Suad Lici nuk përmbahet: Paçin faqen e zezë, nuk mbyllen sytë për lekë!

“Ça me t’than, ça me t’than” – e nis intervistën e tij për “Vipsport.al” Suad Lici, një nga ish-lojtarët më të shquar të Vllaznisë në vitet e fundit.

Si një njeri i sportit, ai po e vuan edhe më shumë rënien e Vllaznisë, pasi nuk i jep më asnjë shans asaj për qëndrimin.

I pezmatuar në maksimum, ish-mbrojtësi i krahut të majtë, që ka luajtur edhe me Tiranën e Kombëtaren, thekson se për gjendjen aktuale të skuadrës

kanë faj të gjithë, nga drejtuesit, stafi dhe lojtarët, të cilët nuk e kanë ndjerë kurrë peshën e fanellës dhe nuk kanë edukatën e punës. Ja intervista e plotë e Licit:

Suad, si po e përjetoni gjendjen e Vllaznisë, që pas humbjes me Partizanin duket se i ka thënë lamtumirë Superiores?

Ça me t’than, ça me t’than unë i shkreti. Jemi të shokuar, jemi pa fjalë. Është një trup i madh për Shkodrën dhe jo vetëm.

Është një dëm kolosal që këta sportistë i kanë bërë Vllaznisë në radhë të parë dhe vetes së tyre, sepse kjo është një goditje e madhe për karrierën e tyre.

Ku qëndron problemi kryesor, sipas jush? Pse skuadra nuk ecën?

Sinjalet u dhanë që sezonin që shkoi, kur shpëtuam në ndeshjen e fundit. Duhej reflektuar, por nuk u reflektua,

ndaj dhe Vllaznia vazhdon të vuajë e tani të gjendet në këtë situatë, duke rënë në Kategorinë e Parë.

Problemi kryesor, për mua, qëndron te njerëzit që punojnë dhe që janë aktualisht te Vllaznia, që nga stafi administrativ, stafi teknik dhe futbollistët.

Këta të fundit duket sikur nuk e ndjejnë peshën e fanellës, ju si mendoni?

Nuk e ndjejnë aspak. Ata nuk e dinë çfarë fanelle mbajnë veshur. Ata nuk e dinë si mund të ndihen tani

Sabah Bizi, Hysen Zmijani, Bardhyl Jera, Vioresin Sinani e shumë të tjerë që nuk po ua them emrin.

Është e tmerrshme, por këta sportistë nuk kanë edukatën e punës, janë persona që janë mësuar të paguhen pa punuar, pa e bërë si duhet punën e tyre.

Trajneri Gjoka ka dhënë dorëheqjen…

Një gabim shumë i madh, sepse nuk lihet skuadra në këtë moment, dy javë para fundit të kampionatit.

Kemi rastin e Mirel Josës sezonin që shkoi me Tiranën, kur ai qëndroi deri në momentin e fundit.

Nuk braktiset ekipi. Siç ata lojtarë kanë marrë një kosto, edhe ti duhet ta marrësh këtë kosto. Nuk e di çfarë të them, por te Vllaznia vijnë njerëz që paguhen për një punë, që nuk e dinë, nëse e bëjnë apo jo.

Skuadra, edhe pse lufton për mbijetesë, nuk ka pasur atë grintën e duhur, sidomos në dy ndeshjet e fundit me Kamzën dhe Partizanin. Pse ndodh kjo?

Sepse për hir të lekut këta njerëz mbyllin sytë. Nuk mund të mbyllen sytë për lekun. Duhet profesionalizëm, duhet edukatë pune, sepse Vllaznia nuk ka pasur probleme financiare.

Duhen në krye të klubit njerëz që e njohin si duhet sportin, që e dinë si motivohet grupi i futbollistëve. Nëse nuk je në gjendje ta bësh këtë, atëherë hap krahun, siç bëri Cungu.

Kemi rastin e Kamzës, që ka futbollistë që paguhen më pak se te Vllaznia, por që japin gjithçka në fushë, sakrifikojnë. Te Vllaznia asgjë nuk bën përshtypje.

Të luash ndeshje të një rëndësie të tillë dhe të mos bëhesh copash në fushë? Jemi të shokuar me këtë ekip. Nuk ka kualitet, sepse kështu janë bërë zgjedhjet.

Shumë njerëz e justifikojnë këtë gjendje të Vllaznisë me faktin se nuk ka një president. Jeni dakord?

Nuk ka lidhje fare. Pse, presidenti e ka fajin që vjen sulmuesi kundërshtar dhe kalon në mes të gjithë mbrojtjes dhe të bën golin?

Presidenti e ka fajin se lojtari bën ato gabime në fushë? Presidenti duhet për gjëra të tjera dhe jo për të të mësuar si të luash.

Nuk di çfarë të them. Paçin faqen e zezë, sepse e koritën Shkodrën dhe Vllazninë. E përsëris: nuk duhen mbyllur sytë vetëm për lekun.

Çfarë duhet bërë në të ardhmen që Vllaznia të mos ketë këto probleme?

E para dhe më kryesorja është që Vllazninë ta marrin në dorë njerëzit e duhur, në kohën e duhur. Për sa kohë do të jenë këta njerëz, që nuk kanë lidhje me futbollin, këto probleme do të jenë.

Duhet reflektuar, që skuadra të ketë baza të forta për të ardhmen, të ketë përgjegjësi për fanellën dhe jo të vijnë njerëz që mendojnë vetëm për të marrë lekët dhe për të mos dhënë asgjë.

Duhet të përfundojë njëherë e mirë koha e njerëzve që duan të paguhen pa punuar. /Vipsport/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...