Përse u sha me libër shpie, Rama dhe Berisha?

Parlamenti është kthyer dje në një arenë përplasjesh të ashpra mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të qeverisë, Sali Berisha. Si rrallë herë, dy përfaqësuesit e rëndësishëm politikë kaluan çdo kufi të etikës parlamentare dhe qytetare në fjalimet e tyre nga foltorja e Kuvendit.

Akuzat e rënda politike, fyerjet personale dhe familjare me fjalor rruge mund të përmblidhen vetëm me shprehjen “u shanë me libër shtëpie”. Fatkeqësisht kjo gjuhë rrugësh dhe e denjë për karrocierë të dehur dje hyri në shtëpitë e çdo shqiptarëve nga dy njerëz që duhet të ishin model për qytetarët në komunikimin publik.

Ish-kryeministri njihet për gjuhën e fortë dhe akuzat që i lëshon pa doganë ndaj kundërshtarëve. Bile kur kundërshtari është ironik apo përqesh, Berisha përdor gjithë arsenalin e gjuhës shqipe.

Ndërsa Edi Rama e nisi me sharje ndaj “Zërit të Amerikës” dhe e përfundoi me fyerje ndaj Berishës. I përkëdhelur nga media për sqimën në përzgjedhjen e fjalëve, edhe kur sulmon, dje kreu i qeverisë arriti kuotat më të ulëta me fjalimin që mbajti. Me fjalë pa etikë dhe shprehje rruge, Edi Rama dukej dje si një kopje e shëmtuar e deputetëve pa gjimnaz që ai

shan shpesh në Kuvend se nuk dinë të flasin. Nuk vonon dhe ish-kryeministri nxjerr nga arkivat fjalor edhe më të egër. I futet në familje kryeministrit, kurse ky i fundit nuk ia përton duke thënë një togfjalësh që tha “familjes time ti hash…. atë që nuk thuhet!”. Një fjalor tërësisht rruge, pothuaj për të dy, ndonëse kur je kryeministër duhet të kontrollosh fjalorin.

Por çfarë i nxori dje nga “binarët” dy politikanët më me përvojë në Kuvend? Për Ramën përgjigja gjendet te investigimet e “Zëri të Amerikës” që i dhanë një shuplaktë të fortë qeverisë së tij për vjedhjen e votave.

Pjesa tjetër e shpërthimit të Edi Ramës, lidhet me akuzat në adresë të familjes dhe bashkëshortes së tij për bankën private ku ajo ishte anëtare e Bordit. Për Sali Berishën, shpërthimi me fyerje ndaj Ramës lidhet me një deklaratë që bëri kryeministri ku njoftoi se SHBA nuk i ka dhënë vizën ish-kreut të qeverisë. Këto tre çështje bënë që debati mes

Edi Ramës dhe Sali Berishës të arrinte deri në një fjalor jo etik. “…Po ta përsëris, ti je njeri që je marrë me gratë, je marrë me vajzat, je marrë me kalamajtë, je marrë me nipat, je marrë me mbesat, je marrë, me kë s’je marrë. Ti je njeri që s’ke kanun dhe s’ke moral, as Kushtetutë, as nder…. deklaroi Edi Rama nga foltorja e Kuvendit,

pasi Berisha i përmendi çështjen e bankës së bashkëshortes. Pas kësaj batare të Edi Ramës ndaj Sali Berishës, ky i fundit nuk hoqi dorë nga sulmet ndaj familjes. Nuk heziton dhe Berisha akuzon kryeministrin: Ti je fundërrinë që u merr shokëve, gratë.

Ti shet çdo moral, mor horr. Ti je njeri që mohon djalin tënd. Ti je fundërrinë njerëzore. Njeriu që mohon djalin tënd, që ke akuzuar babën për përdhunues, inçest, fundërrinë njerëzore”,- deklaroi Sali Berisha.

Debati mes Ramës dhe Berishës vijoi dhe pa mikrofon, ndaj pjesën tjetër të sherrit, deputetët që e kanë dëgjuar në sallën e parlamentit thanë për “Koha Jone” se ishte me “pullë të kuqe”. Sigurisht, përmendja e familjes dhe bashkëshortes e detyroi kreun e qeverisë të shkojë përtej fjalorit normal. Por mesa duket edhe vet Rama e ka kuptuar dje daljen nga fjalori normal, derisa në fjalimin e zbardhur nga zyra e shtypit të kryeministrisë, fyerjet jo etike ishin hequr me kujdes.

Fyerjet e Edi Ramës dhe Berishës janë vetëm njëra anë e medaljes. Fakti është se sa herë ka ndonjë skandal të madh në vend, siç ishte investigimi i “Zërit të Amerikës” kundër qeverisë, Edi Rama ia del të bëj një zhurmë edhe më të madhe në

Kuvend për një gjë krejtësisht tjetër nga debati i ditës. Kështu Parlamenti dhe mediat kryesore dje nuk shtruan pyetjen se përse nuk ka hetime për dosjen e Durrësit ku është implikuar gjysma e qeverisë, por debatonin se kush shan më bukur me libër shtëpie, Rama apo Berisha.

Prokuroria nuk vepron ndaj dosjeve të mëdha të korrupsionit, por rri e vështron se si do shkojnë sherret politike. Ndaj kemi këtë fjalor rruge mu në sallën e Parlamentit.

360grade.al

TE TJERA

spot_img