cetinë, t’ngulun m’nji hû…
Kshtû tha Mirkja, Kapitani.
Ver me gojë kush mâ nuk bani.
Atëherë Knjazi i Malit t’Zí 175
Mêrr e u thotë: Sokola t’mí,
Bini pra, n’Vraninë me ushtrí,
Me sa t’dueni ushtarë te rí;
Por Vraninen m’a pushtoni,
Osos kryet por m’i a shkurtoni. 180
Sá per fitme e per ngatrresa
M’ lêni mue, perse, qe besa,
Me pak pare e tuj gergá,

At e bír un kam me dá:
Jo se mâ bajraqe e fise, 185
Qi, q’se mora mend e shise,
Un t’bashkuem mend nuk i majë…
Oh! po tash mund t’kem’ uzdajë,
Se serbija e Crnagora
Kan me u gjetun dora-dora 190
Me Greqí e me Bullgarí,
Si n’Moskov â bâ pleqní.
Por Vraninen m’a pushtoni!
Osos kryet por m’i a shkurtoni!
Foli Knjazi, e Krenët u ndane, 195
E n’ Vraninë, mbi xhebehâne
Zû me krrokë nji sorrë kob – zâne.
Deh! moj Zânë, pásh njato kroje,
Pásh currilat neper prroje,
Pásh bylbylat e Prandverës 200
E pásh t’amlin fllad te erës
E p’r at voes, qi bje prej qielli
E pásh lulet drandofille,
Deh! m’kallxo a po t’vjen keq,
Se e dau Knjazi sod nder Pleq 205
Trup nji ushtrí n’ Vraninë me çue,

Osos kryet per m’i a shkurtue?
Mue m’u kputshin fletët e krah’e
Mue m’u bâshin prozhmet rrahe,
Mue m’u shuejshin kângë e valle, 210
Kângë e valle edhè zavalle
Mbi njato rudina t’ buta:
Per mjedis mue m’plasët lahuta,
N’paça dhimë a kurrnji grimë,
Pse po i pritet Osos kryet, 215
Pse po i erren të dy sýt:
Krye n’Shqypní mos metët pá u pré,
N’kjoftë se n’shekull aj ká lé,
Per me u vû mbí tê kapica
Me njat shkrolë qi e shkroi Nikica! 220
Por m’lingon mue shpirti e zêmra,
Shtati m’dridhet mje ke thêmra,
Ke po ndiej un kob të rí:
Qi i ká metë sod Malit t’zí,
Per me dá t’mjeren Shqypní, 225
Kû kan lé e kû jânë perkundun,
Prej kah shk” llin e kan tundun
Burri, Leka e Kastrijota,
Para t’cillve shueta bota:

E Shqyptarët porsi t’hutue, 230
Me duer m’i rrín tue shikjue,
Thue se ‘i mend qiella e ká dá,
Rob me ndêjun kta nen Shkjá:
M’i u shtrue knjazit dheu i Shqyptarve,
Shtrêjt fitue me gjak te t’Parve!… 235
Ehú! mallkue kjoftë njaj n’Shqypní,
Kjoftë mallkue, po, a plak a i rí,
Qi per Mbret e per lirí,
S’çohet sod me armë mizore,
S’lidhet sod me besë arbnore, 240
Per ma dhânë mâ para jeten,
Per me shkrí mâ para veten,
Se me rá fisi i Shqyptarit
N’thoj t’pangîshem t’Gospodarit.
Shka? a thue n’kângë se ká me u vû, 245
Se pá pushkë e ndêjë harû
I rá Knjazit n’dorë Shqypnija,
N’zâ kah besa e trimënija?
Jo, per Zotin! Para toka
E perpîftë me male e boka 250
E me lume e fusha t’gjâna:
Per tê dielli u errtë e hâna!…

