“Vllaznia të mos shitet”, kompania që bëri vlerësimin jep këshillën shumë të rëndësishme

Klubi i Futbollit Vllaznia, në kushtet në të cilat ndodhet momentalisht, nuk mund të privatizohet ose nuk rekomandohet që të privatizohet.

Ky është konkluzioni i nxjerrë nga “Albanian Audit Partners”. Kjo kompani ka bërë raportin e vlerësimit të aseteve të klubit Vllaznia për të vijuar më pas me procesin e privatizimit.

Raporti nga “Albanian Audit Partners” është dorëzuar që më 9 maj. Tashmë ky raport ndodhet në duart e anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe do të kalojë për miratim në këtë këshill.

Në total vlera e klubit Vllaznia në bazë të përllogaritjes mbi gjendjen aktuale të klubit është 618 milionë lekë të vjetër. Megjithatë, duke parë problemet që Vllaznia ka në raport, thuhet se vlera përfundimtare e aseteve të lihet në shumë prej 507 milionë lekësh të vjetër.

Pra, nëse shkohet deri në procesin e privatizimit, ata që duan ta blejnë Vllazninë përmes ankandit që do të bëhet, duhet ta nisin me vlerën minimale prej 507 milionë lekësh deri tek ai që mund të japë vlerën më të lartë.

Nga ana tjetër, në raport Bashkia Shkodër propozon ose shpreh dëshirën që një pjesë të aksioneve t’i mbesin asaj dhe pjesa tjetër kompanisë apo individit që do jetë i interesuar.

Përpara se të shkohet deri te ky proces, Bashkia Shkodër ka disa detyra të rëndësishme për të kryer.

DETYRIMET

Klubi Vllaznia, që nga viti 2011 kur u mor me 100% të aksioneve nga Bashkia Shkodër, rezulton me humbje të konsiderueshme që mund të kalojnë imagjinatën e gjithsecilit.

Sipas të dhënave nga QKR, Bashkia Shkodër nga 2011 dhe deri më tani ka dhënë 3 miliardë e 738 milionë lekë të vjetër. Pavarësisht se gjithnjë ka shkuar duke rritur kapitalin themeltar të saj, kjo rritje është artificiale, bën të ditur raporti i auditimit sepse ato shuma parash janë dhënë vetëm për të shlyer pagat dhe shpenzimet e tjera që ka pasur shoqëria, pra klubi Vllaznia sh.a.

Edhe pse ka pasur momente kur klubi Vllaznia ka tentuar që të rregullojë bilancet e saj, sërish ka qenë e pamundur që t’ia dalë.

Aktualisht, Vllaznia zyrtarisht ka në total 1 miliard e 460 milionë lekët të vjetër detyrime. Rreth 1 miliard e 200 milionë janë detyrime në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve dhe pjesa tjetër borxhe ndaj të tretëve, siç është FSHF apo edhe subjekte të ndryshme.

Duke u gjendur në këto kushte, pra me humbje kolosale në çdo vit dhe me një shumë detyrimesh marramendëse, “Albanian Audit Partners” nuk e këshillon bashkinë që të shesë tërësisht ose plotësisht aksionet në këto momente.

Para se të bëjë këtë, bashkia duhet të marrë masa që të rregullojë bilancet e saj, çka do të thotë të shlyejë detyrimet e prapambetura në shumën prej 1 miliard e 460 milionë lekësh të vjetër.

Rritja e kapitalit nuk ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes financiare sepse ka qenë subvencion i Bashkisë Shkodër për mbulimin e humbjeve të klubit, thuhet në raport.

Humbja totale e Vllaznisë nga 2011 deri më tani është 4 miliardë e 642 milionë lekë të vjetër nga të cilat 1 miliard e 439 milionë janë të pambuluara nga Bashkia Shkodër, pra para ende të padhëna për detyrime të ndryshme.

RAPORTI

Humbja që Vllaznia ka në gjithë këto vite i bën vështirësisht të shitshme aksionet e saj thotë raporti. “Në vlerësimin e aseteve te Vllaznia janë analizuar dhe konvertuar në vlera financiare vetëm historia, tradita dhe potencialet e zhvillimit në Shkodër.

Raporti i të ardhurave me shpenzimet është 1:3 në favor të shpenzimeve, nga këndvështrimi i treguesve financiarë, shoqëria është e pashitshme.

Për të bërë të mundur interesimin e blerësve të ndryshëm që të blejnë aksionet e Bashkisë Shkodër në klubin Vllaznia sh.a, tërësisht ose pjesërisht, ne i propozojmë aksionarit të vetëm, Bashkisë Shkodër, që para se të hedhë për shitje aksionet e saj në këtë klub, të ndërmarrë disa veprime lidhur me pastrimin e disa llogarive të bilancit kontabël të klubit, si mbulimi i humbjeve të mbartura dhe të vitit 2017 dhe marrja përsipër e detyrimeve kreditore.

Për këtë duhen vendimet përkatëse dhe mbi bazën e tyre bëhen rregullimet në bilanc”, bëhet e ditur nga “Albanian Audit Partners”.

Klubi Vllaznia ka vlerësuar në vitin 2011 logon e saj, por vlerësimi i mëparshëm i logos në vitin 201 nuk u mor parasysh për arsye se vlera e saj është e dyshimtë dhe e paargumentuar, vlera e miratuar nuk është pasqyruar në bilancin e shoqërisë, ndërsa edhe po të ishte regjistruar vlera e saj, do të ishte zero për shkak të amortizimit.

Pavarësisht se klubi ka 6 vite me humbje, nuk ka nisur ende procesi për shpalljen e falimentimit të shoqërisë aksionere. Sipas ligjit në fuqi, kur një sh.a është tri vite radhazi me humbje, duhet shpallur falimenti.

ÇMIMI

Vlerësimi i Vllaznia sh.a është bërë me metodën multivariete, e cila ka nxjerrë vlerën totale minimale prej 618 milionë lekësh të vjetër, ndërsa rekomandon dhe vendos që shitja e aksioneve pjesërisht ose tërësisht të nisë nga 507 milionë lekë të vjetër, por para se të bëhet kjo, Vllaznia duhet të marrë masat e duhura për të shlyer detyrimet në vlerë 1 miliard e 460 milionë lekë të vjetër.

87 milionë lekë të vjetër janë vlerësuar tradita, historia dhe tifozëria, 95 milionë lekë të vjetër vlerësimi i emrit tregtar, vlera e lojtarëve 153 milionë lekë të vjetër duke përfshirë edhe të akademisë, vlera e të drejtës së stadiumit 42 milionë lekë të vjetër, ndërsa mesatarisht për periudhën 5- vjeçare 2018-2022 përllogariten 65 milionë lekë të vjetër të ardhura.

Këtyre shumave u janë shtuar edhe disa vlerësime të tjera, duke nxjerrë kështu edhe vlerën finale prej 507 milionë lekësh të vjetër.

Raporti i auditivit, i kërkuar nga vetë Bashkia Shkodër për vlerësimin e aseteve, ka për qëllim të ringrejë në nivelet më të larta të futbollit shqiptar dhe të ketë konkurrueshmëri në kompeticionet kombëtare dhe ndërkombëtare./panorama-sport/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...