Disa ndriçime të reja mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut

Nga Nelson Qirjaku –

“Meshari” i Gjon Buzukut ka hapur një faqe të re në historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare, sepse me të fillon historia e librit të botuar në gjuhën tonë dhe zë fill një erë e re e vetëdijësimit të gjuhës shqipe në Arbëri.

Pikërisht për këtë arsye ne e dimë shumë mirë se përse ky libër ka tërhequr dhe vazhdimisht tërheq vëmendjen e studiuesve, duke i provokuar ata çdo herë dhe sigurisht duke matur edhe forcat intelektuale të tyre, për të dhënë kështu edhe kontributin e tyre në zgjedhjen e çështjeve të mbetura pezull.

“Meshari” e nxit çdo studiues që të merret me të, por që jo çdonjëri prej tyre e ka fatin të shënojë kthesë të rëndësishme në studimet buzukiane.

Nëse i hedhim një sy nga perspektiva e sotme, befasia që do të ndiejmë është e madhe kur do shikojmë këmbënguljen e shumë historianëve e studiuesve që dëshirojnë të ndriçojnë pjesën e errët të këtij libri “misterioz”.

Një nga problemet i mbetur ende i pazgjidhur ndër shekuj, është dhe çështja se ku u botua “Meshari”. Mendimet për vendbotimin e tij ndahen në dysh: fillimisht pohohet se libri është botuar në brigjet lindore të Adriatikut.

Këtë ide e përfaqësojnë: F. Fishta, M. Domi, J. Rrota, N. Jokli, Dh. Shuteriqi, P. Janura, A. Stipçeviqi, A. Kovaçeci dhe R. Katiçiqi. Të gjithë këta, marrin si argument ekzistencën e shtypshkronjave të ndryshme dhe botimin e librave, qoftë në gjuhën latine apo në atë sllave.

Të tilla kishte në Shkodër, ku botohej Triodi sllavisht i vitit 1563; në Durrës në vitin 1584; në Ulqin ose Tivar, etj., sepse mund të dëshmohet me siguri, se në këto qytete, në atë kohë, kishte edhe shtypshkronja lëvizëse.

Mendimi tjetër, sipas të cilit botimi i Mesharit vendoset në brigjet perëndimore të Adriatikut, përfaqësohet nga M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj, E. Çabej, I. Zamputi, E. Sedaj, V, Putaneci dhe T. Lladani, të cilët mendojnë se libri është shtypur në Venedik, ndërsa Jovan Tomiqi ka mendimin që libri u shtyp në Napoli.

Kohët e fundit studiuesja italiane nga Venediku, Luçia Nadin, pas hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore në arkiva e biblioteka të qytetit të saj, na sjell në vëmendje se libri i Gjon Buzukut, Meshari, u shtyp në Venedik.

Sipas kësaj autoreje, ky libër qarkulloi dhe u përdor në këtë qytet nga priftërinj shqiptarë nëpër kishat shqiptare të Venedikut dhe u përdor edhe në Scuola degli Albanesi.

Meqë këto pohime të tilla, nuk janë të mbështetura nga ndonjë dokument arkivor, autorja as vetë nuk është ende e bindur përfundimisht për një gjë të tillë, edhe se duket sikur ajo i afrohet të vërtetës.

Studiuesja Nadin na bën të ditur për dy figura që gjenden te “Meshari” të cilat ndodhen edhe në një botim të hershëm, një Bibël e vitit 1512, botuar nga Bernardino Stanino, praktikë që e ka gjetur më pas edhe në botimet e Bernadinio Benalio-s, të dy këta miq të ngushtë.

Ajo ka gjetur gjithashtu edhe dy shkronja kapitale të figuruara te “Meshari”, që i rezultojnë të marra nga repertori i botuesit Bernardino Bindoni, një botues ky, puna e të cilit qe e njëjtë me atë të Benalio-s.

Janë këta elementë që i dëshmojnë Nadin-it për një botim venecian, fakt, siç e thamë më lart, i pohuar prej kohësh edhe nga studiuesit e tjerë, si albanologët Mario Roques, J. Rrota, E. Çabej etj.