O zotnít e Shqyptarís,
O ju krenët edhè t’Malcís,
Pashi at Zot e at êmnin t’uej, 255
Mos lakmoni pares s’huej:
Sado vonë me pasë per t’shkue
Mbi djelm t’uej ká me gjikue!
E ju t’cillve i Bukuri i qillve
U ká zgiedhun me i prî nirit 260
Ravës s’amshueme t’ t’ naltë Empirit,
Qi â e lirís e e s’Drejtës pasqyra,
Kinie n’mend: per jú detyra
S’âsht me mjelë veç delet t’ueja,
S’âsht me mkâmbë veç gjûhët e hueja, 265
Por me at Fé, qi kem’ prej qillit,
Por me t’ bardhen dritë t’Unjillit,
Mrendë dashtnín mú a ndezë Shqyptarve
Per kah giûha e vendi i t’ Parve:
Qi Shqypnija t’ jetë e vetit, 270
Qi Shqyptarët t’sherbejn nja’i Mbretit:
Qi per Mbret e troje t’veta

Mos tu dhimbet gjâja as jeta,
Por te desin, si Oso Kuka
Qi âsht tue dekë, ehu! n’ato suka! 275

Deka

Kish t’a díej, ç’ká aj Oso Kuka,
Qi tue shkue s’ âsht sande buka.
S’po i shkon buka as mishi i dashit:
Kot nget tryezës â ndêjë per rrashit,
Tue perdredhë njato mustaqe! 5
Thonë, ká pá nji anderr t, keqe.
Anderr t’keqe, thonë, ká pá
Mbramë, qi shkoi, porsa ká rá.
Ká pá n’ anderr se prej Rjeket
Kênka nisë nji hije deket 10
Ndezun flakë, si flakë lugatit,
Qi, tue hecun fushës e shpatit
E nper kneta e neper zallina,
Fíll po vîte kah Vranina.
Kúr n’ Vraninë ajo ká mrrî, 15
N’ Xhebehâne, paska hî,
Edhè i dhânka zjarrë barotit.
Kur ká dhânun zjarrë barotit,

Ká plasë kulla e ká marrë gjâmë,
Asht dridhë toka per nen kâmë, 20
Ká ushtue Lqêni, mali e lumi,
Edhe Osos po i del gjumi.
Pá ket anderr Oso Kuka,
E prandej nuk po i shkon buka,
S’ po i shkon buka as mishi i dashit, 25
Kot nget tryezës 6a ndêjë per rrashit.
Po, s’han bukë, veç sá me thânë;
I lán duert e del m’njânë ânë,
Per urë voters pshtetë m’nja’n brî,
Tue mendue, duhan tue pî. 30
Sa rrin osja tue mendue,
Bukë djelmnija kan marue;
Çuene tryezat e i pshteten,
Rrokull odës mandej zateten,
Kush tue dhênë, kush tue kuvendë, 35
Kush tue luejtë cic – mic hâne,
Kush tue lye ndo’i çark breshâne:
Nji tagâ’n m’ unuer e mrefe,
Fushekët tjetri m’ vezme i njefë.
Kur zên Osja atje mâ vona: 40
Kqyre at shpatull, Soko Tona,

E na thuej a difton gjâ,
Pse dishka nakel m’ âsht bâ…
Jo, po, shpatlla keq diftote:
Luftë kah maja ajo kallxote, 45
E ka prenda disá vorre,
Tym e gjak neper oborre.
Prandaj Soko erdh e u vrâ
Kah po e kqyrte m’ dritë pá zâ.
Ndoshta shpatlla,tha, s’â gjâ 50
Pse per ndryshej fort ká giasë
Se na luftë kemi me pasë;
Se shum nieri ká me u vrá;
Shum do vorre jam tue i pá…
Por prej luftës Shqyptarët nuk tuten.55
Merr, Kaçel, njihër lahuten
E na thuej nji kângë Shqyptare;
S’májm na zí pá na qitë fare!
Muer lahuten n’dorë Kaçeli,
M’ tê magjarin n’ vend e ngeli 60
E, mbasi per zâ atê ujdisi,
Kesht6u kângës atebotë i a nisi:
Kish’ dalë nji Harap prej deti,
Trim i zí e belagjí

