Pasojat e funksionimit të një administrate shtetërore krejtësisht familjare

Një e ardhme e zymtë për shqiptarët prej vitesh është ravijëzuar. Aq sa tashmë jemi shpresëhumbur edhe për të ardhmen.

Në horizont është mjaft i dukshëm vetëm niveli i varfërisë në rritje në këtë gjysmë shtet të çuditshëm që kemi mundur të ndërtojmë prej afro 30 vitesh. Një gjysmë shtet me një administratë shtetërore krejtësisht nepotiko – familjare.

Sa edhe pse na ka bërë qesharakë në sy të botës, ne nuk duam t’ia dimë. Vetëm ua japim këmbëve për t’u larguar me të vetmin synim: të shpëtojmë të ardhmen e fëmijëve nga ky gjysmë shtet familjar, grotesk dhe tragjik njëherësh. Sa sot janë larguar mbi 1,5 milion shqiptarë, gjë që ka sjellë që shumë qytezave e fshatrave u ka mbetur vetëm toponimia e emrit nëpër hartat e vjetra. Pasi sot janë shpopulluar krejtësisht.

Ndërsa fluksi sa vjen e rritet. Kjo ka sjellë edhe shqetësimin e ndërkombëtarëve. Një realitet që shqiptarët e pranojnë si një realitet të domosdoshëm. Bile me shaka shtojnë: Nëse lëvizja do të ishte krejt e lirë, nga Shqipëria do të largoheshin të gjithë. Do të mbetej vetëm grupi i vogël i oligarkëve dhe i kryetarëve të partive që do të grindeshin me njëri tjetrin se cili ishte më i zoti në përzënien e shqiptarëve nga trojet e veta.

Bile thonë: Edhe Skëndërbeu i bronztë që vazhdon të qëndrojë i palëvizur në qendër të Tiranës do t’i zbriste kalit dhe do të largohej. Kjo është açik e vërteta që prej vitesh ka trokitur në zemër të Shqipërisë.

Çfarë është bërë nuk zhbëhet. Po të bëhemi sëbashku, diçka mund të ndryshojmë dhe mund ta përmirësojmë. Dhe starti duhet të nisë nga zhbërja partiake e administratës. Pasi edhe sot e gjithë ditën, është partia që emëron në krye të punëve jo menaxherë e organizatorë të punëve, por pronarë të administratës publike dhe institucioneve shtetërore, përfaqësues të asaj klase politike që ne me votën tonë e vëmë në krye. Natyrisht siç po tregojnë këto afro 30 vjet, për turp të zotit.

Të gjithë e dimë dhe të gjithë heshtim, për çfarë administrate idiote ka mundur të ndërtojë kjo klasë politike që sot të gjithë ne shqiptarët e shkretë që ende kemi mbetur në këto 28 mijë kilometra katrorë i themi “me nder me thënë”. Se ç’mender me thënë klasë politike është, mjafton të kujtojmë të enjten, ditë kur ajo na tregon nivelin grotesk të gjithë qenies së saj dhe na tregon të vërtetën e ashpër që prej saj të mos presim ndonjë ndryshim në të mirën tonë, pasi ajo thjesht mendon vetëm për familjen oligarke të saj.

Me një administratë të tillë, as nuk na shkon mendja se mund të zgjidhim ndonjë prej halleve të shumta që na kanë zënë.

Një administratë familjare sa askujt nuk i shkon mendja nëse është profesionist, apo jo. Mjafton të jetë përfaqësues i familjes në pushtet. Të tillë përfaqësues i gjen në të gjithë administratën shtetërore.

Jo të paktë janë të ardhurit nga Tirana që i gjen të punësuar në çdo cep të Shqipërisë. Janë përfaqësues të familjes në pushtet. Sa për t’i kontrolluar nëse janë në punë, ndodhin situata aq groteske sa tregohen si barsoleta nga njëri qytet në tjetrin.

Një shembull i tillë. Një përgjegjësi jo specialist i një institucioni të Tiranës për të kontrolluar vartësin që nga Tirana e ka punësuar në një rreth të largët, i kërkon çdo ditë që për të vërtetuar se është në punë t’i dërgojë fotografi të institucioneve kryesore të atij rrethi, apo të busteve e monumenteve që ndodhen aty.

