Gjon Çoba, volejbollisti i talentuar dhe trajneri shqiptar më i suksesshëm

408

Historia e volejbollit shkodran ka nxjerrë shumë sportistë e trajnerë të mirëSporti i volejbollit në Shkodër dhe Shqipëri ka nxjerrë shumë , sportistësh dhe trajnerësh që kanë lënë gjurmë me karrierën e tyre brenda dhe jashtë vendit.

Padiskutim që më trajneri më i suksesshëm në historinë e këtij sporti është shkodrani Gjon Çoba. Duke punuar në Itali me ekipin e femrave “Volley Modena”, ai ka arritur të fitojë “Champions League” të Europës, Kupën “CEV”, ka fituar titull kampion, kupë dhe Superkupë në Itali.

Karriera
Ka lindur në Shkodër më 16 shkurt 1962, pikërisht në ditëlindjen e Vllaznisë dhe me këtë skuadër do të lidhej ngushtësisht në karrierën e tij sportive.

Që në moshën 10 vjeçare ai do të angazhohej me sportin e volejbollit duke pjesë e ekipit të volejbollit në shkollën sportive “Ndoc Mazi” që ishte e profilizuar pikërishr për këtë sport. Aty do të kishte si trajner Mark Grimcin. Gjatë kësaj periudhe, pikërisht në vitin 1976 shpallet fitues i Spartakadisës për shkollat sportive në volejboll për meshkuj, Spartakiadë që u zhvillua në Tiranë.

Ndërkohë në vitet 1976- 1980 luan si pasues me ekipin e të rinjve të volejbollit të Vllaznisë ndërkohë që pikërisht në vitin 1980 deri më 1991 do të luante me ekipin e të rriturve të Vllaznisë.

Gjatë këtyre 11 kampionateve me të rriturit, Gjon Çoba do të jepte kontributin e tij në disa rezultate të mira të Vllaznisë dhe ndonëse nuk shpallet kampion me të, sërish ekipi është gjithnjë në podium dhe konkurrues deri në fund.

Por nëse Çoba dhe kolegët e tij nuk arritën dot të shpallen kampionë, ata janë shpallur tre herë fitues të Kupës së Republikës, pikërisht në vitet 1985 në finalet e zhvilluara në Shkodër, më 1987 në finalet e zhvilluara në Durrës dhe në vitin 1988 në finalet e Kupës së zhvilluara në Shkodër.

Gjon Çoba njëkohësisht në finalet e Kupës së Republikës të vitit 1987 përveçse ka marrë medaljen e vendit të parë, është shpallur lojtari më i mirë i Kupës së Republikës.

Me fillimin e lëvizjeve demokratike, Çoba do të merrte rrugën e emigracionit dhe vendoset në Itali, aty ku jeton ende edhe sot e kësaj dite.
Edhe atje ai vazhdon volejbollin dhe në vitet 1992-93 shpallet kampion në kampionatin e volejbollit amator për skuadra mikse femra dhe meshkuj, ashtu siç shpallet kampion edhe në kampionatin e volejbollit amator për skuadra meshkujsh. Madje këtë trofe e fiton edhe në sezonin 1994-95.

Këtu do të mbyllej karriera e tij si volejbollist por ndërkohë ka nisur punë edhe si trajner i volejbollit për moshat pikërisht në Modena. Në vitet 1994-96 drejton ekipin U14 të djemve të Modenas.

Puna e mirë me moshat e vogla, bën që drejtuesit e klubit ta marrin në ekipin e parë, atë të femrave teksa punon në rolin e zëvendëstrajnerit, duke qenë ndihmësi i trajneres më të mirë në botë, kinezes Lang Ping.

Në sezonin 1996-97 e nisin nga vendi i gjashtë në kampionat me “Volley Modena” dhe në fund të sezonit 1999-2000 ky ekip shpallet kampion i Italisë. Ekipi i tij fitoi në finale me rezultatin 3-0 ndaj Medines Reggio Calabria. Gjon Çoba padyshim që ka një kontribut të rëndësishëm në këtë sukses.

Duke u shpallur kampion Italie, “Volley Modena” fitoi të drejtën për të marrë pjesë në sezonin 2000-2001 në Champions League të Europës, aty ku janë surpriza e madhe. Bashkë me sportistët Keba Phipps, Manuela Legeri, Ana Flavia Sanglard,

Antonina Zetova, Hanka
Pachale, Barbara Jeliç, Wu Yong Mei, Laura Bruschini, Angelina Grün, Briggide Sousy, Francesca Ferretti, Heather Bown, Neli Marinova, Iryna Zhukova, “Volley Modena” arrin të fitojë “Champion League” të Europës duke u konfirmuar si ekipi më i mirë europian i sezonit 2000-2001.

Ndërkohë në sezonin 2001-2002 Gjon Çoba dhe “Volley Modena” fitojnë Kupën e Italisë dhe njëkohësisht të drejtën për të luajtur në Kupën CEV, madje shpallen edhe fitues të këtij trofeu të rëndësishëm europian.

Në sezonin 2002-2003, “Volley Modena” fiton edhe Superkupën e Italisë duke mundur në Itali duke mundur në finale me rezultatin 3-0 ekipin “Foppapedretti Bergamo”.

Në vitin 2005 ndërkohë shkodrani i suksesshëm do të shkëputej për disa vite do të shkëputej nga volejbolli megjithatë pasioni për këtë sport është rikthyer sërish tek ai dhe prej pak vitesh drejton një ekip moshash në Milano.

Kjo është karriera sportive e Gjon Çobës si volejbollist ndër më cilësorët në Shqipëri në vitet ’80 por ndërkohë si trajner padiskutim që është shqiptari më i suksesshëm në historinë e volejbollit shqiptar.
Gjergj KOLA