A mundet Shkodra me u përtri prej humusit t’vet?N!

Nga Albert Vataj

Shkodra, ka kenë, asht dhe ka me mbetë nji prej qyteteve ma t’randsishme, pavarsisht lëkundjeve të thekme transformuese të kohmbaskohshme. Asht e gjithpranueme dhe gjithmondëshmueme se

ky qytet ka luejtun nji rol përcaktues në fatin e Shqipnisë. Tash qi shndrrimet janë njaq t’themelta dhe ernat njaq t’fuqishme, kanë ba t’mujtun mjaft lëvizje dhe zhvendosje, kapacitetesh dhe mundsish, e megjithatë Shkodra sërish ndihet nji “zonjë e randë”, e hijshme dhe e hyjshme n’truellin

qi vet zafillja i ka ba vend. Sado shkodranë qi e kanë braktisë qytetin dhe s’bashku me të i kanë kthye shpinën mundësisë me kenë vazhdues të njasaj udhe shkëlqimtare, të njatij urdhnimi t’shenjtë, me hyjnizue tançka me vullnesën e shpirtit dhe amën e të bukurës, prap ajo jeton dhe dhe përtrin kreninë, sërish mbi bedena të saj valëvin flamuri i betejave sfiduese. Anipse shumçka s’ka mujtë me ken si ma parë,

gjithçmos asht ba ndryshues i ngulmët dhe deridiku shterrues i kapaciteteve përtrise, rishtaz ky truell guxon me besue dhe e tue u ndi n’borxh ban çmos me e ushqye me tharmin e njatij shpirti gufues krahnoresh.

Prolog

Tash qi përmbas kanë mbetë vite e njiherash me ta fort ndryshesa t’hovshme, m’kanda qi tue u rikthye, me u përpjekë me ba diçka rreth asaj se ç’ka ishte, ç’ka mundi me kenë dhe ç’ka asht sod Shkodra, me mujtë me e përshkue kallzimin tem tue u ballafaqë me ate, se çfarë asht përpjekë dhe ç’ka ka mujtë me u përmbushë prej tan atyne mendjeve dhe vullneteve, zemrave dhe përjetimeve.

Unë i përkas gjeneratës vërshuese të viteve ’90, t’shekullit t’shkuem, atyne andërrtarve qi besuen te mundësia e përtrimjes së Shkodrës, krenarisë së hirshme të kësaj madhështie qi gjithnji ka kenë nji shtysë e fuqishme me u hov përpara.

“Shkodra mundet me u përtri prej humusit t’vet…”, – asht kjo shprehje qi nji emën i atyne përpjekjeve t’asokohshme, Shpëtim Kelmendi, ma tha n’nji nga ndejet mramjeve shkëlqimtare t’këtij qyteti.

Shkodra si kryeqendër ku kanë bulue t’para dëshmime të ngadhnjimeve kulturale, patriotike dhe historike, Shkodra si qytet ku u lindën për me u shndërrue n’yje t’përgjithmonshëm ndritës së krenarisë së këtij testamenti qytetnimi dhe gufimi promovues, Shkodra po e thërret gjakun e vet.

Prej saj nji zà kushtrues gjimon tue lypë ç’ka mundet me dhanë sekush qi e ndin n’zemre borxhin e pashlyem. Ai humus i paluem në kohpaskohjen e periudhave të ndryshme po kërkonte mbimjen e njatij filizi qi ka me lshue shtat e ka me xan vendin e vet, bash njaty ku kryqëzohen stuhitë, ky shkulmon vullkani, ku marazi e hidhnimi lypin flì e ku krenia dhe zani gjithkahrrok, asht Shkodër.

Ishin fillimvitet ’90, kohë kur n’pamjen e përgjithshme n’Shkodër nuk ndodhte diçka qi me mujtë me e ndezë shandanin e krenisë. Mizerja dhe kaosi, vulgu dhe banaliteti, antishteti dhe antikanuni, ndesheshin si desh mitikë tue lyp territor frike e tue gllabërue t’atëhershmen e kujtesës ngjethëse. Gjithqysh Shkodra s’ka pranue me kenë pjesë e asgjasë në gjithçkanë e mëtuese të njasaj qi ka mëkue si frymë shndërrimi, si nevojë e proceseve zhvilluese. Gjithherë ka pasë emna dhe personalitete, kontribute dhe veprues, t’cilët me punën dhe veprimtarinë e tyne krijuese, kanë mujtë me ba njaq sa mos me e lanë me u shue zjarrmi i shpirtit të këtij qyteti, të këtij përcaktimi gjeografik dhe shpirtnor kungues vlerash t’epërme dhe mëtimesh krijuese t’afta me kenë konkuruse gjithkah përballen vlerat dhe lypin sprova sfiduese format shprehëse estetike.

