I ka drejtuar të dyja ekipet, Canaj bën analizën: Ngjitet Vllaznia, Dinamo si e vdekur

385

Vllaznia-Dinamo është supersfida e kësaj jave në Grupin A të Kategorisë së Parë.

Dy pretendentet për vendin e parë dhe aktualisht me pikë maksimale pas dy javëve të para do të përballen nesër në “Loro Boriçi”.

Ish-trajneri i Dinamos dhe Vllaznisë, Agim Canaj, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, i analizon të dyja skuadrat dhe jep opinionin e tij se cila prej të dyjave ka më shumë shanse të ngjitet në Superiore në sezonin e ardhshëm.

Keni drejtuar Dinamon dhe Vllazninë si trajner. E kishit menduar ndonjëherë se këto dy skuadra me histori në futbollin shqiptar do të përballeshin në Kategorinë e Parë, ku luftojnë për ngjitjen në elitë?

Të them të drejtën, është e vështirë që të mendosh se ekipe të tilla me historinë që kanë të militojnë në Kategorinë e Parë.

Nuk më kishte shkuar ndërmend se do të flisnim për një përballje të tillë në një ligë inferiore duke ditur trofetë dhe historinë që kanë këto klube.

Por, në fund të fundit, ky është realiteti dhe duhet t’i marrim të gjitha gjërat ashtu siç janë.

I keni ndjekur këto skuadra në dy javët e para të kampionatit?

Ne fakt, kam qenë më shumë i fokusuar te Vllaznia.

Kjo për shkak të rënies së skuadrës nga Superiorja pas shumë vitesh dhe u bë një temë shumë e diskutuar në media dhe në opinionin publik. Dhe sigurisht që tërhoqi vëmendjen maksimale të të gjithëve.

Duke parë presionin e gjithë qytetit, e vendosi Bashkinë e Shkodrës në pozita pune për të krijuar një ekip cilësor që të luftojë për ngjitjen, pavarësisht problemeve që mund të ketë.

Ka siguruar gjashtë pikë të plota në dy ndeshjet e para dhe e ka nisur në mënyrën më të mirë garën për rikthimin në elitë.