Në Rinas shoh lot prindërish për fëmijët që ikin, dhe indiferencën e atyre që na drejtojnë

“Mendja ime asnjëherë nuk i ka mësuar me rregull modelet e avionëve që ulen në pistë, por ajo që më ka bërë gjithmonë të epur ndaj këtij vendi të veçantë, kanë qenë njerëzit…dhe emocioni që shfaqet në fytyrat e tyre në zonën e mbërritjeve, kur hapet dera rrëshqitëse.

Ndonjëherë ka gëzim, ndonjëherë ka lot, e ndonjëherë ankth. Por shikimet kanë dritën e pritjes gjithmonë”- shprehet Arlinda Çausholli e cila mban postin e Drejtoreshës së Komunikimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Me një eksperiencë të gjatë si gazetare, fushë të cilën nuk e ka braktisur asnjëherë, Arlinda e ka plotësuar veten në vazhdim, në fushën e komunikimit si specialiste, por edhe si shkrimtare.

Sot në “Dita” kemi folur me Çaushollin jo vetëm për profesionin e saj dhe punën që bën tashmë prej më shumë se një dekade, por edhe për mënyrën se si e shikon ajo realitetin në vendin tonë.

“Më shqetëson ashpërsia me të cilën e trajtojmë njëri-tjetrin, më shqetëson mungesa e vizionit për brezin e ri që do të jetë nesër e ardhmja e gjithë Shqipërisë, ndonëse sot është vetëm një përqindje e saj”.

Biseda me Arlindën është e rrjedhshme. Pavarësisht se evidenton probleme, sërish të mbush me qetësi. Ndoshta aftësi e njerëzve kjo që, etikën e komunikimit e kanë pjesë të tyren.

Pesimizmi dhe mungesa e shpresës janë gjerat që vëren rëndomë në ditët që po jetojmë.

Si mund të dalim nga kjo gjendje? Sipas Arlindës ka ardhur koha që të kemi modele të reja në politikë, në arsim, në vendimmarrje.

Në këtë intervistë në Dita do të njohim më tepër Arlinda Çaushollin, e cila e konsideron Aeroportin si vendin ku zbulon çdo ditë një copëz Shqipërie…

-Arlinda, si është të punosh në aeroport, aty ku shumë vijnë dhe ikin… Duket se aty je vazhdimisht në lëvizje?

Aeroporti është një institucion i veçantë nga çdo anë. Është operacional dhe njerëzor në të njëjtën kohë. Është e vërtetë, jam në lëvizje gjatë gjithë kohës. Por nuk e kam fjalën vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, e besoj, kjo është më kryesorja dhe më e shëndetshme se çdo gjë. Punoj për të krijuar një gjë të re në një mjedis ku gjendem çdo ditë prej 12 vitesh.

-A është kjo puna që do dhe çfarë ke mësuar nga gjithë këto vite eksperiencë?

Puna më pëlqen, i shtoj edhe dozat e pasionit që gërshetohen shkëlqyeshëm me komunikimin dhe median. Kam mësuar se fokusi te njerëzit dhe puna me ta më jep kënaqësi dhe rezultate. Fokusi te etika në përgjithësi, të krijon një aureolë, por edhe bosht respekti. Më pëlqen etika, sidomos ta ushtroj në çdo rrethanë.

-Aeroportin ndryshe e quajnë dhe “lëndina lotëve” po ti si e shikon këtë vend?

Aeroporti është një zbulim i përditshëm i një copëze Shqipërie që në të vërtetë unë e kam fort për zemër. Mendja ime asnjëherë nuk i ka mësuar me rregull modelet e avionëve që ulen në pistë, por ajo që më ka bërë gjithmonë të epur ndaj këtij vendi të veçantë,

kanë qenë njerëzit…dhe emocioni që shfaqet në fytyrat e tyre në zonën e mbërritjeve, kur hapet dera rrëshqitëse. Ndonjëherë ka gëzim, ndonjëherë ka lot, e ndonjëherë ankth. Por shikimet kanë dritën e pritjes gjithmonë.

-A të pyesin shpesh: pse janë biletat kaq të shtrenjta nga Shqipëria?

Padyshim. Sa herë më shohin. Mundohem të shpjegoj se aeroporti nuk shet bileta, dhe as nuk e përcakton çmimin e një bilete. Por nuk pretendoj të bind.

-Po ti vetë, e ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

E kam menduar, si shumë miq të mi.

-Çfarë të ka mbajtur këtu?