Kah po ziente…

Teatri “Migjeni”, Radio “Shkodra”, “Jeta e Re” e plot vatra të sprovës dëshirdhanse u përpjekën n’kushtet e pamundësisë me ba diçka, e cila me mujtë me kenë vazhduese e atij emni t’madh, “Shkodra djepi i kulturës”. Funddekada e nji t’shkueme ku diktatura zvarritej në agoninë e vet, i gjen bijtë e Shkodrës tue ba çmos ma shumë se n’politikë, n’kulturë me ba diçka qi mundet me mbetë nji zà n’erën e re të ndryshimeve. Kapërcyelli politik e gjen Shkodrën e njasaj kohe nji qytet qi kurrë s’ka pranue me e lshue vedin në mëshirën e përuljes, zvarritjes dhe nënshtrimit.

Asokohe kur gjithkah Shqipnia ziente politikisht dhe Shkodra gjithashtu mujti me kenë nismëtare e këtyne ndryshimeve, kujtojmë këtu demonstratën e parë antikomuniste dhe rrëzimin e torsit të Stalinit n’qendër t’qytetit, më 14 janar 1990. Prej këtu pishtari i demokracisë u çue kah kishte nis me u farkëtue era e demokracisë. I madh e vogël u banë pjesë e atij vërshimi, sekush dha prej vedit pjesë së asaj qi po transformohej.

Ndërsa tançka ziente, në auditoret e dijes së qytetit, në kafe “Lux”, te “Oaz” gatitej landa e atij shpërthimi, mbruhej brumi i njasaj buke, hidhej fara e njasaj bime, Shkodra e vlerave ma t’nalta promovuese po përtrihej. Flitej për poezinë dhe pikturën, jetohej për muzikën dhe teatrin, debatohej për autorë dhe rryma, diqysh nji botë tjetër

jetonte përmbi shtresëzimin vërshues politik dhe erëna të garrametshme që kishin ngërthye gjithçka e lypnin trazim sekund. Gjakmarrja gati çdo ditë shuente etjen e vet mitike, tue u përpjekë me e trazue kët melodi që kishte nis me endë hymnin e rilindjes së qytetit. Çdo ditë e ma shumë, emna dhe personalitete të krijimtarisë dhe veprimit artistik i shtoheshin këtij karvani qi rendtte nën nji atmosferë të mjegullt.

Çka asht zàfillje mundet me kenë vazhdim. Prej këtu lyp me nisë me shfletue fjalorin emnor të krenisë së Shkodrës, kësaj kryeqendre, jo vetëm kulturore por edhe ekonomike, shtetkrijuese e ligjzbatuese, por edhe atdhedashunie e trimnie, si tue dashtë me bashku dy skajet e atij filli me përvijue.

Yjet qi përcaktuen konstelacionin e fatit të qytetit

Cekim në kët pelegrinazh apostujsh të shkodranëve të mëdhenj, atyne qi gjithçka qi kishim ma t’mirën e tyne e lanë për emnin e mirë të qytetit ku lindën, qytet t’cilin kudo qi shkuen e morën me vedi, tue çu ma nalt e tue e lanë dorzanë brezave. Kët parakalim hyjnuer po due me e nis me humanistët e mëdhenj, Marin Barleti, Marin Biçikemi, Gjon e Pal Gazulli, për me vijue me figurat e shqueme patriotike;

Hams Kazazi, Dasho Shkreli, Oso Kuka, Hodo e Isuf Sokoli, Zef Jubani, Jusuf Uruçi, Filip Çeka, Luigj Gurakuqi, etj; e me vazhdue me historiografët: Frang Bardhi, Pashko Vasa, Tef Curani, Ndoc Nikaj, Nikoll Ivanaj, Nesuf Dizdari, Atanas Gegaj, Marin Sirdani, Zija Shkodra, Gazmend Shpuza, etj., etj.

