Përse rikthimi i komunizmit është kaq i mundshëm sot?

373

Nga Vehap Kola

Ekzistojnë shumë arsye për të besuar se komunizmi mund të rikthehet në Shqipëri, por ndoshta argumenti më kryesor që na bën ta besojmë si krejt të gjasshme mundësinë e një ardhjeje të dytë të diktaturës gjakpirëse është se ai rend shoqëror e vleror që ka mundësuar ardhjen e tij të parë nuk duket se është asgjësuar apo zëvendësuar me një rend më imun ndaj ideve marksiste-leniniste.

 

Përkundrazi, pas ngricës polare të regjimit diktatorial dhe temperaturave të larta fragmentuese të liberalizmit post-modern ajo që ka ndodhur me rendin shoqëror i përngjet një thërrmuarjeje të truallit mbi të cilin do të duhej kultivuar filizi i imunizuar. Familja, feja dhe prona, jo vetëm që nuk u ripërtërinë gjatë tranzicionit post-komunist, por për iu nënshtruan një reaksioni të mëtejshëm shpërbërjeje ontologjike. Përmbledhtazi mund të thuhet se shumë komponentë të rendit shoqëror ekzistues priren të shtyjnë shoqërinë drejt komunizmave dhe diktaturave të tjera.

 

Thërrmimit të elementëve të mësipërm që përbëjnë shtyllën kurrizore të strukturës sociale i ndajshtohet një dështim i manifestueshëm dhe i gjithëmbarshëm i sistemit politik, ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe drejtësisë. Në këtë terren gjen përhapje një besim se njerëzit sot nuk jetojnë më mirë se gjatë diktaturës komuniste. Mekanizmi elektoral i demokracisë është korruptuar në mënyrë të pariparueshme dhe shqiptarët kanë humbur tërësisht sigurinë se rezultati i proceseve zgjedhore pasqyron vullnetin e sovranit.

 

Dështimi i ekonomisë është edhe më i dukshëm: mungesa e rritjes është shoqëruar, paradoksalisht, me rritjen e pabarazisë dhe zhbalancimit të shpërndarjes së të ardhurave. Sipërmarrja vendëse nuk ka bërë asnjë progres që nga prishja e ndërmarrjeve shtetërore dhe kooperativave bujqësore. Edukimi ka rënë në kolaps: kërkimi shkencor dhe resurset akademike janë fallse në tërësi. Dështimi në sistemin shëndetësor manifestohet lehtësisht nga ikja e pandalshme e mjekëve. Ndërsa sistemi i falimentuar i drejtësisë është përfshirë në një operacion politik shpërfytyrimi dhe kapjeje përfundimtare.

 

Konditat e lartpërshkruara me dy fjalë mund të krahasohen pa frikë me ato të luftës së dytë botërore. Në fund të saj, komunistët arritën të instalojnë diktaturën e tyre vendvrasëse. Por, barabitja e diktaturës me kaosin e kësaj situate paradiktatoriale duket se i shërben pikërisht instalimit të një regjimi komunist të vend. Në shumë aspekte, fatalizmi i këtij dëshpërimi mbarëkombëtar mund të jetë kundërproduktiv.

 

Nëse diktatura nuk paska qenë me keq se kaq, madje në shumë aspekte (siç nënkupton besimi i sipërcituar) më mirë, atëherë kthimi i saj nuk qenka kaq ogurzi sa pretendohet nga ligjërimi anti-komunist. Rezistenca ndaj rikthimit të saj, përveçse e kotë, mund të jetë edhe e panevojshme.

 

Natyrisht, keqfunksionimi i shtetit dhe troshitja shoqërore post-komuniste nuk mjaftojnë për ta sjellë komunizmin si produkt i një marrëdhënieje shkak-pasojë. Rikthimi i komunizmit mundësohet nga veprimi i organizuar dhe sistemik i grupeve shoqërore që synojnë instalimin e sërishëm të diktaturës. Nga njëra anë, struktura ideore e marksizmit nuk u çrrënjos asnjëherë nga universiteti shqiptar.

 

Një shumicë mbizotëruese e stafit akademik dhe kurrikulave mbetën pa prekur dhe pa ndryshuar. Trashëgimia marksiste-leniniste nuk u dobësua, përkundrazi gjeti hapësirë të zhvillohej si një paradigmë kritike ndaj kapitalizmit liberal-demokrat. Sa herë që e majta fitonte pushtetin, përhapja e këtyre ideve fiton një moment përshpejtimi të pakthyeshëm. Nga ana tjetër, kuadri institucional i demokracisë liberale duket tërësisht e brishtë për të na mbrojtur nga rikthimi i diktaturës. Kushtetuta, demokracia elektorale, media, mekanizmi i tregut apo feja janë provuar të jenë gardhime të pazonja karshi dyndjes komuniste. Dëshmia më jehuese e kësaj të vërtete është paaftësia e pëlhurës shoqërore e institucionale për të ndalur shkeljen e të drejtave të njeriut, shkatërrimin e pronës dhe kapjen e shtetit nga krimi. Madje këto të fundit janë shndërruar edhe në aktakuzë publike ndaj post-komunizmit.

 

Sa i përket proceseve ideore, një sistem kapilar institucionesh edukimi, të aktivizmit dhe politike janë krijuar në Shqipëri për të shërbyer si vatra të kultivimit me idetë marksiste-leniniste dhe si mekanizma të shtytjes drejt ‘pikës së krizës perfekte’. Organizata Politike, Lëvizja për Universitetin dhe Logu i Shkëndijës janë vetëm tre domene që njihen publikisht si komponentë të kësaj merimange të mendimit dhe veprimit marksist në vend.

 

Një leksion i pedagogut sovjetolog Sofokli Meksi i publikuar në faqen në facebook të ‘Logu i Shkëndijës’ përshkruan pa hezitim rrugën nëpër të cilën është implementuar strategjia marksiste-leniniste për ta çuar vendin drejt krizës që e bën të pashmangshme rikthimin e diktaturës së proletariatit. Skema, e denjë për një grusht të ngadaltë shteti, është mbështetur mbi një dështim të qëllimshëm të rendit shoqëror dhe kuadrit institucional të Shqipërisë.

 

Ndërsa, sa i përket aftësisë së pëlhurës shoqërore dhe kuadrit institucional për të penguar rënien në komunizëm, aborti është edhe më i manifestueshëm. Me mijëra shqiptarë, kryefamiljarë, sipërmarrës, gazetarë, efektivë të forcave të sigurisë, pjesëtarë të sistemit të drejtësisë, e kanë gjetur veten të mashtruar nga një shoqëri në dukje e fortë dhe nga institucione në dukje funksionale.

 

Kur arroganca, arbitrariteti dhe egërsia e një qeverie të pamëshirë u shkatërronte shtëpitë, zhdukte dëshmitarët, intimidonte median dhe përdorte policinë për të përhapur kultivimin e drogës dhe mbulimin e krimeve, ata e panë veten të vetmuar dhe të braktisur. Pra, ne jetojmë në një shoqëri të ngjashme me atë që bëri të mundur ardhjen e komunizmit në 1945 dhe që nuk karakterizohej nga asnjë fuqi për ta ndalur atë. Përse të mos e mundësojë rikthimin e diktaturës sot?/opinion.al