Shkodra në “luftën” mes katolikëve dhe myslimanëve

Bashkëjetesa fetare është një vlerë që sot çmohet shumë, por jo gjithnjë ka qenë e pranishme në Shqipëri. Shpesh, besimet fetare janë ndarë për çështje të ndryshme: kulturore, arsimore dhe historike.

Në vitet kur pushtimi osman ishte në grahmat e fundit, Shkodra nuk ishte e qetë. Sigurisht që një pushtim 500 vjeçar nuk mund të shkëputej aq thjesht nga një vend i përçarë mes atyre që e dinin se ishin pushtuar dhe atyre që mendonin se me Turqinë po bashkëjetonin të lumtur.

Për fat të keq, këto ndasi kishin marrë edhe ngjyrime fetare duke i bërë njerëzit, herë pas here, të lidhnin identitetin fetar me atë shtetëror ku po të ishe mysliman, domosdoshmërisht ishe turk.

Po të ishe katolik, domosdoshmërisht ishe italian. Po të ishe ortodoks, domosdoshmërisht ishe grek dhe/ose sllav.

Në Shkodër ekzistonin veç katolikë e myslimanë. Dëshmitë e kohës thonë se katolikët përshëndeteshin gjtihnjë në italisht “Buon Giorno”

(edhe Konica në revistën “Albania” thotë se është e vështirë të gjej një katolik shkodran që nuk di italisht), ndërsa myslimanët në arabisht “Selam Alekum”.

E gjithë kjo atmosferë ngjizi një luftë që shkaktoi viktima edhe mes figurave të shquara, luftëtarë apo intelektualë. Kërcënimet mes katolikëve dhe myslimanëve u bënë gjithnjë e më të rënda. Në hyrje të prefekturës, në lagjen Fushë Çelë u ngritën barrikada dhe u lanë gjithnjë roje.

Jeta e qytetit u paralizua aq sa, sikurse dom Ndoc Nikaj dëshmon, u mbyll edhe tregu i qytetit.

Prenkë Pasha, i cili në atë kohë ishte vendosur në Shkodër, punonte me të dy krahët, katolik, edhe mysliman. Por puna e tij nuk mjaftonte, pasi të gjithë donin të ishin “të parët” dhe “të vrisnin të tjerët”.

Lagjja katolike dhe ajo myslimane qenë ndarë mes tyre dhe askush nuk kalonte as në kufirin që i ndante, nga frika mos mund të merrej si kërcënim. Duheshin zgjidhur çështje të rëndësisë së parë si flamuri apo shkronjat dhe veç kështu, Shkodra “mund të ishte e lirë” sërish.

Një dëshmi interesante na vjen nga dom Ndoc Nikaj i cili në shkrimin e tij “Flamuri e Germat”, botuar në librin e kujtimeve tregon për përjetimet që pati në Shkodër vendosja e flamurit shqiptar në vend të atij turk. Grupet pro dhe kundër flamurit të ri shqiptar nuk qenë ndarë në bazë të intelektit, por në bazë të besimit.

Kjo gjë shkaktoi një sherrnajë të madhe mes “të kshtenve” dhe “muhamedanëve” sikurse i quan dom Ndoci ata që besojnë në krishtërim dhe në islam.

Sipas tij, “Nuk dona flamurin me sorrë!… britshin rrugave disa të frymëzuem nga pleqt e vjetër. Dona flamurin e Shqipnis me Shqypen e Skanderbegut… britshin Krishtiant në tjetren anë.”

Përtej rastit të flamurit, grindje dhe debat pati shkaktuar edhe alfabeti latin. Sikurse keni lexuar edhe më parë, vendosja dhe konsolidimi i alfabetit latin dhe jo atij arab pati krijuar ndasi edhe në Manastir ku po mbahej Kongresi falë të cilit kemi sot një të tillë gjuhë të shkruar.

Dom Ndoc Nikaj thotë: “Ata nder muhamedan qi dijshin me shkrue e me këndue, e qi ishin shum të pakët, nuk kishin as fare njoftim për germat latine, edhe ngrehshin qi giuha shqype të shkruhej me germat turqishte [pra arabe],

në sa partija katolike që ishte shuma qi dinte me shkrue e me këndue me germat latine lypshin që gjuha shqype të shkruhej me germat latine.”

Por shkodranët, me sa duket, nuk e lanë me kaq. Nuk u mjaftuan vetëm me debate e ndasi, por gjithçka “mori zjarr” dhe, sikurse dom Ndoci thotë, “Qyteti u da dyshë edhe u ndez puna me armë.

Me qe Shkodra ishte e dame dysh nder lagje muhamedane e krishtjane, u pre rruga ndermjet dhe ishte frikë të kalonte njana parti në krah të partisë tjetër. Në njanën anë mbretnonte flamuri i Turkis, kurse në tjetren, aj i Shqypnis.”

Situata që ishte krijuar në nuk mund të zgjidhej nga qytetarët e Shkodrës. Kjo gjë u kuptua qysh në fillim kur, pavarësisht përpjekjeve të Prenkë Pashës, asgjë nuk doli në dritë. Prandaj, fuqitë e mëdha që kishin konsuj në Shkodër, vendosën të vepronin.

Sipas Nikajt, të shqetësuar për situatën, Konsujt u mblodhën dhe kërkuan që në Shkodër të vinte një komision ndërkombëtar për të zgjidhur ndasitë e krijuara. Kërkesa u pranua, komisioni erdhi dhe u vendos:

“Në Këshjtellë të Shkodrës të naltohej flamuri i Shqypnisë përkrah me flamujt e mbretnive ndërkombëtare që patne marrë nën mbrojtje Shkodrën.”

Dita e caktuar dhe e shumëpritur erdhi, e shoqëruar me festime të mëdha në të gjithë qytetin e veçanërisht pranë mureve të Kalasë.

Abati i Mirditës Prengë Doçi u lejua të flasë në atë ditë. Ai mbajti një fjalim aq të bukur rreth flamurit të Shqipërisë sa dom Ndoc Nikaj thotë “lkundi zemrat e gjithë ndigiusave me fjalë të melmyeme me atdhetarizëm aq të flakët sa sytë e të shumtëve kjenë të mveshun me lot.

Dijti kaq bukur me e qendisë biseden e vet që deri kundërshtarët ma të tërbuem qi patne kenë deri n’at ditë përballë t’ati flamuri e pane gabimin e tyne dhe mbetne të kënaqun për at përfundim të çështjes në fitim t’atdheut.”

Në këtë ditë, u bë “pajtimi” mes shkodranëve. Çështja e flamurit duhej zgjidhur, pasi çështja e shkronjave u zgjidh vetë: Duke parë se gjuha shqipe ishte shumë më e thjeshtë më shkronjat latine, shkronjat turke ngadalë e ngadalë dolën nga përdorimi, deri sa u zhdukën krejt.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...