Edhè qitka ‘i porez t’randë: 65
Ka trí bukë pagaçë per shpí,
Shtatë masë vênë per ditë me i pí,
Ka ‘i taroç per mish te zí,
Ka nji dash n’ mjesditë m’i a pjekun,
Ka nji skjap per darkë m’i a repun. 70
Njiqind vetë n’ mejdan ká pré,
Njiqind vithna qiti faret,
Njiqind shpija edhè ká djegun.
Kur vojt rendi n’ Shqyptarí,
Njati Gjergj Elez Alís, 75
Leter t’ vrashtë i paska çue:
Ndiej, ti or Gjergj Elez Alí,
Mbas dý javësh si t’ bjerë kjo leter,
Ti n’ mejdan mue ké me m’ dalun;
Pse tý kullat do t’ i djegi, 80
Mal e vrrî pse do t’ i shkeli,
Dhên e dhí pse do t’ i mjeli,
Pse edhe gruen rob do t’ a mârr!
Letra Gjergjit n’ dorë ká rá;

Edhè Gjergji fort â vrâ, 85
Fort a vrâ kur e ká kndue.
Dý javë vehten e ká majtun,
Bukë prej djerrit aj tue hanger,
Mish taroçit aj tue ngrânun,
Vênë trí vjeçe edhé tue pí: 90
Edhè atin e ká majtun
Tagjí urizit n’ strajcë tue i qitun,
Vênë me pí per ujë tue i dhânun.
Krye dý javësh, mushun dý javë,
Vehten Gjergji e ká provue: 95
Nji lis t’ madh kish’pasë n’ oborr;
Me dý duert Gjergji e ká kapun,
Me gjith tokë edhè e ká shkulun,
Opèt n’ vend edhe e ká ngulun.
Kênka mbathë e kênka veshun: 100
Paska veshun petkat arit,
Paska njeshë shpaten florinit;
Zgithka gjokun pullalí,
I a vên fr6enin treqind pullash,

I a merthen me shtatë kollana, 105
Edhè nânës aj po i bân zâ:
Halláll, nânë, ti me m’ a bâ
Miré e keq, shka kemi folun!
E i ka puthun nânes doren.
Amanet, morì ti loke, 110
N’ kjoftë gjikue me m’ pré Harapi
Lot per mue ti mos me derdhun!
Hajt, mor bir, Zoti te ruejtët,
Se s’ t’ koritë, jo, lokja e jote.
E ká mârre topuzin n’ dorë, 115
E ká hapun mbi shpinë t’ atit,
Edhè â nisun per t’ giatë shpatit,
Tue zbardhë drita prej sabahit
I ká vojtun n’ dere Harapit.
Nadja e mirë, Harap i zí! 120
Nuk ké ngae me ndêjë sod n’ hî,
Por çou e del n’ at fushë t’ mejdanit,
Sod dý javë si m’ ké çue fjalen;
Sod tý kryet due me t’ a pré!
Kur ká pá Harapi i detit 125
N’ derë njat Gjergj Elez Alín,
Shif shka bâni atëherë Harapi:

Lkura buejsh per at ká lidhun.
Asht tutë ati i Gjergj Elezit,
E kah Gjergji paska shkue. 130
Mos u tut, bre zogu i atit:
Gjâja e coftë kurrgjâ s’mund t’bâjë.
I âsht turrë Harapi i zí
E m’topuz m’ tâ edhè ká shtí.
Gjergji kryet por e ká ulun: 135
Permbí krye topuzi i rrshiti.
T’i u drodh Gjergj Elez Alija:
Dalë – kadalë, Harapi i zí!
Se m’ thonë Gjergj Elez Alí.
E m’topuz m’ tâ edhè ká shtí. 140
M’ lug t’ dy krahve i a ká njitun,
Tre pash para m’ dhé e ká ngulun.
Dekun m’ tokë rá atbotë Harapi.
Ká marrë djali edhè ká zdrypun,
I a ka pré ata krye te zí. 145
Hukubet Zoti e kisht’ falun:
Trí pllâmë buzen kishte pasun;
Kisht’ pasë veshin sá ‘i zhgun burrit:
Sá dy vetë me tê me u mlue.
Kur ká ndie Mbret Sylejmani, 150

