Në foton që shihni, është kalorësi shqiptar Mërkur Bua Shpata, pinjoll i familjes princërore Bua.
Nuk ka studim të mirëfilltë për këtë udhëheqës me nam në të gjitha betejat e Evropës së ‘500-ës. Në këtë shkrim, më tepër ilustrues, jemi nisur nga fotoja e përfshirë në enciklopedinë “Shqiptarët në artin botëror” përgatitur nga Ferid Hudhri.
Nga ajo lavdi vetëm kjo pikturë e famshme ka mbetur, e realizuar nga piktori italian Lorenzo Lotto. Titulli i tablosë është “Portreti i një burri fisnik” (Ritratto di gentiluomo) që mban datën 1535, vendosur në galerinë “Borghese” në Romë. Kjo tablo e realizuar me mjeshtëri nga dora e piktorit L. Lotto mendohet se i kushtohet shqiptarit të shquar Mërkur Bua Shpata.
Tërheqjen e fundit flitet se e bëri në qytetin Trevizo, qytet që e shohim në sfond të portretit.
Lotto e jep në këmbë Mërkur Buan, me beretë të zezë dhe dorën e djathtë vendosur mbi një tavolinë, nën të cilën shquhet një kafkë e vogël, e rrethuar me petale trëndafili e jasemini, me pamje fisnike si edhe në veshje. Disa kanë vërejtur unazën në gishtin e vogël (p.sh.
shkrimtari Luan Rama, të cilit i referohemi; të dhënave të përshkrimit bashkangjitur dhe foton, në një artikull të tij e lidh me gruan e tij të vdekur), po ashtu dhe unazën në gishtin e martesës së dytë të bërë me një fisnike veneciane.
Ndërsa studiuesi i enciklopedisë, Ferid Hudhri, shënon se pamja melankolike e fisnikut të ve, të cilit, sipas përshkrimeve nga historianët, i ka vdekur gruaja gjatë lindjes, është një ndër elementet mbi të cilat mbështeten biografët në përkatësinë e portretit.