Kët vargan krenues e ndjekim me gjuhtarët: Ndre Mjedja, Mati Logoreci, Justin Rrota, Kolec Topalli, Bahri Beci, Jup Kastrati, Kol Ashta, Rrok Zojzi, Martin Camaj, etj. Për me viju me shkrimtarët: Gjergj Fishta, Filip Shiroka, Hil Mosi, Risto Siliqi, Migjeni, Ernest Koliqi, Vinçens Prennushi, Gaspër Pali, Kol Mirdita, Zef Harapi, Ndre Zadeja, Andrea Skanjeti, Fadil Kraja, Skënder Drini, etj. Në vazhdim ekonomistët: Zef Jubani, Rrok Gera Gaspër Guga, Luigj Gurakuqi, Zija Shkodra, Gaspër Ljarja – kimist; Shkodra e muzikës ka ndër emnat ma të ndritun të saj, Palok Kurti, Martin Gjoka, Mikel Koliqi, Prenk Jakova, Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, Pjetër Dungu, Gapër Çurçija, Frederik Shiroka Doktor, Tonin Zadeja muzikant. Për me zgjatue në kët parakalim krenues me helenistët, latinistët, orjentalistët, përkthyesit dhe eruditët, Franc Allkej, Pashko Geci, Henrik Lacaj, Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Willy Kamsi, Nikolle Dakaj, Jonuz Tafili, Tahir Dizdari, Daut Boriçi, Hamdi Bushati, etj.

Kët emnore e vijojmë piktorë, skulptorë e mjeshtra të mëdhenj të skenës: Ndoc Martini, Kol Idromeno, Simon Rrota, Pjerin Sheldija, Vladimir Jani, Lin Delija, Ismail Lulani, Danish Jukniu, Gjovalin Paci, Gjergj Pali, Mensur Gushta, Gjergj Spathari, Pjerin Kolnikaj; apo Loro Kovaçi, Marije Logoreci, Pjetër Gjoka, Marije Kraja, Luçije Miloti, Lukë Kaçaj, Naile Hoxha, Shyqyri Alushi, Xhevdet Hafizi, Tonin Tërshana, Nikolin Gjergji, Justina Aliaj, Tinka Kurti, Bep Shiroka, Ndrek Prela, Ndrek Luca,

Ndrek Shkjezi, Andrea Skanjeti, Adem Kastrati, Antoneta Fishta, Ndrekë Prela, Çezarina Çiftja, Ndoc Deda, Paulin Lacaj, Vitore Ujka, Tef Krroqi, Pjetër Deda, Ejëll Gjusi, Lec Prendi, Çesk Vuksani, Qazim Lila, Lin Gjonej, Gjovalin Çarkaxhia, Cin Lufi, Mark Bushati, Muhamet Ulqinaku, Halim Kali, Zef Maka, Zef Mirashi, Marie Buçi, Ndoc Harapi, Rrok Sheldia, Domenika Veli, Violeta Pali, Diamanta Pema, Ndoc Çikliqi, Rrok Ashta, Rrok Sheldia, Shyqyri Bakalli, Çesk Vuksani, Gjovalin Vjerdha, Ndoc Çikliqi, Kolec Tafrruku, Julka Kakarriqi, Veronika Prela, Domenika Veli, Rrok Sheldia,

Rrok Dajçi, Ferdinand Bushati, Gjovalin Çarkaxhia, Gjina Paskali, Paulin Preka, Ana Ujka, Rrok Ashta, Lec Fishta, Franc Ashiku, Çesk Vuksani, Tonin Miloti, Jonuz Dini, Ton Shoshi, Frano Gjelaj, Ludovik Pepa, Hasan Smaja, Tano Banushi, Paulin Preka, Adem Kastrati, Prekë Lëkunda, Lec Ndreka, Pistol Soja, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Frederik Ndoci, Bujar Qamili, Zef Deda, Serafin Fanko, Bardh Smaja, Katerina Biga, Paulin Selimi, Rita Gjeka, Merita Smaja, Alfred Çapaliku, Sadik Spahia, Agim Kadillari, Merita Selimi, Gëzim Kruja, Gjosho Vasia, Besnik Cinari, etj, etj.

Kur flet për emnat qi e çuen Shkodrën në kreshtën e krenarisë jo vetëm shqiptare, s’mundesh pa përfshi në kët yjësi edhe sportistët, t’cillët me përpjekjen e tyne lanë gjurmë të pashlyme në kujtesën e kohnave dhe në testamentin e visareve të qytetit. Ata janë njaq shumë, por ne mundena me veçue ma të shndritshmit e tyne: Loro Boriçi, Muhamet Dibra, Xhevdet Shaqiri, Ibrahim e Feti Dizdari, Renato Radoja, Ali Bushati, Faruk Kalleshi, Lin Shllaku, Ramazan Rragami, Mehdi Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Astrit Hafizi, Vera Bregu, etj.

Edhe fotografia asht nji ndalesë e patëdytë e shenjimit të këtij qyteti në listimin e qytetnimeve të kohnave. Ajo, fotografi, behu maspariherë në Shkodër, për me mbetë atëditë e sot nji pasuni e paçmim dhe nji frymëzim për gjeneratat. Kjo piketë u vendos jo aq nga emna të përvetshëm se sa nga dinasti të fotografisë, e cila fillon me Marubin, për me vijue me ato Pici, Jakova, Kodheli, Nënshati, etj.

