Kremtimi skizofrenik i festave kombëtare.

446

Ndërsa jam tue lundrue pak në rrjetet sociale, shoh gati nji histerí celebruese të përvjetorit të pamvarsisë apo medemek çlirimit dhe nisun prej këtij stimuli nuk mund te rrí pa thânë dy fjalë reflektuese mbi raportin tonë me nevojën per me i dhânë sens kohës që jetojmë.

Në të gjitha ato kontekste ku dimensioni i të shêjtës mungon apo âsht shporrë me dhunë, siç âsht edhe rasti i Shqipnisë ku e shêtja âsht tkurrë rândshëm, obsesioni me e mbushë atë boshllek prodhon situata qesharake edhe në kremtimin e disa datave me karakter laik apo kombtár. Realisht kremtohet mjerimi i disa oligarkëve që vegjetojnë për inerci falë themeleve të kalbuna që janë vû apo ratifikue pikërisht në datat që paradoksalisht celebrohen.

Sikur të mos mjaftonin paradokset që kanë mbrenda vetë rrênat që kremtohen, u shtohet qershia mbi tortë e polemikës se kur âsht “çlirue” Shqipnia; nji palë thotë me 28 nândor e tjetra me 29 e mjafton ky fakt i thjeshtë me kuptue, tue perdorë vetëm metodën deduktive e induktive, se sa poshtë ka rá niveli i celebrimit të këtyne festave.

Ky obsesion celebrues paraqitet si dashní për kombin në nji kohë që realiteti tregon se 28 nândori i vitit 1912 kje nji shkëndijë shtetformuese i vilajeteve të mbetuna të Perandorisë Osmane mbas shpërbamjes të k’saj të fundit. Ngjyrimet kombëtariste erdhën prej qasjes romantike të teprueme të elitës katolike të kohës që nuk e kuptote se pjesa otomane kje ontologjikisht e kompromentueme me mendësinë e sundimit monokratik e të urrejtjes për atë pjesë të vogël qendruese ndaj tyne. Kërkimi i sintezave të gabueme përbashkuese, tue shpërfillë pikërisht metamorfozën ontologjike të faktorit mazhoritár otoman, i dha mundësí ktij të fundit të hakmerret ndaj pjesës katolike në kto 100 e kusur shtet despotik.

Ashtu siç e kam thânë edhe në shkrime të tjera, koncepti i kombit lind e zhvillohet në hullinë e reflektimit të krishtenë, si instancë natyrale e dimensionit të njeriut në trajtën përsonale e komunitare dhe rrâjët e tij ushqehen në përmasën trashendentale e fetare pa të cilën ai nuk mund të ekzistojë. Pra, kombi nuk mund të ekzistoje pa bashkëndamjen e fesë të vërtetë që âsht ajo e Krishtit dhe për sa kohë të vazhdojë kjo skizofrení, do jemi faktikisht të ndamë përtej retorikave të rrêjshme përbashkuese.

Prandej âsht mâ mirë të respektojmë diversitetin tonë dhe të takohena në ato vlera të natyrshme që bashkojnë çdo njeri vullnetmirë e enti shtetnór të jetë shpija e përbashkët e të gjitha pjesëve konstitutive të tij, pa margjinalizue me metodat otomane pararendëse strumbullarin e kombit autentik shqiptár.

Opinion nga Nesti ZEFI