Dukej gati e pabesueshme që një bej të përqafonte ideologjinë komuniste. Por ata që e njihnin thonë se ai ishte idealist dhe tek utopia komuniste shihte ëndrrën për t’i parë të gjithë njerëzit të barabartë.

Shefqet bej Bushati ishte një ndër ata shkodranë që do t’i hapte dyert e shtëpisë së tij lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Shtëpia e tij do të kthehej në një bazë komunistësh, deri në momentin kur ajo u dekonspirua dhe u kthye në komandaturë gjermane, ndërsa anëtarët e familjes Bushati shpë- tuan për fat nga internimi apo nga një fat më i rëndë. Ndërkaq djemtë e tij iu bashkuan gjithashtu lëvizjes.

Djali i madh, Sytkiu, i cili do të ndahej nga jeta 10 vjet më parë, përveç kontributit gjatë LANÇ, më vonë do të linte gjurmë në fushën e shëndetësisë.

Ai do të bëhej themelues i mjekësisë infeksioniste në Shqipëri. Për më shumë rreth kësaj familjeje shkodrane rrëfen Halil Rama.

HALIL RAMA

Në një foto të viteve ’40 të shekullit të kaluar, mes dy Heronjve të Vigut, Naim Gjylbegu (majtas) dhe Ahmet Haxhia (djathtas), është Dr. Sytki Bushati. Nga burimet arkivore më- sojmë se ai ka qenë shok me ta, siç ka qenë shok dhe bashkëluftëtar edhe me shumë heronj e figura të tjera të rëndë- sishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Dr. Sytki Bushati lindi në Shkodër, më 10 janar 1924. Si pinjoll i një prej familjeve më të shquara shkodrane, që në rininë e tij ai iu përkushtua Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke kontribuar me vetëmohim së bashku me familjen e tij.

Në vitet që do të pasonin pas çlirimit, ai preferoi që t’i futej një profesioni që të ishte në shërbim të njerëzve.

Ky profesion do të ishte pikërisht mjekësia, ku ai do të kishte një karrierë të shkëlqyer si mjek shembullor dhe me vlera të theksuara humanitare.

Në vitet e fundit të jetës, me gjithë përkujdesjen e bashkëshortes dhe fëmijëve, gjendja e tij shëndetësore erdhi duke rënë, derisa u nda nga jeta para dhjetë viteve, më 7 qershor 2007.

Lamtumira e fundit iu dha më 11 qershor 2007, në një varrim ku morën pjesë miq të shumtë, të cilët ruanin dhe vazhdojnë të ruajnë kujtimet më të mira për të.

Në një homazh lamtumire, kryetari i OBVL-së, Gjeneral Lejtënant Rrahman Parllaku, veç të tjerash do të shprehej se Sytkiu i përkiste një familjeje fisnike qytetare shkodrane, me tradita shekullore patriotike, tradita që familja e Sytkiut dhe ai vetë i demonstruan me kontributin e veçantë që dhanë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

SHTËPIA E FUNDIT QË GJERMANËT DOGJËN NË SHKODËR

Shtëpia e Shefqet bej Bushatit, i ati i Sytkiut, u bë që herët baza kryesore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shkodër.

Ai e vuri shtëpinë totalisht në dispozicion të luftës, pa marrë parasysh rrezikun e përhershëm që e kërcënonte atë dhe familjen e tij.

Në atë shtëpi, që ndodhej në mes të një livadhi në lagjen Perash, janë strehuar me qindra partizanë dhe ilegalë, shumë prej të cilëve ishin figura heroike të luftës, si Vasil Shanto, Ndoc Mazi, Perlat Rexhepi, Manush Alimani, Sadik Bekteshi, Tuk Jakova, Qamil Gavoçi etj.

Aty u vendosën fare herët pas pushtimit italian dhe qëndruan për muaj të tërë edhe të dërguar të Kominternit. Shtëpia shërbeu gjithashtu edhe si bazë e teknikës dhe shtypit ilegal.

Bashkëkohësit e Dr. Sytkiut pohojnë se vështirë se ka ndonjë person, sado i rëndësishëm, që ka luftuar apo ka zhvilluar aktivitet antifashist në Shkodër, që të mos ketë qenë i pranishëm në atë shtëpi, qoftë si mik që është strehuar aty apo qoftë si pjesëmarrës në mbledhje dhe në veprimtari të tjera në shërbim të luftës që kryheshin aty.