Shtypshkrimi, era e re e dëshmimit

Dhe vjen shtypshkrimi, njaj za qi tue shumfish në letër emna dhe kontribute, kushtrime dhe kumtime, ngulmime e ngadhnjime, bani at qi njaq shumë dishkrum, i’a ndali gojdhanave të breznive dëshmimin e historisë dhe tana formave të tjera shprehëse dhe komunikimi estetik e shpirtnor, për me ia besue letrës, për me ju lan dorzan penave dhe punës së palodhun të qëmtuesve dhe endsave.

Saora erdhi në jetë e drejta jonë legjitime me pas tekstin shqip; t’shkruem, t’shtypun e t’shumfishuem, siç dhe vendet e tjera t’qytetnime e kishin. Mujti kjo ligjësi e komunikimit me i dhanë krahë e liri çdo force dhe gufimi, çdo andrre dhe andje, e me e lëshu fjalën dhe mendimin tonë, kangën dhe kujën, shëlbimin dhe shpirtin, vërshimeve e me përpjekë me simotrat e veta t’kohës, si në nji përballje detyruese dhe dëshmuese, me kenë e me mbetë nji shkulm hovi, nji buçitje e potershme n’veshtë e njerzisë.

E kush tjetër do mujte asokohe me i vu gjoksin këtij tërbimi t’garrametshëm të nevojës për me i’u dhanë zanit, etjes zhuritëse me folë e me shkrue shqip, veç klerikëve. Asht shtypshkronja e Jezuitëve, ku sipas studiuesit e gjuhëtarit Hamdi Bushati, e cila që nga viti 1871, e deri në 1938, ka shtypun 411 tituj. Mbas kësaj u hapën edhe të tjera si “At Gjergj Fishta”, apo e Françeskanëve. E kështu nis me hecë me kambtë e veta, anipse në nji tokë të ashpër, libri, shkrimi shqip, zani i zgjuem i kohëve,

kallzimi i traditave dhe dokeve, miteve dhe legjendave, pa lanë mënjan prumjen n’shqip të kryeveprave t’letërsisë botnore. Edhe përkthimi qi ka pasë dishepujt e saj fort të zellshëm, lypi dhe gjeti vendin e vet t’nderuem, duke u ba dëshirim dhe filozofi t’jetuemit, edukim dhe dije e brezave, andje e patjetërsueshme dhe e përgjithmonshme e t’ushqymit më kët dritë.

Shërbestarët e Zotit dhe Shkodrës

Nji rol t’themeltë t’shenjimit të Shkodrës në hartën e pretendimeve për me kenë e me mbetë nji zà i randësishëm kultural dhe dijetues, ka dhanë kleri, tue u nis me at katolik “…më 1861, Françeskanët themeluen seminarin e tyne, në t’cillin mësohej edhe gjuha shqipe. Më 1877, Jezuitët themeluen n’Shkodër nji tjetër qendër me influencë për arsimin e naltë, Kolegja e Shën Françesk Saverit, i cili pajiste me arsim teknik

e tregtar rreth 400 studentë. Nji risi shkencore në Kolegjin e Saverit ishte Observatori Meteorologjik, i themeluem aty kah viti 1888, si i pari Observator astronomik në Ballkan. Ai vazhdoi shërbimet e tij t’vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua për t’u shkatërrue gjithçka nga regjimi komunist. Më 1878, motrat stigmatine themeluen shkollën femnore Françeskane për 200 vajza. N’at kohë njoftohej se kishte 21 shkolla fillore të tjera shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyne në Durrës dhe qytete tjera Veriore. Secila prej tyne kishte rreth 30 nxanës, përveç asaj të Prizrenit që kishte 80…”. Kësisoj t’gjallët e kësaj kryeqendre lypte me kenë nji kontribut vlerash, nji shtysë e hovshme kah nevoja e këtij qyteti e tan Shqipnisë për me lypë ndër rranjtë e veta njat vullnes t’bekueme gjallimi e përjetsimi, jo aq të emnit dhe poterës, se sa të veprës si gurthemel i njasaj ngrehine ku naltohet e i bahet zap zotnimeve.

Libri nji andje e andrrës

Tue rrëmue nëpër njat të drejtë me u ndie krenar dhe me e lshue ma thellë parmendën e detyresës qi jehon prej kohnave qi shkreptitën zà drite, ndalena te libri, te historia e njatij testamenti shpirtnor qi ka gjetë n’Shkodër njaq vend sa ç’mujtën me i lshue kryeqendra t’qytetnimit botnor.