Paska shkrue m’at derë Stambolle:
Trima ká e trima s’ ká,
Por si ká trima n’ Shqypní
S’i ká Krajli as s’ i ká Mbreti,
S’ i ká toka as s’ i ká deti. 155
Kshtû Kaçeli po këndonte;
Rrokull oda po e vezhgote,
Po e vezhgote tue kendue,
Veç se Osja, trim drangue,
Veshin kângës s’ i a kishte vû: 160
Kânga at natë s’ isht’tue i pelqye;
Prandaj kânga kur u krye,
Zêmra t’ kendoftë! s’i tha Kaçelit,
Veç se thotë, po, Met Zenelit:
Mêrr Vuksanin e Sinanin , 165
Edhè mêrr Kerrn Zagorjanin
Edhè dilni sogje n’ vá;
Pse mjesnatë tash â tuj rá,
E thonë Shkjau se besë nuk ká…
Kshtû tha Osja, e sogjet duelen, 170

Osja e djelmt me fjetë u ulen.
Rá me fjetë, njaj Oso Kuka,
Por s’ po flên jo, Zeliq Gjuka,
Nuk po flên as nuk po kotet:
Nja’i pûnës s’ fortë, me giasë, po i zotet;175
Pse ka herë dikah a nisë,
Me nji strugë per krye mertisë,
Vall, moj Zânë, a din me m’ thânë
Se kû Gjuka don me zânë,
Qi nper terr ká dalë ne vá 180
Thektueshem udhës tue i ra?
Zeliq Gjuka, nji zog shkinet,
Nji zog shkinet prej Vraninet,
Kah Prevlaka kâmbët po i thekë,
Me qat Mirkon per m’u pjekë; 185
Pse qaj Mirkja i Malit t’ Zi
Paska dyndë nji t’ madhe ushtrí
Edhè dashtka, n’nâtë t, pá hânë,
Mrendë n’ Vraninë sande me zânë:
Prandej Gjukos fjalë i çueka 190

Me i prî ushtrís nder ato suka.
Edhè fjalës i nd6ejka Gjuka’,
Pse, pá kndue gjelat e parë,
Aj ne â pjekë m’ Mirkon Serdár,
Na âsht pjekë, po, m’ tê trathtari, 195
Shtrejt pague pse e ka Serdari.
Por nuk dí a â mendue mirë,
Se n’ ushtrí jânë krenat lirë…
Mbasi shêjzet pa’n prendue,
M’ kâmbë ushtrija atbotë u çue, 200
Per me u nisun kah Vranina.
Shtatqind pushkë qi çoi Cetina
E qi Mirkja u kishte prî,
Tokës u nisen ví e ví
Bregut t’ Rjekës s’ Cernojeviqit, 205
Tuj shkue vister mbas Zeliqit;
E ato katerqind pushkët tjera,
Qi u kish’prî Gjukoviq Pera
Rjekës u nisen mbi lundrica
Tuj vozitë kahë Çakavica, 210
Per m’ e msý t’ zezezn Vraninë
N’ báll t’ Lesenders- n’at krahinë.
–Ehù! moj Zânë, pásh të dy sýt,

Shkomi Osos tash te krýet,
Edhè m’vesh atij m’ i thuej, 215
Si nper tokë e si nper ujé
Ká çue Knjazi m’ e rrethue,
Kryet atij per m’i a shkurtue!
Por, n’ daç ndal; pse Osja fjetë
Nuk â, jo, me kater vetë 220
Qi i ká qite aj sogje n’ vá.
Vetë Moskovi atý me zânë,
Pá i a zjerrë gjumin s’ e lânë;
Pse kû ndolli Met Zeneli
Met Zeneli—e Vuksan Gjeli, 225
E aj Sinani — e aj Zagorjani,
Atý fusha ká marrë gjâmë
Atý toka â dridhë nên kâmë!–
Hylli i Dritës atbotë tue lé
Per me i prú dheut shpnesë të ré, 230
Per me i prû s’ mjeres Shqypní,
Ofshè, váj, nji kob të rí,
Kur qe Mirkja ndolli n’ vá,
Po, a thue, sogja s’ e ká pá?…
E ká pá, s’ ká ndêjë tue fjetun; 235
Por ndr prita ká zatetun,

