Nga Besi BEKTESHI
Nuk është shumë e zorshme që të përcaktosh qytetet dhe në “gjininë” e tyre virtuale. Gjithmonë Shkodra është imagjinuar si një grua, zonjë dhe jo vetëm për këngët e poezitë e shumta që ajo ka.
Një nga të bukurat është ajo e Rik Ndocit si “Zonja Shkodër” por nuk mjafton “a-ja” në fund të emrit, për të qenë një femër, që
Migjeni t’i thotë “Dashnorja e Shekujve”, duke e sipërnxjerrë në atë që mund të konsiderohet model qytetar me një trashëgimi të vazhdueshmërisë.
Po, Shkodra nuk e ka ndalur jetën urbane dhe qytetare në gjatësinë e 25 shekujve, edhe pse ka pasur uljet e ngjitjet e saj. Janë të jashtëzakonshëm dhe “rivalët” pushtues të saj. Dhe patjetër që historia përbën dhe atë që realiteti i sotëm e dyshon disi.
Nuk ka lartësi më të madhe urbane dhe qytetare në vijimësi, që nuk ndalon qytetërimin si Shkodra.
E në përgjithësi është përfytyruar si një femër e bukur, grua madhështore, një zonjë pra…! Këtë e plotëson dhe e inkurajon legjenda e saj. Është pikërisht Rozafa dhe legjenda e saj, në të vërtetën dhe pavërtetën e saj, por në një legjendë të jashtëzakonshme,
e cila e sjell në ditën e sotme këtë kala apo këtë qendër urbane dhe qytetërim të lashtë, afër nesh me një tipar gati-gati në fantazi, për të marrë deri një skenar epik për Hollivudin. Pra Rozafa, një grua e madhe e legjendës.
Po për Hollivudin dhe për turpin tonë që nuk e kemi trajtuar në kinematografi është Teuta, ose femra e jashtëzakonshme e kundërvënë Romës.
Një nga skenarët më të jashtëzakonshëm akoma e pa trajtuar qartë dhe mirë si nga ne dhe nga historiografia në përgjithësi. Ishte dashur që për këtë grua dhe zonjë, të kishte jo vetëm romane dhe filma, por sot dhe lojra në PC, nga ana jonë, sepse bota e trajton në këtë mënyrë.
Shkodra si kryeqendër e madhe dhe qytetërim ilir, është një grua dhe nga origjina e nënës së Aleksandrit të Madh dhe modelit që ka përjetësuar në shekuj. Mjaftojnë këtë të dyja (Rozafa dhe Teuta) figurat e mëdha të lashtësisë dhe qytetërimit labeat dhe Ilir, që Shkodra të jetë një grua, si figurë e një zonjë në përgjithësi.
Gjithmonë Shkodra ka qenë e lakmuar si një kryefemër e madhe e trevave shqiptare. Nuk është e qartë në se vërtetë bukuria e plotësuar natyrore e saj, duket si një bukuri femre e jashtëzakonshme, apo historia është një model i madh superfemre?!
Politikisht unë nuk është se e përcaktoj një model në se është femër, grua apo zonjë, sepse me sa duket bëj konotacion jo të mirë me vetë fjalën …politikë!? Por Shkodra mbas viteve ‘90-të ka mundur të lartësojë femra në politikë
. E kam fjalën për politikën, sepse në art dhe akademi, ka plot, dhe do të ketë gjithmonë emra të super lartë. Kaq shumë femra të mëdha ka Shkodra në përfaqësimin e saj intelektual dhe sportiv, sa e kanë të vështirë shumë e shumë treva dhe qytete të përballen me të. Por në politikë…?!
Ndoshta unë nuk jam nga ata që e ndaj kaq shumë shoqërinë dhe politikën në femra dhe meshkuj. Nganjëherë “bërtitet” shumë për femrën dhe në fakt bëhet një punë akoma më e keqe në përfaqësimin e saj sidomos politik.
Sidomos kuotat dhe pse janë diçka e mirë për të bërë një përfaqësim sikundër është dhe shoqëria, sërish ka një model, i cili në vend që të bëjë femrën dhe gruan një të barabartë, sërish e çon në “parcela” të cilat nuk janë pozitive në demokraci.
Në kohën e sotme Shkodra ka pasur një përfaqësim të dobët të burrave në politikë. Sidomos kohët e fundit, ajo nuk ka pasur një burrë në lartësitë e mëdha politike që të luaj rol të rëndësishëm.
Nuk e di në se është faji i burrave apo meritë e një gruaje apo zonje si Topalli?! Normalisht që figura e saj ose ka eklipsuar ato, pra burrat, ose nuk ka lejuar që ato, pra burrat, ose ishte dizenjuar që vetëm ajo dhe qartësisht ka për luajtur violinën e parë dhe me zë të lartë politikisht.