Inspektori që paguhet përmes një kontrolli të tillë na tregon me të qeshur. Tashmë, i kam fotografuar në pozicione të ndryshme të gjitha institucionet, bustet e monumentet dhe shefit ia dërgoj çdo ditë nga Tirana ku banoj. Shkoj një herë apo dy herë në muaj te vendi i punës, sa për të më parë edhe drejtuesit lokalë.

Nuk është një përrallë, po një açik e vërtetë për çfarë ndodh me administratën shtetërore në këtë gjysmë shtetin tonë me tamam gjysmë demokraci. Një budallallëk i tillë ku nëpunësit u tregojnë se janë te vendi i punës përmes fotografimit me celular të monumenteve, apo institucioneve shtetërore u shkon nëpër mendje vetëm budallenjve, që sot i kemi me shumicë në të gjitha instancat shtetërore. Për të mos thënë të tjerë inspektorë, apo punonjës që i marrin çdo ditë në telefon shefat për t’u treguar se kanë dalë në punë.

Apo të tjerë që me leje të shefit, vijnë vetëm një apo dy ditë në javë në punë nga Tirana, ndërsa qytetarët çdo ditë grumbullohen për të zgjidhur hallet e tyre në derën e zyrës së tyre që qëndron më të shumtën e mbyllur.

E vërteta është se në këtë gjysmë shtetin tonë kemi patur gjatë këtyre viteve një fluks të paparë reformash. Por që kanë sjellë në shumicën e rasteve vetëm një rritje të varfërisë e të mjerimit për shumicën e shqiptarëve.

Në gjendjen ku ndodhet ky gjysmë shteti ynë e vërteta duhet treguar açik dhe jo sipas midesë krejt të sëmurë të kësaj me nder klase politike që ne kemi, klasë politike e ndarë në 129 pjesë që ua ka imponuar shqiptarëve që për një vend pune t’i ngjajnë mizës së kalit që lëviz sa nga një b…thë kali, te b…tha e kalit tjetër. Për të treguar shembuj mizash kali të tillë nuk është hiç e vështirë duke nisur nga Tirana e duke vazhduar në çdo cep të kësaj Shqipërie.

Tashmë ne e dimë mirë se karrigia e pushtetit, duam apo s’duam, zihet më së shumti nga niveli i maskarallëkut që njëri apo tjetri mbart dhe jo nga përgatitja profesionale. Përderisa në këtë vendin tonë, korrupsioni është i gjithëpushtetshëm dhe i pandëshkueshëm, nuk duhet të presim ndonjë ndryshim as në administratë, as në organizimin e tenderave me paratë publike që po mbushin xhepat e grupit të oligarkëve pa na zgjidhur ndonjë problem ne shqiptarëve të shkretë që jemi vënë nën hyqmin e lukunisë së oligarkëve të pashpirt.

Nepotizmi i oligarkisë tashmë është vështirë t’i hapë dyert e konkurimit për të aftët dhe specialistët. Pra, çfarë na thuhet është vështirë t’i besojmë kësaj me nder klase politike. Ajo as nuk ia ka idenë se nga nis edukata. Është krejtësisht pa edukatë. Për të gjitha poshtërsitë që vetë ajo i instaloi në këtë vend, as një të falur të vockël nuk kërkoi. Edhe pse pushtllëqet e saj janë të pafundme sa kanë mbushur çdo qoshe të këtij vendi.

Një privatizim i administratës nga lidhjet familjaro – politike tashmë është evident. Sa është vështirë për ta shkërmoqur. Dhe shqiptarët vazhdojnë të largohen sepse e ndjejnë vështirësinë e shkërmoqjes së këtij gjysmë shteti që është organizuar përmes një gjysmë shteti krejtësisht oligarko – familjar.

Me këtë model të organizimit të shtetit ne do të vazhdojmë të largohemi. Aq sa një rrugë të re e kemi gjetur edhe përmes dërgimit të fëmijëve për studime jashtë vendit. Mjafton të përmendim faktin se këtë vit rreth një e treta e maturantëve kanë bërë kërkesë për studime jashtë.

Ndërsa prindërit marrin kredi për të përballuar shpenzimet e studimeve. Mjafton ky detaj për të na treguar llumin ku kemi rënë dhe vështirësinë për të nisur një rrugë të re drejt një të ardhmeje më të mirë.

Nga Riza HOXHA

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...