Flet Salihi: Vllaznia është rritur shumë në ndeshjet e fundit. Besoj se do ia dalë

Hamdi Salihi është një nga futbollistët më të suksesshëm shqiptarë, pasi karriera e tij është shumë e pasur.

Shkodrani ka luajtur në 3 kontinente duke provuar emocionet e kampionateve në Evropë, Amerikë dhe Azi.

Së fundmi, pas largimit nga ekipi i Skënderbeut, shkodrani është rikthyer në “shtëpinë e tij” të dytë, Austrinë.

34-vjeçari po luan në Kategorinë e Dytë austriake me ekipin e Wiener Neustad-it duke qenë lideri i kësaj skuadre.

Ai po udhëheq ekipin drejt ligës së parë me 17 gola në 24 ndeshje. Shkodrani konfirmohet sërish si një “ujk goli”.

Në një intervistë për Eduasportin.com, Salihi rrëfen momentin e tij te skuadra austriake, flet për dënimin e Skënderbeut, por dhe bën krahasimin mes roveshatave të tij dhe golit të Ronaldos me Juventusin. Shkodrani nuk harron të flasë as për Vllazninë.

– Hamdi, si është forma juaj momentale, pasi nuk keni luajtur as në ndeshjen e fundit?

– Nuk jam mirë, pasi kam qenë i dëmtuar dhe nuk do të luajë as sot. Stafi mjekësor më ka rekomanduar që të pushoj për këtë sfidë dhe të mos rrezikoj më shumë. Besoj se do të jem në gatishmëri të trajnerit që në ndeshjen e radhës.

– Ekipi juaj ka rrëshqitur nga tabela e klasifikimit, çfarë po ndodh?

– E vërtetë. Në javët e fundit nuk kemi marrë rezultatet e duhura dhe kemi zbritur në vendin e 4-ët.

Kemi qenë të pafat, pasi nuk na ka ecur mirë. Megjithatë, aty jemi, pasi jemi vetëm 1 pikë larg vendit të dytë dhe jemi barazim me pikë në vendin e tretë. Ka ende ndeshje për t’u luajtur.

– Mendoni se do të ngjiteni në Bundesligan austriake?

– Kemi shanse, pasi jemi barazim me pikë me vendin e tretë që të siguron “play-off”-in dhe jemi vetëm 1 pikë larg vendit të dytë që ngjitet direkt.

Ekipet para nesh po zhvillojnë kampionat të mirë, por dhe ne besoj se do të kthehemi aty ku duhet.

– Për të folur për kampionatin shqiptar. Si e përjetuat dënimin e Skënderbeut me 10 vite mospjesëmarrje në kompeticionet evropiane dhe 1 milion euro gjobë?

– Jam shumë i shokuar dhe më erdhi si një rrufe në ‘qiell të hapur’. Nuk e besoja, pasi kam qenë vetë aty dhe kam marrë pjesë në ndeshjet e Skënderbeut në Evropë.

Provat e marra për bazë janë të pabaza, më erdhi shumë keq. Nuk ka patur asnjëherë gjëra të tilla te skuadra korçare. Shpresoj që skuadra të falet nga gjyqet e tjera dhe të dalë e vërteta në CAS.

A keni biseduar me drejtuesit korçarë këto kohë?

– Jo, të them të drejtën. Nuk kam biseduar, pasi kam qenë shumë i angazhuar me stërvitjen dhe problemet që kisha nga dëmtimi. Kam biseduar me futbollistët dhe më vjen vërtetë keq për situatën e krijuar.

– Ju pëlqyen zgjedhjet e Panuccit në ndeshjen kundër Norvegjisë, po lënia jashtë e Agollit?

– Ishte një ndeshje miqësore dhe trajneri ka të drejtë të bëjë eksperimente. Besoj se i shërbyen shumë për të ardhmen.

Duhet të flasim në ndeshje zyrtare, pasi aty do të ketë rëndësi dhe rezultati. Lista e lojtarëve është ekskluzivitet i trajnerit dhe nuk mund ta komentoj.

– A do të jeni pjesë e ekipit të Wiener Neustad për vitin tjetër?

– Nuk e di nëse do të jem. Futbollit nuk i dihet. Dua të bëj më të mirën time dhe ta shijoj deri në fund këtë aventurë.

– Do të jeni pjesë e futbollit të luajtur?

– Po, besoj se do të jem.

– Si shkodran që jeni, nuk mund të rrimë pa ju pyetur për Vllazninë. A do të shpëtojë sivjet?

– E vështirë, por nga ndeshjet e fundit që kam parë janë rritur goxha. Kanë marrë pikë dhe besoj se do të shpëtojnë. Shpresoj të ja dalin.

– Po krahasojnë golin e Ronaldos kundër Juventusit me roveshatat tuaja. Kush ka shënuar më bukur?

– (Qesh) Për nga niveli që i ka shënuar Ronaldo, pasi po flasim për Champions League, në një finale të parakohshme kundër Juventusit, nuk mund të krahasohen fare. /EDS/

TE TJERA

spot_img