Shkodër, kur andja t’rrok e dishrimi me t’dasht, m’përflak

Nga Albert Vataj

Shkodër, je njatje ku andja t’rrok e dishrimi me t’dasht, m’përflak me njaq dashuni, sa mundem veç m’u përul, e tue u lut si para nji altari t’shëlbyem prej gazmimit; mundem veç me besue n’mrekullim t’gjanave qi mylmehen amëlcisht n’zemrat qi i bajn vend çdo andrre.
Mall kam për çdo gja tanen, Shkodër Loce.

 

Mall e dhimbje qi m’sëmbon njaq fort, sa krejtçka tjetër ma zbeh, gjithçmos t’rrokshme, veç ma ftof.

Ti ke mbetun njatje ku t’përkundin kujtimet, kotesh kllapitjeve t’ambla, kah Drini t’vërshon e Buna t’lag shputat e kamve, mramjeve kur meditueshëm lshohesh… njatje ku Maranej t’përpin e Taraboshi t’fillëron përmbi; njatje ku liqeni shkadahet n’paqtin e vet, e ti veç jepesh dorzan atij adhurimi.

 

Iki pa dasht me ta kthye shpinën, e kthehem tue mos besu se kam ik ndojherë.
Ka do gjana t’cilave edhe pse u ke kthye shpinën, s’munden me t’braktis, s’munden me t’ra mohit. T’vuhen parmas si jehona e zanit t’nji legjende. Rrijn me ty, me gjanat tueja, me ma t’shtrenjtat andje e kujtime.

Sa ma gjatë qi m’mungon, njaq ma i thellë asht shpimi i mallit për ty. Sa ma larg iki, njaq ma t’dishrueme e t’anshme mbetet tançka më mban t’lidhun me ty.

 

Ndër andje harbimesh t’thekshme e dishrimesh të rreshkuna mallit, gjegjem me u kacarrit mbas do kumtesh fotografike, s’andej me ftillue saora nji gjendje tërbimi ngjyrash, nji ngulm me i diftue gjanat bash njashtu siç ky shkulm rreket m’i end. Tinzisht m’bahet se dielli turret ma duhishëm me e la me dritë e larushì, kah syni rrok me shastisje, se sa vet realja përçapet me e ravijëzue me dogoni idilin e vet, në k’si ditësh të fillrueme prej resh t’nargueme me zemëratë t’amshueme, e t’nji kjartësie që e ngërthen në solemnitet pamjen.

Ndoshta ma shum se syni, dikund mundet me kqyr njaq thellë e njaq kjart veç zemra, kjo ngase tançka asht end me fillin e vezullimit të dishrimeve ma t’epërme, si tue dasht me krijue nji diçka fort t’andshme e ma t’bukrën qi ka mujt m’e rrok me rreze dielli.
Kam gjet përditë nji fije përkushtim me t’kujtue, si tash qi po mundem me t’përtrì n’përfytyrimin tem. Kam ardhun te ti tinzisht, njashtu si fminija e mbetun larg na i kujton gabimet.

 

Ndahem prej teje tue t’lan çka ka ken përgjithmon veç jotja, tue mujt me ken diqysh edhe jona… t’mirën e zemërbardhsinë. Rrin e na pret te pragu si nana, diellplote, hanëndritun, e tançka tjetër vetvedi kena patun si ngulm me e kumtue.

 

Gëzo Shkodër ma t’bukurin nur që t’ka ra. Shfleto n’kangt tueja, harenë e akshihaneve dhe namin e përbotshëm t’bijve t’tu. Ma t’bukurën prej tyne këndoje me zà, ta ndigjojn tan bota t’bylbylshmen kang, njat t’dashnis, dashnis qi ke dijt bash fort me e dasht.
Tankush kje me ty, edhe un’, ashtu me shpirt e zemër njaty ku ti dergjesh n’halle tueja, përpushesh n’dogonit tueja, harbon n’gazmendin tand.

 

Vijmë n’prehnin tand, e ikën, si prej prehnit të nanës, përplot me gazmend e dishira. E ti metesh tamli ma jetdhanës, ai i gjinit t’nji flijimi.

 

Ke ndryshue njaq shum’ Shkodra jeme. Je ba njaq e bukur për syt’e mi, e njaq flakruese për ma t’ndërkrymet dëshira qi mylmehen n’t’amblen, limfë tanden. Po këndoj e po kjaj për ty. Po gazmoj e po vuej prej se njaq shum m’mungon.

 

Kam lan te ti kujtimet, fminin, gazmendin e idhnimin, kam lan ç’ka kam pas ma t’shtrejt e ma t’dishrueme. Lanun kam n’ty, Shkodër, diellin ma t’ndritshëm qi kam pa, ma t’harbuemet pranvera qi m’kan deh, kam lan n’prehnin e truellit tand eshtnat e prindve t’mi, e do t’la ç’ka ka me mbet e jemja për amshimin.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...