“Ligjin në Fushë-Krujë e bëjmë ne”: Ja kush i jep siguri Xhisielës pas shpërthimit

526

Xhisiela Maloku ka reaguar pas shpërthimit me tritol që ka ndodhur pranë banesës së saj mbrëmjen e djeshme. Sipas saj, familja është tronditur nga kjo ngjarje. Ajo tha se sulmi është kryer nga ana e Partisë Demokratike.

Ajo thotë se është e kërcënuar nga ana e opozitës, ndërsa tregon se kanë qenë familjarët e Rexhepit ata që i kanë ardhur në ndihmë. Për ironi, ajo tha se ka kërkuar mbrojtje nga policia, por për ta ruajtur, po e ruan Ramazan Rraja.

“Vendosja e tritolit është bërë nga PD-ja dhe nga opozita, nuk jam e kërcënuar nga fisi Rraja. Unë të parin kam telefonuar Ramazan Rrajën, kushëririn e Rexhepit. Unë mendoj se e ka bërë opozita dhe të vërtetën e di vetëm unë, ata dolën bllof”, është shprehur Xhisiela Maloku.

E reja është shprehur më tej se i vetmi person me të cilën ndihet e sigurt është kushëriri i Rexhepit, Ramazan Rraja.

Po kush është Ramazan Rraja? Ai është një nga dy kushërinjtë e Rexhep Rrajës, që sipas oficerit të policisë Emiljano Nuhu, e kanë kërcënuar hapur.

Këtë kërcënim, Nuhu e ka paditur në polici. Ngjarja ndodhi në lokalin Rich Mond në Tiranë.

“Çfarë problemi ke me ne? Për çfarë e ke thirrur sot Xhisielën dhe e ke pyetur për ne? Nuk më rruhet k… fare për ty që ke ardhë nga Berati dhe do të bësh ligjin në Fushë-Krujë. Ne e shkrijmë të gjithë komisariatin dhe ty të s’të kemi asgjë.

Do të të zhdukim ty bashkë me familjen, po thirre më njeri nga fisi jonë ta marrësh në pyetje. Do të zhdukim ty bashkë më familjen tënde për 24 orë nëse vazhdon merresh me ne dhe mos të të shohim më në Fushë-Krujë. Ligjin në Fushë-Krujë e bëjmë ne dhe jo ti”.