Shkodra shquhet për traditën e bibliotekave, e cilla asht shumë e hershme, madje fillesat e saj shkojnë qysh prej periudhës ilire. Nji shqiptaro-kroat i njoftun me emnin, Aleksandër Stipçeviç, në “Historinë e librit” shënon se në Iliri ka pasë 72 biblioteka dhe disa syresh kanë kenë edhe n’Shkodër. Nga ana tjetër, në veprën e Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës”, thuhet se ka pasë anale të shkrueme në gjuhën e popullit. Sipas të dhanave të Daniele Farlatit në “Illyricum Sacrum”, “qendra të randsishme të administratës e kulturës me arkiva e biblioteka të famshme kanë kenë arqipeshkvitë e Durrësit, Tivarit, Shkodrës e Shkupit”. Madje Shkodra njihet edhe si bërthama e parë e bibliotekave publike në Shqipni. Në vitin 1917, u hap e para bibliotekë shtetnore, e cilla mori emnin Biblioteka e “Komisisë letrare”, e cila u drejtue nga Hilë Mosi.

Me krijimin e shteti shqiptar, banorët e Shkodrës ia falën kët bibliotekë Tiranës dhe në 28 nëntor 1922, u krijua Biblioteka Kombëtare me nji fond prej 6 mijë librash. Simbas rendit kronologjik bibliotekat e Shkodrës i përkasin periudhës 1683, Biblioteka Bogdani, 1750, Biblioteka e Myftiut të Tabakëve apo Këllyçit, e cila fatkeqësisht nuk ekziston ma, sepse u dogj… ka kenë shumë e pasun me dorëshkrime në gjuhën orientale dhe ka rrokë gjithnji vëmendjen e studiuesve të huej;

më 1834 biblioteka e Vakëfit, më 1858 biblioteka e Etënve Jezuitë, më 1875 biblioteka e Françeskanëve, më 1899 e Shoqnisë “Bashkimi”, 1901 e Shoqnisë “Agimi”, 1911 e Klubit “Gjuha jonë”, në vitin 1917 e “Komisisë letrare”, 1919 e Shoqnisë Vllaznia. E tash “Marin Barleti” nji vazhduese e kësaj tradite, në t’cillen ruhen vlera fort t’çmueme dhe përcillen dëshmì e vullnesa, t’cillat gjejnë dëshirim e zell me i promovue dhe përfaqësue çdo zà dëshmues dhe çdo vezullim shpirtnor dhe estetik krijues.

Muzika lyp me kenë ndër krenuese ma krenarja

Shkodra asht kenë, ka vijue, asht dhe ka me mbetë tanaheret nji za këndues. T’drejtat e saj me lyp rol kryesor jan njaq legjitime sa dhe t’meritueme, kjo jo vetëm se i dedikohet asaj kreshtat ma t’nalta t’përfaqësimit shqiptar në kët gjini t’kumtimit estetik, porse asht ajo qi t’cilës i lypin hallall emna gjenish të muzikës.

Krijimi i bandës së parë daton më 1870 dhe drejtues i parë i saj ka kenë, Giovanni Canale, e mandej, nxanësi Palokë Kurti, i cili shquhej për ndjenjat e nji artisti popullor e atdhetar i flaktë. Ma vonë mësohet të ket ardhë në jetë banda muzikore e Frano Ndojës. Më 1901, zen fill formacioni i bandës muzikore të artizanatit, që u krijue fill mbas shpërndamjes së bandës së parë qytetëse. Pjesëmarrësit e saj ishin gjithsej 50 instrumentistë, t’cillët i drejtonte mjeshtri Palokë Kurti. Instrumentistët ishin nxanës zanatçinj të profesioneve të ndryshme. Banda pati jetë deri më 1911, kohë kur ajo u shpërnda. Ndër formacionet qi fituen popullaritet n’Shkodër qe edhe banda e shkollës “Plotore e Parrucës”, nën drejtimin e mjeshtrit Sulë Liçaj.

Nën shembullin e Shkollës së Parrucës, u formue edhe fanfara e konviktit të “Maleve Tona”, veprimtaria e së cillës daton më 1931, me drejtues Zef Kurtin, me përbamjen e 20 instrumentistave. Më 1971, pak kohe pas krijimit të shkollës së mesme artistike “Prêng Jakova” krijohet edhe orkestra frymore e shkollës, e cilla vazhdon edhe sot veprimtarinë e saj, gjithashtu edhe banda e qytetit.