Pushken Shkjaut per m’i a fillue,
Per shêj t’ pushkës si t’ jetë afrue.
N’ujë t’Moraçës tek behë ushtrija,
U zdath Gjuka,–atê e vraftë buka! 240
E vraftë buka si â tue e vrá!
Edhè vaut desht aj me i rá,
Kesh me u kapun m’breg t’ Vraninës,
Me u çilë shtek djelmve t’ Cetinës.
Por kje rrêjtë i biri i shkinës! 245
Perse atý ‘i Kerrni Gile
I ndj gati m’ karajfile,
Tue i a njiteë shi m’lule t’ballit,
Tuj e ftofë shi m” rânë te zallit.
Po, tek qiti i Zagorjani 250
Kuku, majko! Gjuka bâni
E rá dekun pik mâ i pari:
Ashtû raftë gjithmoné tradhtari!
Porsi kur nji burrë gjuetár
T’qese m’ korba, grumbullue n’ arë, 255
E t’ a vrasé ndoj korb te zí,

Çohen korbat per ajrí,
T’ u pshtjellue e t’ u perzi:
Njashtû ushtrija e Malit t’Zí
At herë xûni m’u pshtjellue, 260
Kur pau Gjuken dekun shtrue.
Por, qe, rán prap trí breshâna
Trí breshâna— si trí Zâna,
N’ zí tue veshunprap trí nâna.
Kur njiburrë t’ a zblojë anmikun, 265
E t’ a ketë në dorë çelikun,
E çelikt t’ a ket zêmren,
Edhè plum t’ a kete thêmren,
Qi të dese kû t’ zatese;
Shum gerset atý potera, 270
Shum do nâna atý i thán vera!
Qe edhè Mirkja kur ká pá
Se per báll kisht’ priten n’ vá,
Bini djelm– ushtrís vikati,

Pse i ka ardhë Vraninës sahati! 275
Edhè ushtrija at herë nd6j gati:
Krisi pushka atý batare:
Krisi ltinë xhaverdare,
Krisi dilke edhe breshânë,
Ushtoi L’qêni ânë e m’ ânë. 280
Ah! gajret bre, Met Zeneli,
Ah! qindro, bre, Vuksan Gjeli,
Mos e lsho mori Zagore!
Ngul, Sinan, bre, rê mizore!
Pse me gjasë, ke dridhet suka, 285
Asht tuj ardhë tash Oso Kuka.
Aman ,Zot ! kur Osja mrrîni
Si rê breshni krés s’ njaj vrrini,
Me tridhetë e disá burra,
E zateti neper curra, 290
Se ç’ kje ndezun flakë Vranina!
Atý qiellë mâ nuk u pá,
Atý pushkë mâ nuk u dá;
Njekaq tymi erdh tue e mlue,
Njekaq gjâma erdh tue ushtue! 295
Rrihte ltina edhè dudumja;
Porsi breshni vîte plumja:

Jitshin gjindja neper kneta,
Neper kneta— e neper mreta
Tue rektue per nâna t’ veta! 300
–Eni e shifni oj nâna t’ shkreta,
Eni e shifni ‘i herë n’ at vá
Djelmt e rí, qi atý u kan rá!…
Po, a dro, ‘imend, mori ju shkina,
I rritët djelmt ju kah Cetina 305
Per me u mbetun ke Vranina?
Per me u mbetë nen armë t’Shqyptarit,
Vec prej llokmes s’ Gospodarit?…
Kjani, at herë! s’ kam dertin t’ uej,
Por,ke ata kan n’ mjet nji ujë, 310
E ke n’ báll kan disá curra
E nper curra– disá burra,
Qi per Mbret e troje t’ veta
Nuk u dhimbet gjâja as jeta,
Fort po drue se sod n’ at vá 315
Shum mâ zí kini per t’ pá…
Tue krisë pushka pá i a dá,
Tue korrë deka krena m’ Shkjá,
Thue se shendritshin n’ qiellë dy diella
N’ ânë prej t’ Limit u kuq qiella. 320

