1 Maji, maska e nderit të poshtëruar dhe butaforia e masave të kapluara nga deliri festiv

Ende gjëmimi i atyre zërave jehues dëgjohet në kujtesën e atyre shesheve. Edhe pse shumë prej bulevardeve kanë hedhur shtresë pas shtrese nënshkrimin e politikës.

Varganët e gjatë të asaj butaforie gjëmojnë ende për të mbetur një zë që tundon thellë vetëdijen e brezave që derdhën djersë në brazdat e asaj gjëmueseje festive. Gjithçka në këtë kremte të tjetërsuar nga protestë në delir festiv, ishte dhe mbeti kaq e shtirur, kaq e shpifur, kaq poshtëruese, por që s’u kuptua kësisoj, s’u trajtua ndryshe. Gjithqysh 1 Maji ishte dhe mbeti një ftesë për festë, një forcë demonstrimit të flamujve të garave, një e drejtë e klasës punëtore për të qenë e themelta e atij shkëlqimi që u errësoi pamjen, u shterroi ëndrrat.

Sot është si dje?! Me një ndryshesë të vogël, me një korigjim të papërfillshëm. Ajo, nga frika për të mos qenë si e tillë, është përpjekur të jetë më modeste, më neglizhente, më injoruese. 1 Maji i asokohshëm, ndoshta e ka të pamundur të jetë 1 Maji i sotme, të rrokë atë butafori festive, atë derdhje forcash që shndërrohej në një uragam njerëzor, i cili parakalonte nën shkëlqimin e asaj joshjeje jargavitëse, si në vërshimin e etjes për lavdi që shuhej pas valvitjes së durave përshëndetëse të udhëheqjes dhe mbytej në valët e dekorit festiv.

1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ishte dhe mbeti thellë në vetëdijen tonë si njollë mavi, si një dangë e cila rishfaqet edhe sot në shtatin e çdo vullnese fatkeqe, që ka zgjedhur të fitojë jetën me punë dhe me djersë.

Është si një lloj dajaku që në këtë kremte vetëm sa na kujton se sa keqas na rreh jeta dhe fati i të pafatit, se sa rraskapitëse është lodhja nga mosrespektimi i asaj që të merr jetën dhe të dhuron vetëm bukën, i asaj që të merr mundin dhe sakrificat, përkushtimin dhe lodhjen dhe të jep diçka më shumë se një lëmoshë.

E djeshmja e duarve të ashpra, krahëve të palodhur, rraskapitjes dhe ofrimit të gjithçkaje deri në vetëmohim, është një e sotme që vjen më shumë se sa për të të kujtuar se asgjë nuk ka ndryshuar, vjen për të të përmendur prej dehjes së shpresës.

Me vitet e mbetur pas, 1 Maji, u kujton sot çdo punëmarrësi, atyre që janë kujtesë e kohës së diktaturës, se sa pak ka fituar e drejta e tyre për të besuar se djersa është bukë dhe nder, e sotme faqebardhe dhe e nesërme frytdhënëse. Për ata që kanë lindur dhe regjistrimi i kujtesës së tyre nis vonë dhe gjithçka që kanë dëgjuar u ngjet më shumë si një trill se sa si një e vërtetë, diçka u ndërmendet, diçka ua përafron e tashmja rrëfenjën ankimtare dhe reale të të afërmve dhe pararendësve. Ata, ndoshta më pak se prindërit e tyre, kuptojnë se sa pak nder dhe kamje u ofron puna, djersa, përkushtimi.

Kjo nuk mund të jetë kurrsesi një rrufe në qiell të kthjellët.

Shndrimi i punës me nder, poshtërimi i punës me djersë. Mospërfillja e asgjëje që vjen nga përveshja e mëngëve dhe duart me kallo zëvendësoi shfrytëzimin kafshëror, e cila u ngrit në piedestal të asaj forcë kushtruese, zërat e së cilës i mblodhi kjo kremte, që tubon sot punëtorët në të gjithë vendet ku e drejta e tyre cenohet.

1 Maji i Shqipërisë sonë të shtrenjtë, është 1 Maj i përsëritur i fatkeqes mendësi, e cila jo vetëm nuk e shenjtëroi punën, jo vetëm nuk e mbuloi me lavde dhe mirënjohje nderin dhe përkushtimin, por e përçudnoi atë tregues vlerash njerëzore, që është puna, puna si marrëdhënie, punës si një reciprocitet, puna si një mënyrë mburrjeje dhe forcë besimi dhe transformimi.

1 Maji im më shumë se i përkiste punëtorëve, ishte një maskë pas së cilës strukej gjithë ajo propogandë, gjithë ai skematizëm, me të cilin diktatura hipnotizonte atë masë amorfe krijesash që kishin mësuar vetëm të binden, të jenë vetëm të nënshtruar.

1 Maji, i sotëm më shumë se nostalgji, është një shkundje në vetëdijen tonë kolektive. Kjo kremte, është kujtesë dhe ndërmendje për ato duar dhe forca, të cilat duke besuar te mrekullia e propogandës, mund të jetonin në veten e tyre qenien që lodhja dhe rraskapitja mbyste dhimbjen e njerëzores që ndrydhej sapo guxonte të sëmbonte.

1 Maji i sotëm është një grishje në të thellat jetësime, të cilat ndonëse i përkasin të shkuarës, jo fort të largët,

… asaj të shkuare që nuk u soll aspak mirë më shumë prej nesh,

… asaj të shkuare që për disa ishte mizore dhe e pamëshirshme, barbare, shpirtvrasëse, jetërrënuese,

… asaj të shkuare që plagosi atë njeri që lëngon sot,

… asaj të shkuare që në të pamundurën për të qenë shumëngjyrëshe hodhi brenda nesh farën e të parit dhe të jetuarit të botës bardhe e zi,

… asaj të shkuare që në ballafaqim me të sotmen, lë diçka të kuptohet dhe të kredh në mendime,

… asaj të shkuare që gjithnjë vijon të jetë e pamundur t’i përkasë një kohe që ka ikur,

… asaj të shkuare që gjithqysh ishte e tillë edhe pse nuk ishte për fajin tonë,

.. asaj të shkuare që na ndëshkoi dhe na bëri ndëshkues,

… asaj të shkuare që duke dashur ta anatemojmë, ta mohojmë, ta shkoqim dhunshëm prej brendanesh, vetëm se e rijetojmë, e rivlerësojmë, e rikthejmë në të sotmen e trazimeve, mëdyshjes, shpresëhumbjes, rrënimit.

ajo rreket të jetë një e sotme trishtuese, një e sotme kur njeriu i punës është një krijesë inferiore, një shkas abuzimi dhe nënçmimi, një masë njerëzore, e cila ka mësuar të mendojë dhe të vuaj, të ëndërrojë dhe të vdes duke ëndërruar pa mundur të takohet me ëndrrën.

1 Maji lindi dhe do të mbetet një shkas i shndërrimit të çdo ankimi, pakënaqësie dhe abuzimi në një zë të fuqishëm akuzues. Ai përfaqëson mendjet e bukura, duart e arta, krahëve të përvjelur, ballee të djersitur dhe energjitë e shndërruara në dritë.

Albert Vataj

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...