Muzika e qytetit ndryshon nga ajo e fshatit, por t’dyja gëzojnë popullaritet n’Shkodër. Muzika e veriut asht nji kombinim i rafinuem i romantizmit dhe me nëntinguj të sofistikuem orientalë dhe nji zhdërvjelltësi në maxhor e minor. Ka nji ngjashmëni me sevdalinkën e Bosnjës dhe me Sanxhakun fqinj, por ndryshon prej tyne ngase ruen cilësi tipike shqiptare në rrjedhshmëninë karakteristike të ritmit dhe tempos. Përshkrimet e para të ktyne grupeve muzikore, qi datojnë kah fundi i shekullit XIX, dëshmojnë për përdorimin e violinës, klarinetës, sezit, dhe disa stile indiane. Të mëdhenjtë, Lec Kurti, Prêng Jakova, Çesk Zadeja,

Pjetër Gaci, Tish Daija luejtën nji rol qendror si udhrrëfyesa për kompozitorët e Shqipnisë. Sot, fizarmonika dhe kitarra kanë zavendësue instrumentet ekzotike. Ndër përfaqësuesit ma të mdhaj të muzikës (kangës) shkodrane janë Ludovik Ndoj Gjergji, Luçie Miloti, Xhevdet Hafizi, Marie Kraja, Tonin Tërshana, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Frederik Ndoci, Bujar Qamili, e zgjaton e zgjaton kjo listë njaq shumë, si tue dashtë me kallxue se, prej t’tan “zejeve”, kanga asht njaq e pranishme dhe e gjithkundndodhshme, thue se n’Shkodër din me ba shum’ gjana tue mos lanë mënjan t’këndumin, jo si argëtim, po si frymmarrje.

Nji shkreptim zjarrmtare vlerash

Ndërsa i njitena kreshtës së njasaj qi Shkodra ka dhanë e nisun prejkëtu mbetet hyzdajë me përshkue ma përtej, shfletojmë nji faqe qi mbetet diftuese e trokut të djepit të kulturës shqipkunguese. Asht fjala për lëvizjen teatrore, qi Shkodra ka pasë nji traditë të pasun, t’lakmueshme e rrezatuese. Kështu, në hapësinën kohore, deri në themelimin e teatrit profesionist, lindën dhe shfaqën portretin e tyne artistik shumë shoqni, si:

“Shkolla Fretnore” (1861), Kolegji Saverian (1905) me grupet debutuese: “Seminari papnuer”, “Kongregacioni i Zonjës Nunciatë”, “Oratoria e Zemrës së Krishtit”, “Rrethi bamirës i Sh’Jozefit”, “Orfanotrofi i zemrës së Krishtit”; e ma vonë shoqnitë: “Leka”, “Iliria” (1931), Shkolla e Motrave Stigmatine (1878), Shoqnia “Rozafat” (18.02.1918), “Shoqnitë: “Mustafa Pasha” me kryetar Ibrahim Gjyrezin e “Vaso Pasha” me kryetar Hilë Mosin, të cillat u shkrinë dhe morën emnin “Vllaznia” (1919-1935); “Gëzimorja”

(Shirokë, 1922), “Populli” më vonë u quejt “Shkodra” (1923), “Grupi i Gjon Krajnit” (1923), “Atmja e lirë” (1932), “Djelmnia Antoniane” (1933) në përbamje të cillës ma vonë: “Rrethi i Don Boskos” e “Scuola Cantorum” (1935); “Malet Tona” (1934), “Grupi shkodran” (1936), “Besa” (1937), “Komuniteti bamirës musliman” (1938), “Karnavalet” (1861, ndoshta dhe ma parë), si dhe shoqnitë ndihmëtare e punëtore. etj. Ky aktivitet i gjanë u zhvillue ndër shtatë lokale teatrore: Saloni i Kolegjit Saverian kishte 450 vende, i shkollës së Françeskanëve me 300 vende, i shkollës Stigmatine me 250 vende, saloni i shkollës së Parrucës (ndërtue për kinema-teatër nga ushtritë austro-hungareze gjatë Luftës së Parë Botnore) me 400 vende, saloni i shoqnisë “Bogdani” me 350 vende, saloni i shoqnisë “Vllaznia” me 400 vende. Me 23 nandor 1919, u krijue shoqnia “Bogdani”. Për 20 vjet u ba feneri i lëvizjes teatrore në Shkodër dhe njikohësisht bërthama kryesore e aktorëve profesionistë të teatrit “Migjeni”.