Megjithatë, studiuesja nuk ka mundur të vërtetojë se nga cila shtypshkronjë është botuar “Meshari”, sepse normalisht materialet tipografike në Venecia qarkullonin nga një shtypshkronjë në tjetrën, por Nadin na vë në dijeni se Bernadino Bidoni qe një botues që iu përkushtua veprave fetare, por që u ndoq nga drejtësia për një botim (tregim i një historie gjaku) të publikuar më 1551 pa lejen e duhur, gjë që i solli atij moslejimin që të futej më në Venecia, ku ndër të tjera ndodhej shtypshkronja e tij si dhe jetonin familjarët e tjerë.

“Ndoshta besohet”, shton Nadin, “se gjeti strehë në zonën e Padovës, ku vite më parë kishte bashkëpunuar me shtypshkrues të tjerë”.

Po të provohet se libri i Buzukut është botuar nga Bernadino Bidoni, atëherë del, sipas mendimit tonë, se “Meshari” është botuar në Padovë dhe jo në Venedik.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që Bidoni të jetë strehuar jo në Ulqin apo Tivar, sepse këto qytete ishin në këtë kohë në zotërimin e Venedikut, por në Shkodër ose Durrës, ku siç kemi thënë, janë shtypur libra, përkatësisht më 1563 dhe 1584.

Prej kërkimeve që Nadin ka bërë, në mungesë të dokumentacionit arkivor, ajo me anë të deduksioneve të rastit, del në përfundimin se Gjon Buzuku ka jetuar në Venecia, dhe për të mbështetur këtë tezë të saj, i referohet një pjese që mbyll “Mesharin”, të cilën ajo e quan ‘një lutje’ drejtuar Shën Jobit.

“Ka qenë në traditën Veneciane të kohës”, shpjegon Nadin, “që librat liturgjikë të mbylleshin me lutje drejtuar shenjtorëve të zonës”.

Por ky argumentim, për sa na përket neve, nuk qëndron, sepse pjesa përmbyllëse që Nadin e quan ‘lutje’, nuk është e tillë, por është tregimi mbi vuajtjet e patriarkut biblik Job, përshkrim që ndodhet dhe në mesharët e tjerë me të cilët është bërë nga studiuesit ballafaqimi i “Mesharit” buzukian, pra kemi të bëjmë me një përkthim të Buzukut dhe jo me një lutje të veçantë të tij drejtuar Shën Jobit.

Kështu që, argumentimi që na sjell Nadin, nuk ka sesi të provojë që Gjon Buzuku ka jetuar në Venecia.

Por njëra nga befasitë e këtij rrugëtimi kërkimor të Nadin-it është zbulimi në kishën e Shën Sebastianit në Venecia të flamurit shqiptar, si dhe madje të një cikli afreskesh të realizuara nga njëri prej artistëve më në zë të kohës, Paolo Veroneze-s, dhe studiuesja veneciane është e sigurt që e gjithë kisha i dedikohet shqiptarëve, ngaqë në afresket e Sankristisë shquhen edhe dy engjëj që mbajnë në dorë një kapak libri ku dallohet data 23 nëntor 1555.

“Ne mund të hamendësojmë se kjo datë shënon vitin e themelimit të kishës, por është në fakt viti i publikimit të Mesharit”, thotë ajo.

Po Nadin edhe këtë herë këtu gabon. Data 23 nëntor 1555, në të vërtetë, është e themelimit të kishës së San Sebastianit.

Në librin tonë: “Mbi Gjon Bdek Buzukun dhe Mesharin e tij”, që gjer më tani na ka mbetur i pabotuar, kemi sjellë, nga një mbishkrim i shekullit të Buzukut, datën e daljes nga shtypi të “Mesharit” të tij (6.8.1555 ) dhe atë të futjes së librit në indeks (1592).

Pra tani ne mund të themi me siguri, duke u mbështetur edhe te pasthënia e Gjon Buzukut, se puna për shkrimin e “Mesharit” filloi më 24 mars 1554 e përfundoi më 5 janar 1555, libri doli nga shtypi më 6 gusht 1555 dhe u hoq nga qarkullimi më 1592. Kështu që e quajmë, përfundimisht, të vërtetuar tezën, sipas së cilës libri i Buzuku u vu në indeks.

