Gazetari që refuzoi intervistën me Emiljano Nuhun: Edhe unë mora pjesë aktive në skenarin e PD-së

1021

Gazetari Taulant Kopliku ka deklaruar se Dritan Zagani kërkoi ndihmën e tij për të intervistuar oficerin Emiljano Nuhu, i cili ndihej i rrezikuar së bashku me familjen e tij.

- PUBLICITET -

Nuhu ka deklaruar se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rrahja.

Kopliku thotë se Zagani i kërkoi atij të bënte intervistën por për shkak të angazhimeve nuk mundi, gjithsesi ai deklaron me ironi: “Edhe unë mora pjesë aktive në skenarin e PD-së”.

Statusi i plotë i Taulant Kopliku:

Edhe unë mora pjesë aktive në skenarin e PD-së

Me datën 20 Shtator, me shkruan në msn Dritan Zagani. Më kërkon të komunikojmë për diçka. I përgjigjem se do ta telefonoja të nesërmen, por u ngarkova me punë dhe nuk arrita.

Të dielen pasdite, me dt. 23 në mbrëmje, më shkruan sërish. Kësaj radhe në whatsapp.

“Mirëmbrema shok. More se nuk e mora vesh, më harrove nga punët apo nuk më njohe”?

E telefonova menjeherë duke i kërkuar ndjesë.
Më pas nisi të më tregonte atë që tre ditë më pas do të kthehej në kryelajm.
Po mundohem ta sjell të plotë gjithë atë që më tregoi Zagani atë natë:
“Më ka kontaktuar para disa kohësh një punonjës policie. Më kërkonte me dëshpërim ta ndihmoja, sepse ndjehej i rrezikuar së bashku me familjen.

Në fillim hezitova dhe kërkova të marr kohë. Nuk dija nëse po ndihmoja një njeri të ndershëm, një të korruptuar që rrezikonte burgun apo ndoshta dikë të futur nga ata që kam denoncuar publikisht. Pasi bëra disa telefonata me kontaktet e mia të mbetura atje, mora informacionin e nevojshëm se kush është personi në fjalë dhe çfarë i kishte ndodhur se fundmi në përballjen me deputetët socialistë dhe kryetarin e Bashkisë Krujë.

Mora vesh se vërtetë ishte i rrezikuar, sepse kërcënimet ishin nga persona të skeduar si eksponente të krimit të organizuar në zonë. E rikontaktova dhe i dhashë mbështetje. E këshillova të mos fliste me njeri për destinacionin dhe i dhashë mikpritje. Gjithçka në një raport mirëbesimi mes dy personash që kanë përjetuar të njëjtën situatë nga pushteti bashkëpunëtor i mafias.

Tashmë ky djali bashkë me familjen ndodhen këtej (në Zvicër) dhe ka nisur procesin e paisjes me dokumenta nëpërmjet një avokati“.

Më pas Zagani më rrëfeu fjalë për fjalë të gjithë historinë e cila tashmë është e njohur nga të gjithë. Në fund më tha që nëse do jem i interesuar si gazetar, mund të flasim me këtë djalin.

Nisur nga pamundësia fizike, për shkak të impenjimeve, e falenderova, por i thashë se e kam të pamundur. Vetëm dje, nga një status në fb i gazetarit Basir Çollaku, mësova se intervista ishte realizuar. Sot, ka gjithë ditën që pyes veten, mos jam edhe unë skenarist PD-je pa ditur gjë?

- PUBLICITET -