Reshjet e borës në qytetin e Shkodrës dhe njësitë e tjera administrative kanë vijuar edhe gjatë natës së kaluar si dhe për disa orë gjatë ditës së sotme. Vijimi i reshjeve të borës ka vështirësuar edhe më shumë situatën në bashkinë Shkodër.
Shumë akse brenda qytetit gjatës mbrëjes por edhe në orët e mëngjësit dhe më pas kur bora ka rinisur kanë shfaqur probleme qoftë për mjetet por edhe për këmbësorët sa i përket lëvizjes.
Shumë prej qytetarëve nuk i kanë marrë mjetet e tyre duke shmangur kështu lëvizjen për shkak të rrezikshmërisë. Bashkia Shkodër ka bërë të ditur edhe informacionin zyrtar për situatën gjatë ditës së sotme në territorin që mbulon.
Sipas bashkisë rruga e fshatit turistik të Theth është e bllokuar ndërsa e pakalueshme është edhe në anën tjetër përgjatë lumit Kir teksa është i bllokuar segmenti Kir-Mali Shoshit sepse ka mbi 80 cm borë dhe reshjet vazhdojnë atje.
Probleme ka edhe në fshatrat e njësisë Postrivë, në Boks, Dragoç, Myselim dhe Drisht. Sa i përket akseve rrugore bashkia Shkodër nuk raporton për segmente të tjera problematike. Sipas bashkisë Shkodër ka ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa fshatra të njësisë Dajç dhe Bërdicë.
Në lidhje me shkollat bashkia Shkodër raporton se nuk është zhvilluar normalisht procesi mësimor për shkak të mos shkuarjes së nxënësve në shkollat e njësive të Dukagjinit Shalë, Shosh dhe Pult ndërsa ka një rënie të numrit të nxënësve edhe në disa shkolla të tjera të qytetit dhe njësive administrative.
Njësitë e Dukagjinit Pulti dhe Shoshi nuk kanë as shërbim shëndetësor tregon bashkia Shkodër në njoftimin e saj duke bërë që banorët e atyre zonave të jenë në mëshirë të fatit në rast se përballen me ndonjë emergjencë shëndetësore.
Sipas bashkisë janë përfshirë në operacionin e pastrimit të rrugëve dhe shesheve burimet njerëzore dhe mjete teknike të Bashkisë Shkodër dhe ndërmarrjeve të varësisë se saj,
specialistë të shërbimeve publike dhe emergjencave civile, Ujësjellës- Kanalizimeve dhe sipërmarrjes private të aktivizuara nga Bashkia Shkodër.
Raportohet për gjashtë fadroma që po punojnë në të gjithë territorin e qyetit Shkodër. Po ashtu sipas bashkisë janë në punë 3 grejdera, të cilët bëjnë pastrimin e segmenteve me problematike rrugore, 1 borëpastruese, 1 mjet fadromë në rrugët e brendshme të Postribës,
1 fadromë në segmentin rrugor të Prekalit ndërsa vazhdon hedhja e kripës në trotuaret e qytetit. Punonjës të sherbimeve të tjera po bëjnë pastrimin e trotuareve ndërsa bashkia Shkodër i ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të kontribuojnë në pastrimin e hapësirave që kanë në përdorim.