Çesk Zadeja, ikona e kompozitorëve shqiptarë

Çesk Zadeja u lind më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, në një familje qytetare dhe mësimet e para, i mori në vendin e lindjes, në shkollën françeskane, – ku krahas mësimit të përgjithshëm, merr dhe njohuritë e para të muzikës.

Ishte anëtar i korit të Kishës Françeskane që drejtohej nga kompozitori i shquar patër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazreku e Prenk Jakova. Shfaqi që herët talentin e tij dhe në moshën 14-vjeçare studion në Accademia di Santa Cecilia në Romë, Itali, me kompozitorin Umberto Semproni.

Pas çlirimit të vendit, në vitet 1946-1947, punon në Radio Shkodra si përgjegjës i departamentit muzikor, kurse pas dy viteve shërben në ushtri, deri në vitin 1951. Në vitet 1949-1951, kryen shërbimin ushtarak por edhe në rolin e dirigjentit në Ansamblin Artistik të Ushtrisë.

Çeskun e dërgojnë në Moskë për studime muzikore, në degën e kompozimit në Konservatorin Petar Iliç Çajkovski të Moskës, në klasën e profesorëve dhe kompozitorëve M.I.Cukalli, Bogatyrieff dhe Tchullaki.

Si student i dalluar, kthehet në Shqipëri dhe në vitet 1957-1962 emërohet si udhëheqës artistik në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës, i cili sapo ishte formuar, ku Çesk Zadeja zhvilloi një veprimtari të dendur si krijues e organizator i jetës muzikore.

Është një prej formuesve të shumë institucioneve muzikore si dhe drejtues i tyre, siç janë: Konservatori (sot Akademia e Arteve) ku punoi si pedagog midis viteve 1962-1965, e më pas emërohet si udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit, deri në vitin 1966.

Në vitet 1966-1972 zgjidhet kryetar i degës së muzikës në Institutin e Lartë të Arteve (Akademia e Arteve) dhe në vitin 1972, si kompozitor, në profesion të lirë. Sërish bëhet udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit në vitet 1973-1979, kurse në vitin 1979 del në profesion të lirë, deri në vitin 1990, për t’u kthyer në vitet 1993-1994 si pedagog në Akademinë e Arteve, ku jep kompozicion dhe muzikologji.

Profesor Zadeja si kompozitor është emblemë kombëtare, duke kaluar në mit, pasi potenciali i tij krijues e ka bërë një personalitet të shquar të muzikës bashkëkohore shqiptare, i cili njëkohësisht i takon brezit të parë të kompozitorëve të shkolluar, duke vënë bazat e muzikës klasike, ashtu si nga aspekti i melodisë, ritmit, por edhe stilit. Si pedagog, ka dhënë vite të tëra kontribut të jashtëzakonshëm dhe shumë të çmuar.

Shumë kompozitorë që janë bartës të veprimtarive muzikore sot në Shqipëri, janë diplomuar nën drejtimin e kompozitorit Zadeja. Nëse shohim listën e të diplomuarve, do të vërejmë se sot kreu i krijimtarisë muzikore përbëhet nga kompozitorët e diplomuar nga profesor Zadeja dhe disa prej tyre nuk janë më gjallë.

Por kontributi i tyre ka qenë i madh, siç janë: Tonin Harapi apo Kujtim Laro; Thoma Gaqi, Agim Krajka, Limoz Dizdari, Shpëtim Kushta, Kozma Lara, Aleksandër Peçi, Sokol Shupo, Ali Spahiu, Arian Avrazi, Ferikal Daja, Vangjo Nova, Fatos Qerimaj, Ihsan Shehu e dhjetëra të tjerë.

Ndikimi i krijimtarisë së Zadesë ishte i madh te një sërë krijuesish të tjerë që ndiqnin rrugën e këtij krijuesi, pasi veprimtaria e Zadesë në lëmin e kompozimit e në tërësinë e saj ka qenë mbizotëruese, superiore dhe udhërrëfyese për brezat, të cilat i ka mësuar si pedagog në Akademinë e Arteve të Tiranës. Vdiq në Romë në 15 gusht 1997.

Ndër veprat më të famshme përmendim:
• 1. “Suita e Veriut”,
• 2. “Suitë korale”,
• 3. “Skica simfonike”,
• 4. “Poema vokale”,
• 5. “Romanca”,
• 6. “Simfoni”,
• 7. “Rapsodi për violinë”
• 8. “Hej ju male”
• 9. “Suita”

Përzgjodhi: Edmond Prifti

/Konica.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...