Unë nuk mund ta marr me mënd se sa e kënaqur dhe e bindur është zonja Topalli me përfaqësimin e saj politik, intelektual, qytetar sidomos shkodran (ajo është pinjolle e një prej familjeve shumë të mira qytetare shkodrane) tani kur nuk është në bie fjala lartësinë më të madhe që një grua ka pasur në pushtetin politik në Shqipëri?!
Nuk e di nëse ka ndonjë peng (sigurisht unë vlerësoj faktin që ajo është kujdesur me mënyrën e saj për Shkodrën dhe shkodranët duke ia kaluar shumë burrave që nuk kanë bërë asgjë) për modelin e saj?!
Unë vetëm një gjë nuk kam arritur të kuptoj prej vitesh? Kulturalisht çfarë mund të kishin bashkë origjinat nga Viçidoli te Gjuhadoli në simbiozën politike të saj me kreun maximus të PD-së?!
Sigurisht respekt për të dy vendet, por as që bëhet fjalë të krahasoj me vepra, qytetari, model kulturor, arsimor, trashëgimi, lagjen Gjuhadol me atë mes Gjakovës dhe Tropojës dhe për këtë, besoj se nuk ka pse diskutohet shumë.
Thashë origjinat dhe jo kultura, arsimi, dhe edukimi vetjak në jetë. Ky i fundit sigurisht është personal dhe normalisht as që mund të dalloj persona dhe personalitete në vullnetin e tyre për qytetërim.
Por dhe në këto vite që ka qenë zonja Topalli në lidershipin e lartë politik dhe si Kryetare e Parlamentit, Shkodra është identifikuar me të.
Unë do doja gjithmonë që ajo të identifikohej me Shkodrën. Mbase ka ndodhur dhe kjo, por…?! Normalisht nga socialistët ka qenë zonja Hafizi, sigurisht një qytetare e Shkodrës, pa ekzibicionin e Topallit, por me qetësinë e një zonje që matet shumë dhe që ruan qetësinë.
Janë si në antipod me njëra tjetrën, dhe sigurisht janë zonja të cilat kanë marrë fuqi nga Shkodra dhe duhet të dinë se si e kanë përdorur këtë fuqi të madhe historike të qytetit “zonjë e shekujve”.
Sot të majtët kanë propozuar një zonjë tjetër për herë të parë si Kryebashkiake. Sigurisht ajo është një qytetare dhe padyshim një grua ambicioze, që në ndryshim nga shumë të tjera, dëshirën dhe ambicjen e saj për këtë post, ka vite që e ka shfaqur.
Për mua kjo është e rëndësishme në politikë, dhe ndryshim i madh dhe po të shoqërohet dhe me suksese dhe model të propozimeve, plotëson shumë më mirë figurën. Keti Bazhdari tashmë, është një realitet i kapshëm dhe në rritje me aleanca të forta PS dhe LSI në Shkodër.
Dje po shikoja një propozim për një grua tjetër të Shkodrës e bërë nga një grua. Po, zonja Doda propozon zonjën Voltana Ademi për PD-në, në Shkodër.
Nuk e di se si do të shkojë dhe mbase ndodh, por unë besoj se aty (PD) gara është shumë problematike deri sa lidershipi të merret vesh (nëqoftëse merren vesh) për emrin përfundimtar për kandidat për Bashkinë e madhe të Shkodrës.
Kur them Shkodra është një zonjë, nuk dua të them se ajo është një burrë, mashkullore dhe e ashpër si një mashkull “trim” dhe i “fortë”! Nuk ka nevojë të shkojmë te këta terma ashtu sikundër nuk kishim nevojë të prezantoheshim nga burra “super të fortë” të cilët e prishin fytyrën e bukur të Shkodrës, e masakrojnë atë.
Kur them Shkodra është një zonjë, dua të them e zgjuar dhe e dashur me “zogjtë e vet”, e qëndrueshme dhe padyshim krijuese. Normalisht dhe e bukur. Sot Shkodra nuk është një qytet i bukur urbanisht dhe estetikisht.
Jo, nuk është?! Për këtë e kanë fajin burrat dhe gratë në Shkodër. Normalisht të gjithë kanë faj, por ja që nganjëherë kështu ndodh. Prandaj edhe kësaj rradhe duhet trajtuar si një zonjë. Mbase dhe mund të drejtohet nga një zonjë.
Mbase them, sepse nuk jam prej atyre që them se “duhet më patjetër të drejtohet nga një zonjë”? Nuk mund të them kështu, sepse nuk do të ishte me parimet e mia, por sigurisht nuk do të kisha kurrfarë problemi se mund të ishte një zonjë.
Derisa PD-ja të nxjerrë kandidaturën e vet, kemi një zonjë në garë. Tashmë modeli dihet për mua.
Qyteti duhet trajtuar si një zonjë. Në se këtë duhet ta bëjë një zonjë, apo një zotni, pa ka rëndësi. Ka rëndësi që të trajtohet si zonjë dhe ju bie barra atyre që do të shkojnë në finish të garës, ta bëjnë këtë gjë realitet.



