Si e përshkruan diplomati francezi Maurice Trumbert Shkodrën e viteve 1913

Përktheu Fotaq Andrea

Në janar-shkurt 1913, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Maurice Trumbert, diplomat, shkrimtar, piktor, poet e muzikant francez, botoi në revistën “Revue du traditionnalisme français et étranger” reportazhin në “Skutari të Shqipërisë”, ku ndihet më së miri simpatia dhe dashamirësia e tij për “Vendin e Skipetarëve”, siç e quan ai. Autori themeloi

në vitin 1921 çmimin letrar “Trumbert” që jepet nga Akademia Franceze çdo dy vjet. Një bulevard në qytetin e tij të lindjes Biarritz mban emrin e tij. Po e botojmë reportazhin e tij me ndonjë shkurtim, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Me këtë rast po botojmë edhe një foto të rrallë “Ditë pazari në Shkodër”, botuar në “The Illustradet London News”, më 30 prill 1910. “Ky ilustrim, vihet në dukje në organin e shquar

anglez, nuk është një foto, por është një montazh i shumë fotove”, një arritje kjo e veçantë do thoshim për kohën. Montazhi fotografik përqendrohet në larminë e kostumeve piktoreske shqiptare, tek shfaqen në pazarin e Shkodrës – cilësuar në atë kohë kryeqyteti i Shqipërisë -, fustanella dhe tirqet, xhoka dhe xhubleta, mes atij vallëzimi madhështor të qeleshes tradicionale, një panoramë e tërë e pazakonte ekzotike e etnike, që mahniste udhëpërshkruesit e huaj evropianë.

Nga ana tjetër, me ton të rreptë kritik, autori shfaq në reportazhin e tij edhe anët negative të Shqiptarit historik, e në radhë të parë dukurinë mesjetare të gjakmarrjes, që edhe sot e kësaj dite po bën kërdinë në mes të ditës e në mes të qyteteve e fshatrave shqiptare, pa njohur moshë, gjini, kanun, me një horror të tillë që të pupurriq krejt trupin dhe të ngre qimet e kokës përpjetë. Mendjet e qytetëruara shqiptare dhe brezi i ri me frymë evropiane do dinë

më në fund t’i thonë “ndal!” kësaj dukurie, me forcën e ligjit të shtetit të së drejtës dhe në emër të së ardhmes shqiptare në bashkësinë evropiane.

Reportazhi, për mendimin tonë, duhet të jetë shkruar në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1912, por botuar me vonesë nga ana e revistës – shkurt 1913 -, sepse autori parashikon tashmë ngjarje të mëdha në Shqipëri, konkretisht ngjarjen më madhore në Historinë e kombit shqiptar: çlirimin e vendit nga zgjedha turke.

Në Skutari të Shqipërisë -Reportazh i shkruar nga Maurice Trumbert, 1913.

“Duke dalë nga lugina ku ndodhet Cetinjie nëpërmjet rrugës që çon në Skutari të Shqipërisë, shumë shpejt mbërrijmë përballë një panorame të mrekullueshme, pamja e papritur e së cilës në çarjen e beftë të maleve rrethuese shkakton mbi tërë ata që e shohin për herë të parë një përshtypje të gjallë.

Liqeni, rrethuar nga maja ku një pjesë ruajnë gjatë stolinë e tyre të borës shfaqet në një horizont thellësie prej shtatë a tetëqind metrash, mes një kuadri ndërtuar nga faqet e çrregullta të maleve ballkanike. Shpaloset krejt lirshëm dhe gjendesh i përfshirë në të nëpërmjet një zbritjeje mjaft të gjatë, që çon në fshatin e bukur malazez të Rjekës, mbi

lumin që mban po këtë emër. Pamja e tij është e ashpër; malet që e rrethojnë kanë në shumicën e tyre faqe shkëmbore të zhveshura, por në dalje të Rjekës, ishuj të bukur pyllorë në terrene të thyer ruajnë një freski këndellëse dhe vetë Skutari, ku arrijmë pas gjashtë orë udhëtimi, zgjatohet i ngeshëm në skaj të shtresës së gjerë ujore, si një sulltaneshë e lodhur nga ndriçimi dhe nxehtësia.

