Situata paraqitet tejet e rëndë në ultësirën e Shkodrës, ku me mijëra hektarë tokë janë të përmbytura dhe 500 shtëpi të rrethuara, apo me prezencë uji. Bashkia e Shkodrës ka përsëritur disa here se situata ka agravuar prej shkarkimeve në kaskadën e Drinit, por

qeveria nuk e pranon, duke thënë se shkak janë vetem reshjet e shiut. Sot mësojmë, përmes një njoftimi zyrtar se KESH (që menaxhon HEC-et) ka akorduar 10 milionë lekë për

banorët e përmbytur. Por Ministria e Energjetikës që dërgoi njoftimin, thekson se këto para janë dhënë në shenje solidariteti, dhe jo si dëmshpërblim për përmbytjet nga HEC-et.

Më poshtë njoftimi i plotë i Ministrisë së Energjetikës për akordimin e 10 milionë lekëve

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare solidarizohet me operacionet e gjithanshme të

strukturave shtetërore që po menaxhojnë vështirësitë e krijuara në zonën veriore të vendit nga reshjet e dendura dhe të tejzgjatura të muajit Mars 2018.

Organet drejtuese të Korporatës i kanë akorduar Ministrisë së Mbrojtjes një fond prej 10 milion Lek (të reja) si kontribut për përballimin e nevojave jetësore të familjeve të shpërngulura.

Korporata, ndërkohë që vijon të ndjekë në dinamikë ecurinë e parametrave hidroenergjetikë në kaskadë dhe të operojë veprat energjtike brenda përgjegjësisë së saj ligjore dhe

përcaktimeve rregullatore, po bashkërendon informacionin në kohë reale me të gjitha strukturat e pushtetit qëndror dhe lokal dhe Emergjencat Civile.