Gruan e dua si mjalti, nënën si kripën! Djali i jep “mësim” së ëmës, se ç’është dashuria

Rrëfenja e njëzetepestë ose Më e domosdoshme kripa se mjalti: Ku i biri i jep një mësim të mirë së ëmës se ç’është dashuria për nënën dhe se si nuk duhet ngatërruar me ndjenjat që ushqejmë për të tjerët.

Në kohë të vjetra jetonte një vejushe tok me të birin e vetëm, të cilin e rriti me thërrime dhe dashuri, me gjithë dashurinë që një grua e mbetur fillikat, njëri pa njeri, mund të hedhë mbi djalin e vetëm.

Erdhi koha që djali u poq e u bë burrë dhe pa e zgjatur, u martua e mori një vajzë nga derë e mirë.

E ëma ishte një grua zemërmirë, po mendjecekët dhe ngandonjëherë bëhej smirëzezë, kur shihte dashurinë e të birit për të shoqen.

I ngrihej mendja dhe pandehte se i biri nuk e donte më dhe gjithë dashurinë e kishte hedhur mbi gruan.

Si shkuan ca kohë, teksa po rrinin një natë pranë zjarrit nënë e bir, hidhet nëna dhe e pyet:

– O djalë, më kallëzo të drejtën, qysh më do ti mua?

Djali e kuptoi aty për aty se ku rrihte të dilte e ëma dhe ia ktheu thjesht e shkoqur:

– Të dua o nënë, si kripën.

Po gruaja e moshuar nuk u ndal me kaq dhe e pyeti sërish:

– Po tët shoqe, qysh e do?

Djali shtiu buzën në gaz. “Ah, më dole në shteg”, tha vetmevete.

Dhe u përgjigj e i tha: – Gruan e dua siç duhet mjalti.

U hidhërua e u bë pikë e vrer gruaja plakë kur dëgjoi ato fjalë nga goja e të birit dhe, pa i folur me gojë, shkoi i ra në shtroja.

Të nesërmen në mëngjes, para se të dilte në arë, i biri i porositi të ëmën dhe të shoqen të gatuanin për drekë këtë e atë gjellë, po të mos u hidhnin kripë dhe bashkë me to të shtronin në sofër edhe një pjatë mjaltë.

Gratë shqyen sytë e u çuditën nga ajo kërkesë e pazakontë, po, gjithsesi, nuk bënë llafe.

Pas porosisë që u kishte lënë burri i shtëpisë përgatitën gjellët e i shtruan në tryezë dhe së fundi zbritën në qilar e mbushën një pjatë plot me mjaltë, që e vendosën pranë hajeve të tjera.

Kur u kthye nga puna, djali u shtrua në tryezë, po ç’të fuste në gojë e ç’të hante i ziu!

Megjithëqë e ëma dhe e shoqja qenë munduar të gatuanin sa më mirë e t’i bënin gjellët sa më të shijshme me erëza e gjithë të mirat, pa një kokërr kripë ato s’futeshin në gojë.

Pa e ç’pa, iu kthye pjatës me mjaltë dhe hëngri sa u shqep, por kur u ngrit nga tryeza që të shpëlante duart e gojën, iu duk sikur s’kishte ngrënë gjë prej gjëje.

E ëma dhe e shoqja po e shikonin me sy të çakërritur se s’po kuptonin gjë prej gjëje.

Ç’dreqin kishte ndërmend që po sillej ashtu?

Ç’i thoshte vallë koka?

Një gjë të tillë nuk e kishte bërë herë tjetër.

Pas buke, i biri u soll nga e ëma dhe i tha:

-A e pe, o nënë, që gjellët pa kripë nuk futeshin në gojë?

Mjaltin që është i ëmbël e hëngra me ëndje, por, kur lan duart e gojën, ëmbëlsira vajti e shkoi dhe tani më ngjan sikur nuk kam ngrënë fare.

Pra, siç e sheh, është më e domosdoshme kripa, se mjalti.

Gruaja plakë u gëzua shumë kur dëgjoi ato fjalë dhe vetëm atëherë e kuptoi, se sa e marrë ishte treguar që kishte shtënë në dyshim dashurinë e të birit.

Qysh nga ajo ditë s’e hiqte nga goja të birin për dashurinë dhe mençurinë e rrallë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...

Ata që po rithurin indet e një vendi të vuajtur

Herë pas herë duhet të kthejmë kokën dhe të...