Policia ka vënë në pranga të shumëkërkuarin Shahin Abazi, 21 vjeç, i akuzuar për grabitjen me armë të dy karburantëve dhe disa vjedhjeve të kryera në qytetin bregdetar.

Policia sqaron se Abazi ishte shpallur në kërkim për grabitjen me armë të dy karburanteve në Sarandë, si dhe për një sërë vjedhjesh nëpër markete e dyqane dhe vjedhje motorësh.

21-vjeçari po tentonte të ikte mbrëmë me autobus drejt Tiranës.

Policia e Sarandës ka marrë informacion dhe ka ndjekur autobusin duke e ndaluar në aksin Sarandë-Gjirokastër dhe ka ndërhyrë duke kapur Abazin.

Ai ka pranuar në Komisariat grabitjen me armë në bashkëpunim të dy karburanteve në 28 dhjetor 2017.

Po kështu Abazi ka pranuar të jetë pjesë e grupit të grabitësve me maska të marketeve dhe dyqaneve në Sarandë.

21 vjeçari dyshohet dhe për vjedhje motorësh, ndërsa ka qenë i dënuar më parë për vjedhje dhe po hetohet për disa ngjarje të tjera.