Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se prej datës 1 mars, do të ofrojë për të gjithë qytetarët një shërbim që deri tani u ka kushtuar shumë para dhe kohë.
Bëhet fjalë për ndryshimin e pronësisë së mjeteve, që tashmë do të kryet direkt pranë sporteleve të Drejtorive të Transportit. Ofrimi i këtij shërbimi pranë sporteleve të Drejtorisë së Transportit Rrugor do të sjellë shumë lehtësi për qytetarët, pasi ata mund të verifikojnë online nëse mjeti që ata kërkojnë të blejnë ka gjoba apo taksa të papaguara.
“Tjetër lajm i mirë për qytetarët! Nga 1 marsi, ndërrimi i pronësisë së mjetit, direkt edhe në sportelet tona. Tarifa e shërbimit vetëm 1,400 lekë.
Siguri për shitësin e blerësin, verifikim i plotë në sistem. Shërbimi më i ri e i shumëpritur nga qytetarët nis nga Tirana e do të ofrohet në gjithë drejtoritë rajonale me cilësi e vëmendje brenda muajit mars”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.