Kushdo që ka udhëtuar në Turqi e sheh veten në mjedisin e njohur me të hyrë në qytet. Ja tek has kalldrëme të çrregullta, të mirëmbajtura keq, si pothuaj kudo në perandori; po ja edhe mizëri e shtëpive aq tërheqëse për syrin në larminë e tyre të pafund, me ngjyrime të gjalla, me parregullsinë e tyre artistike, ballkone të drunjtë zbukuruar gjithë lule, mbi të cilat

teshat e ndera shumëngjyrëshe, tek po thahen, i japin mjedisit një ton të gjallë e të ngrohtë. Ngado kopshte të mbushur me bimësi haralisëse, falë përafrisë së vetë liqenit dhe nxehtësisë

së një vere të ngopur me lagështirë. Blerimi vjen e shuhet buzë kënetave, nga ku ngrihen përpjetë, sikurse në krejt shtrirjen e liqenit, shpendë të shumtë ujorë dhe vetë Skutari, në tërësinë e tij shfaqet si një korije gjigande. Në të djathtë, kështjella që sundon Bajnën (Bunën), lumë i shkurtër e i shpejtë që shkon nga liqeni fill e në Adriatik dhe që, i këndshëm e

i lehtë në zbritje, është gati i pamundur në ngjitje.

Me Damaskun, kryeqyteti i Shqipërisë është pa kurrfarë mëdyshje qyteti ku haset në Turqinë evropiane ngjyra lokale më e theksuar, dhe sidomos larmia më e jashtëzakontë e kostumeve që hasen në botë. Sikur të ulesh, ditën e tregut, në një tarracë që bie mbi njërën

nga rrugët që çojnë në të, mund të rrish e të kalosh një pasdite të tërë duke këqyrur e soditur tërë atë parakalim veshjesh që sfidon çdo lloj përshkrimi. Një pjesë e këtyre veshjeve janë të zbukuruara në mënyrë të mahnitshme, përbërë nga mëndafshe, ar e argjend, si dhe

nga stoli të tilla që janë fryt i një pune shpesh me shije të përkryer. Do përmendja në mënyrë të veçantë mantelet e kuq qëndisur në ar të grave të krishtera, që i mbajnë vetëm ato, monumente të vërtetë të një forme të hijshme, dhe me një vlerë artistike të pamohueshme.

Përgjithësisht, kostumi femëror është i rëndë dhe nuk lë ndonjë mbresë: përbëhet nga një shumicë tumanesh e xhokesh veshur një mbi një, brenda së cilave varroset pakthyeshmërisht e pamëshirshmërisht çdo lloj trupi i brishtë. Tek burrat, përkundrazi, linjat e trupit mbeten të pacenuara falë xhokes së hapur mbi këmishën e bardhë dhe falë atyre pantallonave ngjitur pas kofshëve (tirqet) që të kujtojnë ato të pagëve të Mesjetës, të cilat përfundonin me mbathina të sheshta (opinga) si ato pulenat me majuc që kërkonin vetëm

një shputë të përkryer. Qeleshja e bardhë, brezi shumëngjyrësh, ku ngjishen armë të bukura gjithë serm plotësojnë këtë veshje që nxjerr aq mirë në pah hajthmërinë dhe elegancën e formave tipike të Shqiptarit. Fustanella, që mbahet po ashtu edhe në Greqi, një lloj fustani me

pala të pafundme, si të një valltari, është në të kundërt më pak e hijshme dhe valëzimi i saj të bën të mendosh në mënyrë të pashmangshme për ato balerinat e Operës sonë.

Raca shqiptare është, nuk do thosha më e bukura, por më e shkëlqyera e globit. Burra e gra kanë tipare me një finesë e rregullsi që nuk haset pothuaj askund, në mos te Arabët. Sytë janë të mëdhenj e të zgjatuar, ngjyra e lëkurës me një bardhësi të qumësht, vezakshmëria e

fytyrës nuk ka të sharë, hunda, klasikmërisht e drejtë dhe tek burrat, goja zbukuruar nga një mustak i zi i hollë që lë të duken dhëmbë rruazorë. Natyrisht, është mjaft e rrallë të mund të gjykosh – thjesht nisur nga sa sheh – për fytyrën dhe hijeshinë e një vashe të mbuluar krejt me perçe dhe brenda një veshjeje valëvitëse pa formë; por një ditë, kur dy çifte shqiptarë të sapo martuar u shfaqën në hotelin e Raguzës, ç’të çuditur që bëra tek pashë të nisen të nesërmen drejt Evropës dy gra të reja të një bukurie të rrallë, të cilat kishin zëvendësuar kostumin e tyre kombëtar me fustane evropiane të bëra enkas për trupat më të bukur në botë.

Shqiptari është i shkathët e punëtor: ata që traktati i Berlinit i aneksoi tek Mali i Zi, janë pak a shumë të vetmit që merren me tregti e artizanat. Veç prodhimit të veshjeve, ata merren me fabrikimin e stolive prej argjendi, aq artistikisht të përpunuara, si dhe të armëve të një modeli të bukur. Merren gjithashtu me bujqësi, dhe rrethinat e Skutarit janë të pasura në misër.