Mikpritja në atë shtëpi ka qenë e pakufishme, madje përtej kësaj Shefqet Beu u jepte partizanëve në rast nevoje edhe mbështetje financiare, si dhe u paguante mjekimet partizanëve të sëmurë.

Me ardhjen e pushtuesve gjermanë në Shkodër, ata morën informacione lidhur me aktivitetin e kësaj baze.

Në atë kohë Sytkiu së bashku me vëllain e dytë, Samiun 17-vjeçar, kishin dalë në mal, kurse vëllai i tretë, Ismeti 13-vjeçar, kishte dalë ilegal dhe aktivizohej me Debatikun.

Shefqet Beu dhe pjesëtarët e familjes, bashkëshortja Sanija, dy vajzat dhe dy djemtë e vegjël, të cilët banonin akoma në shtëpi, i shpëtuan për qime internimit falë ndërhyrjes energjike të vëllait të Shefqetit, i cili shfrytëzoi një njohje të vjetër me kryeministrin Eqrem Libohova.

Megjithatë, familja e Sytkiut nuk i shpëtoi dot dëbimit nga shtëpia, e cila u shndërrua në komandaturë gjermane.

Në këtë mënyrë gjermanët me një gur kishin vrarë dy zogj, sepse shtëpia ishte ndër më të mëdhatë dhe më të mirat në Shkodër dhe u përshtatej më së miri nevojave të tyre për ta përdorur atë për zyra, si dhe për depozitim armatimesh, municionesh dhe karburantesh.

Në ditën e fundit, para ikjes së tyre, gjermanët vetëkuptohet që do të hidhnin në erë municionet dhe karburantet, duke asgjësuar njëkohësisht edhe arkivat e zyrave që lanë pas.

Shpërthimi gjigant tronditi mbarë Shkodrën, flakët u panë nga anembanë qytetit, xhamat e shtëpive përreth në distanca mjaft të largëta u thyen.

Në vend të asaj shtëpie madhështore me aq shumë histori dhe kujtime mbeti aty një krater, ku edhe pemët përreth kishin fluturuar tutje.

Megjithatë, entuziazmi i fitores mbi armikun ishte aq i madh, saqë familja e Sytkiut nuk e përjetoi fare si humbje asgjësimin e shtëpisë.

Më pas jeta do të vazhdonte dhe Sytkiu do të bëhej mjek shembullor e humanist, kurse vëllai i tij, Samiu, një ushtarak shembullor me dinjitet dhe shumë popullor, për të cilin meriton të shkruhet një artikull i veçantë.

 

 

“INFEKTIMI” NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE

Kjo familje kishte hyrë në luftë, së pari sepse burrat dhe bijtë e saj ishin njerëz me parime patriotike dhe fisnikërie.

Së dyti, Sytkiu, siç edhe e pohonte sa qe gjallë, ishte “infektuar” në gjimnaz edhe nga ideologjia komuniste, të cilën e përçoi në atë kohë edhe në familje.

Ai u përfshi fillimisht me Organizatën e Rinisë Antifashiste dhe pastaj u bë edhe drejtues i kësaj organizate.

Gjatë një shkëmbimi zjarri me policët e kuesturës që donin ta arrestonin, Sytkiu mbeti i plagosur, por megjithatë shpëtoi dhe më pas kaloi në ilegalitet.

Pas veprimtarisë në ilegalitet me njësitet guerile, qëndrimi i tij në qytet u bë gjithnjë e më i pamundur, kështu që ai vendosi të dalë partizan, ku u shqua jo vetëm si luftëtar trim por edhe si edukator e drejtues i reparteve partizane, me përgjegjësi deri komisar batalioni si dhe iu dha grada e kapitenit.

Djali i tij, Sokoli, shprehet se “me sa kam arritur të analizoj, ideologjia utopike komuniste i ka ngjitur tim ati veçanërisht për shkak të rrënjëve altruiste dhe humane të karakterit të tij.