E kuqë ishte edhe moraça!
E agoi drita. Neper kllaça
Kur pau Mirkja djelmt sharrue,
Me marrë fryme t’ cillt ki’n harrue,
Aman, Zot, se ç’ u terbue! 325
Oren xuer aj t’ Karadakut,
Xuer taga’n t’ dryshkun prej gjakut,
E tue brite porsi arí:
Mrendë, sokola t’ Malit t’ Zí!
I rá vaut porsi duhija 330
E mbas si të gjith ushtrija.
Ah, kadalë, bre, zogu i shkinës,
Krisi Osja n’ curr t’ Vranines,
Se ké dalun n’ vá t’ pa vá,
Se n’ log Zânash jé tue rá! 335
Edhè m’ kambë atbotë u çue,
Me tagan në dorë shterngue,
Fíll e m’ ta urysh tue shkue:
Porsi ulâ, qi t’ shofë anmikun
Se kah stroflli i ndên kerçikun. 340
Ehù! moj Zânë, po t’ishin ndeshun
Ata burra te kerleshun,
Qi mâ t’ fortë nuk i bân shkina,

Qi mâ t’ rrebtë s’ i bân turkina,
Ndoshta zot ndrrue s’ kish’ Vranina: 345
Por n’ qiellë ndryshej kndote shkrola!
Pse, pá u ndeshun kta sokola,
Briti t’ madhe Prengë Mar’ Kola:
Dredho, Oso, n’ Xhebehane,
Se na rá Shkjau pre’ asajë âne! 350
Me i rá tinzi ‘i uk nder berre,
Kah t’ u prîjë nper male e djerre,
S’dredhë mâ shpejt, jo, nji barí
Kah anmiku t’ ket ndí,
Si m’ atbotë drodh Oso Kuka, 355
Tuj u njitë perpjetë kah suka.
Kjani, kjani oj Zâna, kjani
N’ ato maje, kû ju hani,
N’ ato kroje, kû ju pini,
N’ ato hije, kû ju rrini, 360
N’ ato valle, kû vallzoni,
Kjani e lott mos i pushoni,
Perse tash, ehù! n’ata curra
Kan me mbetë ehù! njata burra,
Me aq kujdes qi i kini rritun, 365
N’ armë e n’ luftë qi i patit vaditun:
Qi edhè vete i kini msue

Me msý anmikun pa u frigue,
Paáu frigue, po, me msý anmikun,
Nja m’ dhete vet me i bâ me hikun, 370
Mos me e lujtë p’r ‘izet kerçikun!
Por shka t’ bâjn sod s’ jane tuj pasun:
Per gjith ânësh shkjau u â rrasun.
S’kan shka bâjn? po, a thue, mund t’desin?
T’ desin, prá, nuk kan shka presin; 375
T’ desin, po, si u kan dekë t” Parët
E t’ a marrin vesht Shqyptarët,
Se â mâ mirë nen dhé me u kjá,
Se per t’ gjallë me ndêjë nen Shkjá…
Po, le t’ desin – s’kan shka presin, 380
Pse, qe, Mirkja tash duel n’ vá,
Kah Lesendra edh’ â tuj rá
Tinzë, neper mal, Gjukoviq Pera
Me Bioca t’ letë si era;
E janë çue Shkijét e Vraninës 385
E janë bâ me ushtrí t’Cetinës,
Per me marrë sod Oso Kuken,
Qi me ta ka pase da buken,
Qi u ká rujtun mal e vrrí
Qi u ká mprujtun erz e shpí: 390

Por, s’din Shkjau me mbajtë miqsí!
Aman,Zot, kur duel Serdari,
Se ç’ kje ndezë Vranina zhari!
Aman Zot, kur mrrîni Pera,
Se shum krisi atbotë potera! 395
Por kur rán Shkijét e Vraninës
Shum u krisi plumja shpinës!
Porsi shé, qi m’ nji natë gjâmet
Rritet turr e del prej âmet
Tuj ushtue– e tue shkumue, 400
Shkaperderdhet nper zallina,
ashtû u derdh Shkjau te vranina,
N ‘ valë Shqyptarët krejt tue i pershî.
S’lufton ndryshe e rrebtë kulshetra
E me dhâmbë edhè me kthetra, 405
Zjarm e surfull tue flakrue,
Kur drangojt t’ a kenë rrethue;
Si i qendron sod Shkjaut Shqyptari
Per dhé t’ amel, qi i la i Pari:
Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá, 410

