Protesta studentore ka marrë një hov të ri këtë të enjte, në ditën e dytë të marshimit nga fakultetet respektive drejt Ministrisë së Arsimit, në “rrugën e Durrësit”, në Tiranë.
E enjtja shënon ditën e dytë për studentët në kryeqytet, e po ashtu edhe për ata në
Elbasan, ndërkohë që studentët e Korçës janë bashkuar për herë të parë sot në bojkotimin e mësimit.
Ata të “Fan Nolit” në qytetin juglindor kanë dalë me parulla që paralajmërojnë një lëvizje edhe më të gjerë, si të vitit ’90, pavarësisht se kërkesat e tyre nuk kanë më lidhje me rrëzimin e diktaturës së dikurshme, por anulimi i VKM-së për tarifat shtesë në arsimin e
lartë, përgjysmim i tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve në konvikte, si dhe përfaqësimi në Bordin e Administrimit, ku ka përfaqësues nga fakultetet dhe Ministria e Arsimit.
Në kryeqytet, ndërkohë, marshuesit kanë mbërritur në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për të dytën ditë me radhë, me kërkesën kryesore uljen e tarifave arsimore.
Gjithsesi, duket se në
Gjirokastër mësimi vijon normalisht, ndërsa studentët e Shkodrës kanë njoftuar se do të bashkohen të premten me protestuesit, sikurse edhe ata të “Aleksandër Xhuvanit” në Elbasan.