Në fund të fundit, parë me syrin e sotëm, ai duhet të ndjehej komod, sepse bënte pjesë në një familje bejlerësh; por jo, ai donte që të gjithë njerëzit të ishin të barabartë.

Sidoqoftë, ndonëse u zhgënjye që herët nga zbatimi i deformuar në praktikë i ideologjisë komuniste dhe keqpërdorja e saj, altruizmi dhe humanizmi vazhduan ta karakterizojnë tim atë deri në fund të jetës”.

Pas çlirimit, Sytkiu dhe familja e tij, ku shquhej sidomos babai, Shefqeti, e kuptuan që në krye të herës se gjaku i dëshmorëve dhe idealet e luftës, për të cilat ata kishin luftuar, po keqpërdoreshin.

Madje, Shefqeti, i cili njihej për batutat e tij, i thumbonte shpesh ish-partizanët që kishin qenë strehuar në shtëpinë e tij, dhe që më vonë u bënë njerëz me pozitë, lidhur me disa nga aspektet e padrejtësive që regjimi nuk vonoi t’i demonstronte.

Ato batuta edhe sot tingëllojnë jo vetëm tepër të guximshme, por edhe të zgjuara dhe plot humor. Gjithsesi, lëshimi i thumbimeve në atë kohë dhe sidomos përhapja që iu bë atyre përbënin një rrezik me pasoja të rënda.

Megjithatë, për fat të mirë, së paku në atë rast mirënjohja dhe toleranca shkodrane do të mbizotëronin ndaj parimeve enveristo-staliniste të asaj kohe.

THEMELUESI I MJEKSISË INFEKSIONISTE

Dëshira për të qenë sa më i dobishëm në shërbim të njerëzve të këtij kombi e bëri Sytki Bushatin një nga studentët më të aftë të Universitetit të Mjekësisë në Shën Petërburg, në vitet’50.

Me mbarimin e studimeve ai ushtroi fillimisht profesionin e mjekut si ushtarak dhe pas pak kohësh doli në lirim me gradën madhore nënkolonel.

Në sajë të përkushtimit të tij maksimal në shërbim të njerëzve si dhe në kualifikimin profesional, Dr. Sytkiu arriti të bëhej një personalitet që gëzoi respektin dhe dashurinë jo vetëm të pacienteve dhe familjeve të tyre, por edhe të kolegëve të tij të nderuar.

Bashkëkohësit e tij, por edhe më të rinjtë, e kujtojnë me nderim ish-themeluesin e mjekësisë infeksioniste që në periudhën kur u emërua mjek në Spitalin Ushtarak të Republikës dhe më pas në Spitalin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore të Sëmundjeve Ngjitëse.

Performanca e shkëlqyer falë përkushtimit ndaj profesionit do të ndikonte në profilin e Dr. Sytkiut edhe si pedagog në Katedrën e Sëmundjeve Infektive dhe më vonë në atë të Fiziologjisë Patologjike në Fakultetin e Mjekësisë, duke nxjerrë nga duart e veta mjekë shumë të talentuar që do të bëheshin krenaria e mjekësisë shqiptare.

Vlera e veprës së Dr. Sytkiut qëndron jo vetëm në drejtim të punës studimore shkencore, por edhe në atë të punës praktike për t’i shërbyer sa më mirë nevojave të popullit.

Kësisoj ai bëri realitet ëndrrën për t’u shërbyer hallexhinjve nga të katër anët e vendit, jo vetëm me kompetencën profesionale, por edhe me papërtueshmërinë e fjalën e ëmbël.

Nisur nga këto virtyte, ishkolegu i tij, Prof. Dr. Feçor Agaçi, nuk nguron ta konsiderojë Dr. Sytki Bushatin, si “Norman Betyni shqiptar”.

Prof. Dr. Feçor Agaçi, vlerëson modestinë e tejskajshme dhe shpirtin e mirëfilltë demokratik të Dr.Sytki Bushatit, si dhe punën titanike didaktike që ai bëri për të mësuar breza të tërë mjekësh, duke u interesuar për ta dhe për kualifikimin e vazhdueshëm të tyre.

Ai i referohet me nderim bashkautorësisë në disa punime shkencore që kanë lënë gjurmë në mjekësinë tonë, si librat: “Sëmundjet infektive dhe epidemiologjia e tyre”, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” e dhjetëra punime te tjera shkencore e mësimdhënëse.