Arnautët, siç i quajnë Turqit, apo Skipetarët, siç e quajnë veten ata, janë jashtëzakonisht sherretë, ziliqarë, kryeneçë e hakmarrës. Nuk ka vend ku gjakmarrja të sundojë në mënyrë aq tiranike; në asnjë vend, madje as në Korsikë, ajo nuk ushtrohet me aq fanatizëm se sa në

ato male. Dhe nuk merret hak për një krim vetëm në kurriz të atij që e ka bërë, por shkohet deri tek i biri dhe prindërit e tij; madje shkohet gjer te fshati, fisi. Një hollësi karakteristike: shkohet e zgjidhet në një fshat si viktimë reprezaljesh djaloshi më i pashëm, me qëllim që të

ndëshkohen krejt banorët duke u asgjësuar atë për të cilin ata ndiheshin krenarë; sepse

bukuria njerëzore vlerësohet shumë prej tyre. Kurse në raste të tjera, përzgjedhja bëhet rastësisht. Para njëzet vjetësh, kuzhinieri i një prej konsujve tanë, njeri paqësor e në moshë të pjekur, sheh një mbrëmje tek po binte nata t’i shfaqen para dy nga bashkëpatriotët e tij,

të cilët e vënë në dijeni se i vëllai është duke vdekur dhe se janë ngarkuar ta shoqërojnë pranë tij. Ai u bie pas. Me të dalë jashtë qytetit, bashkëpatriotët e mbërthejnë për shpatullash e i thonë: “Lutju Zotit, se do vdesësh”. “Po përse? – pyet gjynahqari i trembur. – Sepse një nga fisi yt ka vrarë babanë tonë. Ti u zgjodhe nga fati për të shpaguar gjakun e derdhur.” Dhe ia ngulin thikat në brinjë, duke e lënë mes rrugës mbytur në gjak, ku e gjetën të nesërmen ende gjallë, duke marrë frymë.

Këto vrasje janë të vazhdueshme, duke sjellë të tjera e të tjera, pa ua parë fundin kurrë. Gjë e çuditshme, Shqiptarët katolikë sikur nuk duken më pak të zellshëm për kësi lloj krimesh, dhe priftërinjtë, tek të cilët luten, nuk arrijnë t’i bindin për të hequr dorë, ngaqë gjakmarrja është për ta një akt tërësisht i natyrshëm e i ligjshëm.

Në Skutari, i huaji nuk ka asnjë rrezik; por prapë, duhet treguar kujdes dhe, në do të dalësh jashtë pas perëndimit të diellit, duhet të shoqërohesh nga ndonjë kava (zaptie), sepse krimet e kryera natën përgjithësisht bëhen për shpagim personal apo gjakmarrje; por e mira është

të shmangen natën gjendje të tilla të pakëndshme. Po ashtu, do ishte mirë të mos depërtohet në thellësi të vendit pa një rekomandim të posaçëm nga ana e një Shqiptari që respektohet e i dëgjohet zëri; dhe kur ke një rekomandim të tillë, nuk ka kurrfarë problemi. Ashtu si edhe në Montenegro, pak vjedhje bëhen apo vrasje me qëllim grabitjeje; gjaku derdhet ose ngaqë bëhen reprezalje, ose pastaj thjesht nga fanatizmi apo nga patriotizmi. Dhe, a mund të pritet vallë po aq nga bashkëqytetarët tanë gjoja të civilizuar?

Kohët e fundit është folur vazhdimisht për vendin e Skipetarëve. Pa dashur të futem këtu në politikë, them se vendi është i destinuar të njohë ngjarje të rëndësishme. Ai do të çlirohet nga zgjedha turke, por Austriakët e Italianët rrinë dhe e përgjojnë dhe, për arsye të ndryshme, Shqipëria është përgjithësisht një gjah i lakmueshëm. Dikur vendi i ka përkitur njëpasnjë Maqedonëve, Romakëve, perandorëve të Orientit, Normandëve të Napolit, Venecianëve, Hungarezëve, etj. por pa mundur tërë këta popuj të lënë gjurmë, të ndryshojnë gjuhën e tij

dhe të mposhtin banorët që e përbëjnë. A do të njohë më në fund vendi përparimin, që deri më sot i ka munguar? A do t’i shohim një ditë këta Shqiptarë të braktisin kostumin e tyre popullor të Mesjetës për të veshur uniforma rojesh e drejtuesish që mund t’u vinë në krye një ditë? Mbase pse jo, në fund të fundit; por do ndodhë atëherë pikërisht ajo që kanë njohur shumë vende: kur të jetë e kollajtë për të udhëtuar brenda vendit, nuk do ketë më asgjë tipike e piktoreske për të admiruar.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...