Me ka mbajtur dëshira se mund të kontribuoj me gjërat që di, të ndaj përvojën që kam dhe të provoj që njerëz si unë e shumëkush, mund të frymëzojnë.

-Shifrat tregojnë se përqindja e shqiptarëve që duan të largohen nga vendi është e lartë, të duket shqetësuese?

Shumë shqetësuese, por më vjen keq që shqetësohen më shumë prindërit se ata që na drejtojnë. Ky është dhe thelbi i të qenit largpamës nga çdo qeveri që pretendon ta drejtojë Shqipërinë dhe që ka strategji për të ardhmen e saj.

Studentëve duhen t’u krijohen kushtet që ata të ndjehen në Shqipëri si në shtëpi të tyre, dhe jo si në shtëpi të huaj. Profesionistëve, t’u lihet liria e të ushtruarit profesion pa ankth dhe pa frikë për të ardhmen,

që të mos zhyten në taksa e të plluskojnë nëpër pensione, e të moshuarve t’u vihet në dispozicion rinia studentore, që këtyre të fundit t’u njihet asistenca ndaj moshës së tretë me kredite apo ligjërisht.

Është e vetmja mënyrë që të forcohen lidhjet me njëri-tjetrin dhe me veten. Kjo do na bëjë mirë dhe më të shëndetshëm mendërisht dhe moralisht.

-Çfarë raporti ke me udhëtimin, avionin…?

Raport të bukur mendoj. Kur kam mundësi udhëtoj gjithmonë, me çfarëdo mjeti. Udhëtimi është dimension i ri, dhe dimensionet e reja të rrisin e të zgjerojnë horizontin.

-Cili është vendi ku je kthyer më shumë se një apo dy herë sepse të pëlqen shumë?

Kam udhëtuar mjaftueshëm për të kuptuar se nuk ka gjë më të ëmbël se kthimi në shtëpi.

Arlinda gazetare, shkrimtare, specialiste e komunikimit… si qëndrojnë të gjithë këto bashkë tek ty?

Them se rrinë natyrshëm. Kanë në thelb fjalën, vrojtimin e detajeve dhe krijimin. I lidh etika dhe dëshira për të lënë një gjurmë të mirë.

-Duket sikur janë pjesë që ndihmojnë njëra-tjetrën, sa e ke ndjerë këtë?

Është pothuajse e njëjta fushë. Fushë që do guxim, shumë këmbëngulje, shumë vigjilencë për të parë gjëra që për të tjerët janë të padukshme, kërkon durim dhe shumë energji.

-Sa e rëndësishme është fëmijëria, sa gjurmë lë ajo në jetën e njeriut më pas dhe si ka qenë fëmijëria jote?

Fëmijëria është baza ku rritemi dhe shumëherë e kthejmë kokën pas për ta parë me sytë e tanishëm. Kam qenë më shumë fat se jam rritur me shumë dashuri, me shumë përkushtim, me thjeshtësi për njerëzit dhe me shumë kurajo. Shkodra të jep penelata të bukura që zbukurojnë zemrën dhe mendjen, si çardakët e dikurshëm të shtëpive ku kemi vrapuar.

-Ndërkohë vazhdon të qëndrosh rregullisht në media, je prezente me shkrimet dhe analizat e tua, pas ‘Çizmeve të verdha” do kemi ndonjë libër tjetër?

Po punoj për një libër tjetër që do të ketë në thelb, qëllimin e një trajnimi që bëj prej pesë vitesh, në lidhje me zhvillimin personal, motivimin, këndvështrimin e gjërave dhe komunikimin e mirë si arma më e fortë për një cilësi jete të mirë.

-Arlinda, çfarë të shqetëson në realitetin e sotëm, në Shqipëri?

Më shqetësojnë shumë gjëra. Më shqetëson ashpërsia me të cilën e trajtojmë njëri-tjetrin, më shqetëson mungesa e vizionit për brezin e ri që do të jetë nesër e ardhmja e gjithë Shqipërisë, ndonëse sot është vetëm një përqindje e saj.

Më shqetëson mënyra e edukimit dhe mësuesisë që nuk ka lidhje me formimin e njeriut dhe qytetarisë, porse veç me përllogaritje dhe betonim të karakterit pa asnjë ngjyrë dhe krijim.

Më shqetëson mungesa e fjalës “humanizëm” dhe veprimet që e karakterizojnë atë, rregullisht, nga një klasë politike dhe njerëzish që bubërrojnë zhurmshëm në arsim, shëndetësi, rend dhe drejtësi.