Veç kësaj bëjmë të ditur se i vetmi ekzemplar i “Mesharit” që na ka mbërritur i gjymtuar, mbetur jashtë indeksit për nevoja shërbese, është njohur nga Pjetër Budi, vikar i peshkopatës së Serbisë më 1599 dhe kapedan i Shkupit, i cili në parathënien e librit të tij “Doktrina e Krishterë”, botuar në Romë më 1618, na thotë:

“shkrova në gjuhën tonë më parë disa kapituj të ditës së gjyqit, që i gjeta të shkruara nga ati shumë i nderuar e i devotshëm, fra Palit prej Hasit”.

Më tej për këtë klerik, që duhet të ketë qenë i një shkalle të lartë meqë për ‘të Budi na flet me nderim, por që për fat të keq, ky nuk na jep ndonjë të dhënë tjetër për të, përveç ndonjë poezie të tij, ne kemi arritur të zbulojmë se ndërmjet viteve 1566-1574 jetonin në Kosovë klerikët Pal dhe Damian dhe se këta të dy njoftonin papën për begatinë e xehoreve të arit të Janjevës.

Ky Pal që me sa duket, i njëfarë shkalle hierarkie të lartë, mund të ketë qenë vikar i peshkopatës së Serbisë, para vitit 1598, funksion që pas tij, e trashëgoi Pjetër Budi. Fra Pali, i cili pra e shkruante gjuhën shqipe, madje hartonte dhe poezi, ka qenë një urë lidhëse ndërmjet Gjon Buzukut dhe Pjetër Budit.

Kemi kështu pa ndërprerje një traditë të shkrimit të gjuhës shqipe, gjë që na e tregon dhe alfabeti i përdorur nga Pjetër Budi, i cili ka pak ndryshime nga ai i Gjon Buzukut, të cilat ndryshime mund t’i ketë bërë Pal Hasi, paraardhësi i Budit.

Nga hulumtimet tona të mëtejshme kemi zbuluar se “Meshari” është përdorur në Kosovë nga disa klerikë, emrat e të cilëve i kemi identifikuar. Libri si ekzemplar i vetëm ka kaluar dorë më dorë nëpër kishat ku shërbenin këta priftërinj (Novobrdo, Letnicë, Janjevë, Prokopje, Has, Prizren, madje Lezhë e Sapë), të cilët ngaqë libri ishte vetëm në një ekzemplar, kopjonin edhe pjesë nga ai për nevojat e tyre kishtare.

Gjatë trazirave të atyre kohëve, një prift kanonik, kur po ndiqej nga turqit dhe vriteshin klerikë e digjeshin kisha, nuk mendoi vetëm për të shpëtuar kokën e tij, por edhe librin, u hodh në arrati, duke marrë me vete dhe “Mesharin”, edhe i hyri një rruge plot ndeshtrasha, duke bërë odisenë e tij bashkë me librin, deri sa pas gjashtë vjetësh mbërriti në Vatikan, ku dorëzoi “Mesharin”, të cilin e kaluan në bibliotekën e Kolegjin Urban të Propaganda Fides, ku për t’u bërë piftërinj, studionin dhe djem shqiptarë.

Aty, gjatë viteve 1651-1655, me librin u njoh Pjetër Bogdani, kur ky ndiqte studimet në atë institucion. Bogdani është i vetmi që na jep titullin e Mesharit: “Ungjijtë shqip” (Euangelij in Albanese).

Pas shumë vjetësh, nga Kolegji Urban, Meshari u dërgua në koleksionin e librave orientalë të kardinalit Stefan Borxhia dhe së fundi, bashkë me ato libra përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit, ku ndodhet ende me mbishkrimin R(accolta) G(enerale) Liturgia. III. 194, si i vetmi ekzemplar që dihet gjer më sot.

Priftit kanonik, që shpëtoi nga zhdukja “Mesharin”, na duhet t’i ngremë një monument. Vallë ku do të ndodheshim ne sot me historinë e të shkruarit të gjuhës shqipe pa “Mesharin” e Gjon Buzukut?

Si do të dukeshim ne pa atë përpara botës? Populli ynë gjatë historisë e ka ruajtur me gjak gjuhën e dhe shkrimin e tij. Për ‘të janë bërë theror bijtë më të mirë të tij: Pjetër Budi, Dhaskal Todri, Naum Veqilharxhi, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Atë Stathi Melani, Konstandin Gjeçovi, e sa e sa të tjerë të mbetur anonimë, pikërisht se nuk vijnë të dokumentuar.

/konica.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...