Zafillja e kësaj përçapje e zani në kushtrimin e kohës

Ishim të dehun nga krenaria, jetonim dhe frymonim në rrugët e pragjet, në kthinat e në skenat ku ata kishin skalitë me shpirtin e

vet të sakrificës, me përkushtimin dhe pasionin e zellshëm emnin e vet, përmbi gjithçka emnin e Shkodrës. Tue ken pjesë e kësaj andrre qi hyjnueshëm kërkonte shteg e me marrë trajtë realeje, na nji grup t’rinjsh, t’dalun prej shpërgenjve të kësaj madhështie, t’ushqym prej gjinjve të kësaj legjende, kërkuem e gjetëm arsye me ba diçka, pa menue se jena tue e ba për Shkodrën, për vedi, apo thjesht tue dashtë pa u drashtë, me ba diçka qi mundena me e ba me dashni e me amëlci.

Ndoshta ishte koha me lanë edhe na nji gjurmë t’përgjithmonshme n’historinë e këtij qyteti. Ndoshta diçka qi rrezikonte me humb, me u shterrë, me hupë n’tollovinë rrapëllimeve politike. Tue shty njani-tjetrin, tue cyt në yrysh, aty kah fundi i vitit 1994, krijuem “Rozafa”, e cilla nji vit ma vonë u ba Shoqata Rinore, Social-Kulturore, “Kristal”. Asht marsi i vitit 1994, kur del numri i parë i gazetës “Thyerje”, nji përpjekje modeste e promovimit të pikpamjeve dhe krijimeve, mundësive dhe përçapjeve. Asht ky zà, kjo qasje, e cilla do të çilte udhën e gjatë e të mundimshme të veprimtarisë së këtij grupimi, i cilli as ma shumë e as ma pak, mujti me shkrue nji faqe të randësishme të Shkodrës së njat’hershme.

Kur flasim për këtë bashkim, kët turr zjarrmtar e andërrtar, s’mundem me ndejtë pa listue emnat e atyne që me mish e me shpirt dhanë për “Kristal” dhe ajo vetë mujti me u dhanë sa kishte për ta, për Shkodrën e për kulturën shqiptare. Nji nga emnat ma të randësishëm të kësaj

ere të re ku hynte Shkodra, s’paku kështu guxoj me mendue edhe sot, ishin Blendi Kraja, Irhan Jubica, Albri Brahusha, Anila Zhugri, Albert Vataj, Gilmana Bushati, Kujtim Kraja, Bardhyl Ulqinaku, Almir Haxhia, Aferdita Isufi, Brikena Smaja, për me vazhdue me ata qi ju bashkuen kësaj lëvizje t’përtrimjes së qytetit, Eduart Grishaj, Arben Prendi, Brikena Smajli, Bujana Hoti, Entela Tabaku, Ilda Toska, Ledia Dushi, Niketa Stefa, Vjollca Osja,

Siana Elezi, Valbona Karakaçi, Meritan Spahija, Silvana Lahi, Blerti Delia, Marjan Shkreli, Ledri Kurti, Ermira Juka, Mimoza Muça, Blerinda Çarçani, etj., etj, t’cillët u ofruen me gjithçka prej Shkodre e lan at që sot asht nji memuar i këtij qyteti. Revista “Orana” asht dëshmia e kësaj pune, asht mëtimi i atyne kapaciteteve krijuese dhe promovuese të vlerave qi ky qytet, kjo krenari, kjo detyresë e ushqeu në gjakun e tyne, në shpirtin qëi me kaq amëlci e derdhën n’ato punë qi mbeten atëditë e tash vlerë. Kësodore lyp me përmendë nji vijimsi të kësaj dërgate kushtrimesh t’zashme të mëkimit krijues, bahet fjalë për revistën “ARS”, periodik letrar, numri i parë i së cillës doli më 31 mars 2002 dhe i fundit 26 gusht 2006.

Puna e palodhun dhe përpjekja ngadhnjyese e atij çka besoi dhe rrezikoi ma shumë se kurrkush n’ne, n’andrra dhe n’realen e këtyne vlerave, ishte Irhan Jubica. Ishte kjo revistë, e drejtueme prej tij, qi guxoi me thonj e me dhambë me tubue njato vlera dhe njato kontribute, qi i banin nder letrave shqipe, e i jepnin tagër krenues dhe konkurues gjithnjatyne qi e kishin lidhë jetën dhe shpirtin me kumtimin. E kështu mujti kjo krijesë me hecë bajagi rrugë nëpër nji terren të egër, me ma shumë pengime dhe mëni, smirë dhe inate, se sa falënderime dhe mirnjoftje.