Tue korrë krena neper Shkjá.
U janë ndezun flakë breshânat,
U kullojn gjak n’ dorë tagânat,
E u kullojn gjak edhè zêmra,
Veç se vendit s’ u lot thêmra. 415
Por ç’ dobí: dielli tue lé
Isht’ tue lé m’ at ditë per Shkjé!
I rán ndore Shkjaut t’ terbuem
Tridhetë t’ vrám e dhetë t’ shituem!…
O ata t’ lumt, qi dhane jeten, 420
O ata t’ lumt, qi shkrîne veten,
Qi per Mberet e vend të t’ Parve,
Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve
Derdhen gjakun tuj luftue,
Porsi t’ Parët u pa’ n punue! 425
Letë u kjoftë mbí vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Aklli, bora e serotina:
E dér t’ kndoje n’ mal ndo i Zânë,

E dér t’ ketë n’ dét ujë e rânë, 430
Dér sá t’ shndrisin diell e hânë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’ kângë e n’ valle por u kendojshin.
E njaj gjak, qi kan dikue,
Bân, o Zot, qi t’ jesë tue vlue 435
Per m’ i a xé zêmren Shqyptarit,
Per kah vendi e gjûha e t’ Parit!
–Po váll! Osja kû do t’ jetë?
Oso Kuka a mos ká mbetë?
N’ Xhebehane ká zatetë! 440
Ká zatetë n’ at kullë t’ barotit,
Kû ká bâ êmnin e Zotit,
Se per t’ gjallë nuk ká m’ e lshue,
Shokët e vet per pa i pague
Tridhetë t’ vrám e dhetë t’ shitue. 445
Kur pau Shkjau se pushka mêni
Si kah vau, si kah Liqêni,
E se mbetë s’ kisht’ Oso Kuka
Me tjerë t’ vrám, perjashtë ke suka,
M’ Xhebehane u turr m’ at hera, 450
Si, kur t’ lshoje kah Prandvera,
Vrullet bleta çark njaj zgjonit,
Tue zukatë si rryma e prronit.

N’brohorí tue i lutë jete Knjazit
Njiqind vetë kcyen m’ kulm t’pullazit, 455
Mâ t’ permendun kah trimnija,
Njaq u njiten mbi frangia,
Tue thye muret n’gjak t’ perlyeme:
–Por ká gioben shpija e thyeme!–
Krisi Osja atbotë si ulâni, 460
Mje m’Cetinë i vojti zâni:
Ah kadalë, Nikollë, t’ vraftë Zoti!
Pse ktû i thone Oso barotí:
Se s’ ké pa Shqyptár me sý,
Se djegë vehten edhè tý! 465
Edhè zjarrë i dha barotit.
Aman, falë i kjoshim Zotit,
Kur ká dhanun zjarrë barotit,
Se ç’ â dridhë Vranina e shkretë!
Se ç’ â hjedhë kulla perpjetë! 470
Se edhe L’qêni ç’ ká gjimue
M’ kalá t’ Shkoders tuj ushtue!
Qepra, tjeglla, gur e trena:
Kembë e trupen, krahë e krena,
Hî e tym e flakë e shkndija, 475
Shi mje m’ Viri i hodh duhija;

I hodh duhmja shi m’breg t’ Virit
Qepra, gur e gjymtyrë nirit.
Eni,eni,mori Shkina,
Eni,eni te Vranina, 480
Mblidhni vetë nper shpat e prrue
Ehú! Kortarët e djelmve t’ue;
Edhè msoni fmín mbas sotit
Mos t’ lakmojn tokës s’ Kastriotit,
Pse u bjen shtrêjt, qe besa e Zotit! 485
Njasi gjakut qi Oso Kuka
Sod ká derdhun ke ato suka,
Si per Mbret, si per dhé t’ t’ Parve
Vlon se nder dej t’ Shqyptarve.
Prá, pa u djegun n’ flakë t’ agzoit 490

Si Oso Kuka n’ kullë t’ barotit,
S’ ká me rá fisi i Shqyptarit
N’thoj t’pangîshem t’ Gospodarit!–
—Dielli n’ cila kur u çue,
N’ Vraninë s’ parit u zhvillue 495
Trobojnica—-kjoftë mallkue!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...