Erdhi 20 vjeç, iku plak. Historia e Remzi Selimit në burgjet e komunizmit

Nga Kastriot Dervishi

Lindur në Shkup në vitin 1933, Remzi Selimi është një prej rekordeve të zeza të regjimit komunist në trajtimin mizor që i bëri shqiptarëve që banonin në trojet shqiptare në Jugosllavi. Remziu u dënua tre herë.

Erdhi në Shqipëri djali i ri 20 vjeçar dhe iku prej saj plak në moshën 58 vjeçare. Bëri 33 vjet e 2 muaj burgim.

-Periudha e vuajtjes së burgimit:

1953-1964: 11 vjet, 4 muaj, 15 ditë

1967-1972: 4 vjet, 10 muaj, 9 ditë

1974-1991: 16 vjet, 11 muaj, 4 ditë

-Mosha në fillim të dënimit: 20 vjeç

-Mosha në mbarim të dënimit: 68 vjeç

Dënimi i parë
Remziu ishte me profesionin kasap. Kishte veçse dy klasë fillore. Me një formim të tillë e me moshë të re nuk mund të jesh i përshtatshëm për misione agjenturore sikurse e përfytyronin atë regjimi komunist i Shqipërisë dhe oficerët e Sigurimit.

Remziu dashuronte një vajzë, por familja e tij nuk e pranonte atë si nuse. Në këto kushte ka shkuar ushtar në Zagreb. Ishte nisur për të çuar postën ushtarake në Podgoricë kur merr vesh se dy shokët e tij ushtarë shqiptarë që do arratiseshin ishin arrestuar.

Në këto kushte, i ndodhur në Podgoricë arratiset për në Shqipëri. Më 22.7.1953 kalon kufirin dhe nga Shkodra e sjellin në Shijak ku mbaheshin emigrantët kosovarë. Në pyetësinë e parë, zhvilluar 4 ditë pas mbërritjes,

Selimi tregon se kryente shërbimin e detyrueshëm në Zagreb dhe se nuk i njihte oficerët e UDB-së.

Torturohet për 15 ditë në mënyrë që të pranonte ato që i kërkonte Sigurimi.

Në raportin e datës 1.9.1953 komandanti i Repartit nr.2001 Zoi Themeli thotë se do ishte e vlefshme ta dërgonin si agjent në Jugosllavi, por në rast se kjo nuk bëhej, atëherë të burgosej e të dënohej si agjent.

Në këto kushte, duket që jeta e të riut ishte shkatërruar tashmë. Refuzimin për t’u bërë agjent ai do ta paguajë me burgosje të gjatë, nën akuzën për “spiunazh”.

Arrestohet më 12.10.1953. Gjykata Ushtarake e Tiranës, me vendimin nr.197, datë 19.12.1953, e deklaroi fajtor për spiunazh dhe e dënoi aq sa kërkoi prokurori,

me 12 vjet burgim. Gjykata shprehej se e dënonte me pak burgim nisur nga mosha dhe nga mungesa e pasojave (mbledhja apo dorëzimi i informatave). U lirua më 27.3.1964.

Dënimi i dytë
Tre vjet pas daljes nga burgimi i gjatë, Remzi Selimi nuk kishte çfarë të bënte më në Shqipëri. Duke qenë i internuar në Lushnje, së bashku me emigrantin tjetër shqiptar nga Kosova Muharrem Mazreku,

u orvat të arratiset. Komunikata nr.156, datë 6.7.1967 e MPB-së bën të ditur se të përmendurit u ndaluan në postën e Qafë-Thanës në mëngjes. Me vendimin nr.24, datë 8.8.1967

Gjykata e Vlorës e deklaroi fajtor për akuzën e tentativës për arratisje dhe dënoi me 5 vjet burgim. U lirua nga kampi i Spaçit nr.303, më 14.5.1972.

Dënimi i tretë

Dy vjet pas mbarimit të burgimit të dytë, duke qenë se banonte në Ndërmarrjen Bujqësore “29 nëntori” Çermë, Remzi Selimi tentoi të largohej nga Shqipëria. Jeta e padurueshme nën një regjim internacionalist proletar antishqiptar si ai i Enver Hoxhës, ishin shtysa të forta për t’u largua nga vendi.

Disa herë kërkoi riatdhesim, por kjo nuk i lejohej, pavarësisht se nuk kishte shtetësinë shqiptare. Më 25.4.1974 tentoi të arratisej nga kufiri nga malësia e Shkodrës, por u ndalua e më pas u arrestua. U gjykua nga Gjykata e Rrethit të Lushnjës.

Me vendimin nr.70, datë 31.7.1974 në bazë të nenit 255 (arratisja) të Kodit Penal, gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 24 vjet burgim. Pas shumë vitesh burgim, u lirua me dekretin nr.7483, datë 27.3.1991 (nr.7 i listës) me të dënuarit e fundit politikë që mbaheshin të burgosur .

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...