Sepse ishte kohë e vështirë, ishte nji e mundshme që kacafytej me t’pamujtunën insistuese. Gjithqysh eci dhe u ndal, për me mbetë nji gur kilometrik në udhën e gjatë të promovimit të vlerave dhe dëshmimit të sakrificave n’emën të ideales, n’emën t’Shkodrës. Përgjatë 5 viteve t’jetës s’saj, u botuen 40 numra, u gatit nji land e u mëkue njajo gosti e përbame prej 7120 faqesh ku janë promovue dhe përcjell rreth 2000 autorë, përfaqsues t’spikatun t’letërsisë shqiptare e t’huej.

E tashmja e trazimeve

Nuk asht befasi nëse e tashmja e këtij qyteti ka degdis n’nji gjendje jo dhe aq shndrrimi se sa stanjacioni. Tue ik prej saj, përdhunshëm, ndoshta kapacitetet ma t’njimendta, e tuj mbetë aty të tjera forca t’afta për me përshkue rrugën e parathanë t’fatit të këtij qyteti,

jo gjithçka e jo gjithqysh, si asht dashtë ka pasë kushtet e përshtatshme me ndodh. Megjithëse, përpjekejt dhe kontributet vijojnë me ken përfaqsuese. Emna dhe vlera, ngulme dhe sfida, s’reshtin së përkunduni njat djep t’kulturës, s’prajn së kunguemi t’hyjshmen e t’shkumes dhe t’tashmes së kësaj krenie dhe detyrese, t’njasaj andrre e dëshirimi qi ka ndez e ka me zjarrmue sod e përgjithmonë Shkodrën e shkodranët.

Politika, e cila gjithherë tue dashtë me përfitue, asht përpjekë me e denigrue kët qytet e tue synue me i’a mbrri këtij oguri t’keq, me mujt gjithqysh me e shkurorzu kyt zonj t’rand, kyt hyjnesh. N’vëzhgim turraz, mundem me thanë qi diçka ka mujtë me marrë prej kësaj dashakeqsije, jo vetëm duke shmangë dashtazi kapacitetet përfaqsuese dhe ata qi denjësisht do t’kishin kenë udhëpërshkues të vazhdimsisë,

por tue rrëmue me e diftue kët kryqendër të qytetnimit shqiptar me disa zelltarë jopërfaqësus, njiherash ka arritë qëllimin për me hedhë baltë mbi përmendoren e krenarisë së këtij qyteti, tue përdorë pjellën e vet. Tue e lan n’mshirë të fatit, tue e pa ma shum me synin e njerkës se t’nanës, politika, shteti, e pse jo edhe vetë shkodranët kanë ba t’mujtin me e frenue n’nji far mënyre ecjen e këtij qyteti, daljen e saj prej anatemës: “…se Ajo krenohet me kujtesën… e jo me mundësinë”.

Ndoshta goditjen ma t’randë kjo nevojë për me kenë dhe me u ndie ma e hyjshmja ndër hyjnesha, Shkodrës ia ka dhanë ikja, e cila tue kenë e kushtëzueme prej ndryshesave e zhbani endjen e dëshirueme t’fatit krenues të këtij qyteti.

Megjithëse dita-ditës, rranjtë e saja, thirrja e kakohëshme amanetqare, borxhi i pashlyem, kanë gjetë vullnete dhe hove me marrë zjarm e me lshue turr. Asht inkurajues fakti se sot ka pena fort t’mira, t’cillat po përpiqen me vu nji gur n’themelet e traditës shkodrane dhe asaj shqiptare. Kanga dhe poezia, arti dhe skena, dëshmimi dhe përpjekja kanë mbushun krahnore e kanë buçitun zane. Edhe pse konsumizmi, tue kenë nji e tashme imponuse, duket se nuk ka frenue qi shumësia e këtyne vlerave të kumtojë at nevojë që ndin secili për me i ruejtë dhe me i çue ma tej gjanat krenuese t’Shkodrës, kët traditë qi n’themelet e saj janë murue; jetë dhe shpirtna, sakrifica dhe kontribute, vlera dhe veti, tipare dhe karakteristika dalluese, përpjekje dhe vepra.

Epilogu

Gjithqysh, ajo asht dhe ka me kenë tanaheret Shkodër, e barku i vet ka me diftu gjithkah këtë dëshmi, mundet me pranu gjithkund këtë sprovë të vullneteve të fuqishme përtrise, ka me i kenë mirënjohës shpirtit t’pasun e zemrës bujare t’shkodranve,

t’cillët gjithëkujanë kanë dijtë e kanë me dijtë me e diftue vedin se kah janë, e se me çfarë misioni kan ardhë. E vetmja gja qi koha ka ndryshue asht se e ka shpërnda tharmin e t’mirës, tue e çue Shkodrën gjithkah ku ka shkodranë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...