Nga Samet Zagradi

Unë nuk jam kuksian. Por edhe në qoftë se do isha, do e pranoja me nderin dhe krenarinë më të madhe që mund të kem.

Unë jam shqiptar, jam dibran dhe vuaj si çdo shtetas po njësoj vështirësitë që ky popull është i detyruar të ketë.

Unë nuk jam i majtë, as i djathtë, as i qendrës dhe prekem po ashtu siç çdo shqiptar nga çdo e padrejtë që në këtë vend me shumicë bëhen.

Jetoj në një zonë aq të varfër sa dhe Kukësi për të mos thënë si e gjithë Shqipëri, sepse nuk ka asnjë ndryshim.

Jetoj aty, ku fëmijëve nuk u ngopet barku me bukë, ku misri i zier u faturohet dyfish, mos më shumë. Jetoj, vuaj dhe përpiqem të shtyj ditët bashkë me ta.

Shikoj me dhimbje qindra të rinj që pa punë paguajnë çdo gjë, taksë pas takse. Jetoj aty, ku vargjet migjeniane zënë totalisht pjesën më të madhe të ditës:

“Kafshatë që s’kapërduhet, asht or vlla mjerimi…”.

Unë nuk jam nga Kukësi por si Kukësi duhet të sillet çdokush që i mohohet një e drejtë. Nuk dua që të rinj si unë të ikin,

të vuajmë kamionëve për shtegtimin drejt Anglisë, të flemë rrugëve të Francës, Gjermanisë apo çdo shteti tjetër.

Unë nuk dua të gjykoj, dua të jem i barabartë me çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Unë nuk dua protestë, nuk dua luftë, zjarr e benzinë, përkundrazi dua që çdo gjë të jetë në rregull, por si? Unë nuk dua të politikë,

por dua që çdo qytetar i imi t’i zbatohet çdo detyrim, që fëmijët e tyre të ushqehen mirë, të marrë çdo shërbim dhe të ndihmohet, ashtu siç i takon, apo të jetë si çdo qytetar i shtetit tonë. Më dhimsen ata banorë, ata policë dhe ajo çka ndodhi në Kukës, por shqiptarët po vuajnë!

Unë nuk jam nga Kukësi, por kuptoj mirë hallet e çdo kuksiani, tropojani, shkodrani, durrsaku apo çdo qytetari, sepse unë jam një nga ata. Unë, ti apo kushdo që jeton këtu, kupton dhe vuan çdo ditë të sigurojë një ditë tjetër jetese. Unë dua që çdo dert të dëgjohet, çdo familjar të punësohet, çdo i ri të qëndrojë pranë familjes dhe të gjithë të punojmë për vendin tonë.

Si në Kukës edhe këtu njerëzit vuajnë. Si këtu edhe atje bizneset po mbyllen, njerëzit po varfërohen, hallet po shtohen. Si në Kukës edhe këtu, njerëzit po flasin me vete, sepse askush nuk i dëgjon.

Unë nuk jam nga Kukësi, por jam qytetar i thjeshtë i këtij shteti. Si unë, çdokush nga ne duhet të flasë. Çdokush nga ne duhet të dijë ku të kërkojë.

Çdokush duhet të vendos vetë fatin e jetës së fëmijëve të tij. Ne duhet të jemi drejtues të vetes sonë. Ngritjen dhe advokimin e problemeve tona nuk ka kush i bën, atë duhet ta bëjme ne.

Unë nuk jam nga Kukësi, por jam me Kukësin. Jam me shqiptarët, me çdo hall, brengë apo çdo ideal tonin, sepse jam pjesë e kesaj shoqërie.