Fluturojnë nëpër universe paralele, kanë humbur lidhjet me realitetin dhe me thjeshtësinë e njerëzve, dhe harrojnë se historia harron kollaj kush nuk e deshi.

-Cila është ajo gjë për të cilën thua: si ka mundësi që kjo gjë nuk ndryshoi në këtë vend?

Raporti që kemi me protestën dhe me votën. Raport në përgjumje dhe objekt pazari.

-Mendon se shoqërinë tonë e ka kapur një pesimizëm në masë?

Në programin tim që quhet “I Përgatitur për të Ardhmen“ – Fit For Future – kanë marrë pjesë diku te 1400 veta. Ky është një program që ka për qëllim të zhvillojë personin, komunikimin, bashkëpunimin qytetar dhe ka si synim të motivojë. Pesimizmi është gjëja e parë që vërehet dhe mungesa e shpresës më trishton akoma më shumë.

-Si mund të dilet nga kjo gjendje?

Ka ardhur koha që të kemi modele të reja në politikë, në arsim, në vendimmarrje. Modelet e reja japin dimensione të reja dhe duhet të kenë në qendër – me vërtetësi – individin që jeton në këtë vend dhe që përpiqet me ndershmëri, duhet të ketë në qendër dashurinë për vendin që të përparojë

e të bëhet i jetueshëm në mënyrën më të mirë të mundshme. Babëzitja kolektive na ka dënuar të gjithëve nga pak dhe na ka verbuar, por do të penalizojë të ardhmen e fëmijëve tanë në rast se nuk gjejmë kurajo dhe dritën e duhur që t’i ndryshojmë gjërat. Protesta e studentëve është test për të gjithë ndërkohë.

-Jo po qëllim ia u bëj këtë pyetje pasi di që ke marr pjesë në formatin “Tedex” në Itali e Kosovë, një format ky që ka për qëllim të ndajë mesazhe. Cili është mesazhi që do të jepnit në këtë periudhë?

Duhet të ngremë ura dhe të shembim mure. Duhet t’i kthejmë sytë nga njëri-tjetri. E kam fjalën për bazën e gjerë të njerëzve që jetën e mendojnë si unë e si ti, e që respektin shoqëror e njohin dhe përpiqen ta përçojnë, megjithëse kohërat janë në raport të pabarabartë me vlerat.

Besoj fort se pasqyrimi të njëri-tjetri do të zgjojë ndërgjegjen qytetare. E ndërgjegjja fillon të përballojë gjërat e vogla, e më pas arrin të analizojë e të konsiderojë si duhet çështjet e mëdha që përmenda në fillim dhe që na shqetësojnë të gjithëve. Them se hija mbi hije, nuk ndryshon. Drita mbi dritë, reflekton.

Si është kjo periudhë fundviti për ty. Je melankolike apo entuziaste?

Ka qenë periudhë më shumë punë, me shumë ngarkesë, me shumë aktivitete, me shumë rezultate dhe jam e kënaqur për këtë. Unë besoj se edhe melankolinë e kam entuziaste…

Çfarë pret nga 2019-ta?

Pres me krahëhapur çdo gjë. Zakonisht, në mendjen time kam shumë dritare dhe dyer që hapen e mbyllen sipas rastit. E rëndësishme që të mos shërohem nga entuziazmi që përmenda pak më sipër. Im atë thoshte gjithmonë se arti i jetës është që t’i kalosh vështirësitë me entuziazëm.

“Në rast se e humb, e ke humbur davanë”. Na e kujtonte shpesh dhe shkëlqimi i syve të tij nuk u shua kurrë nga kjo cilësi e mrekullueshme. Sytë i kishte të mëdhenj, imagjino shkëlqimin….

Të falënderoj shumë për këtë bisedë!

Edhe unë të falënderoj dhe ju uroj festa të mbara sot e gjithmonë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Edhe 1 Ditë nga Ndezja e Atmosferës Festive në Sheshin e Bashkisë Shkodër

Shkodra është në përgatitjet e fundit për ndezjen e...

Me 1 dhjetor, në orën 18:00, të gjithë janë të ftuar ne Shkodër

Shkodra, e njohur për traditën dhe mikpritjen e saj,...

Monika Kryemadhi: Divorcin nuk e kisha menduar kurrë, Meta mbetet babai i fëmijëve të mi

Në një deklaratë për mediat, Monika Kryemadhi është shprehur...