Dr. Sytkiu ishte prej atyre që nuk u mbështetën te rrahja e gjoksit të meritave, por që iu përvesh studimit dhe punës.

Ai asnjëherë nuk foli për veten, por vetëm për shokët. Përherë foli si pakkush për ata që u vranë, që dhanë jetën, si dhe për ata që diktatura i vrau, i burgosi, të cilët nuk i tradhtoi asnjëherë.

Në vitet e fundit të jetës së tij, Dr.Sytkiu, megjithëse kishte rënë nga shëndeti, kishte një kujtesë për ta pasur zili.

Ai shkroi me vërtetësi dhe respekt të veçantë një seri artikujsh përkujtimorë për ngjarjet dhe figurat e Luftës Antifashiste të Qarkut të Shkodrës.

Për meritat në luftë dhe në punë, mjeku i shquar dhe pedagogu i mjekësisë shqiptare Sytki Bushati do të dekorohej me disa urdhra e medalje.

Ai, ndonëse kishte vlerësime të larta për luftën, ishte shumë kritik ndaj krimeve të diktaturës te ne.

Me përmbysjen e diktaturës, Sytkiu mbështeti zhvillimet demokratike që ndodhën në vendin tonë.

Ai qe një nga iniciatorët e krijimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si dhe ishte anëtar i kryesisë së saj.

Sytkiu ndjeu një gëzim të madh dhe e quante fat që arriti ta shohë Kosovën të lirë.

Ai shkoi në botën e përtejme me bindjen se Kosova do të bëhej e pavarur. Shokët e miqtë e Sytkiut, edhe dhjetë vjet pas ikjes së tij nga kjo botë, e ruajnë atë në kujtesën e tyre, me çiltërsinë e tij, fjalën e mençur dhe humorin dashamirës.

“AMBASADOR” I SHKODRËS NË TIRANË

Si rrjedhojë e cilësive të veta të shquara profesionale, humane dhe sociale, Dr.Sytkiu ishte bërë një lloj magneti që kishte krijuar një rreth gjigant miqsh dhe një popullaritet mahnitës.

Marrëdhëniet me njerëzit Dr. Sytkiu i konsideronte të shenjta; ai i donte dhe i çmonte shumë shokët e tij qofshin ata kolegë, shokë të rinisë, artistë, sportistë, fshatarë, qytetarë, të rinj apo pleq.

Përveç dashurisë për njerëzit dhe mikpritjes, Dr. Sytkiu kishte edhe një pikë tjetër të fortë, që ishte bashkëshortja e tij fisnike, Pertefja.

Ai e vlerësonte dhe e konsideronte këtë si fat të madh, sepse jo çdokush do të kishte qenë e gatshme që të priste pa pushim dhe në çdo orë atë fluks vizitorësh në shtë- pi.

Në apartamentin modest të Dr. Sytkiut, i cili për fat ndodhej në qendër të Tiranës, shkonin dhjetëra vetë në ditë për vizitë apo për të qarë ndonjë hall.

Nisur nga profesioni dhe puna e tij si mjek, si dhe nisur nga gatishmëria e pakursyer për të ndihmuar njerëzit në nevojë, Dr. Sytkiu ishte adresa më e mirë për zgjidhjen e halleve të shumë njerëzve.

Megjithatë, përveç halleve të natyrës shëndetësore, shpesh bëhej fjalë edhe për halle të natyrave tjera.

Sidoqoftë, Dr. Sytkiu kishte mirësinë dhe gatishmërinë që të angazhohej pa kursim në zgjidhjen e çdo halli të njerëzve në nevojë.

Madje edhe kur ishin probleme që nuk i kishte në dorë vetë, ai shfrytëzonte të gjitha mundësitë dhe lidhjet për t’ua zgjidhur njerëzve ato.

Duke qenë se popullariteti i tij nuk ishte vetëm në Shkodër apo Tiranë, njerëzit që i drejtoheshin atij mund të ishin nga të katër anët e vendit.

Gjithsesi për shkak të lidhjeve dhe njohjeve më të thella me vendlindjen dhe krahinat ku kishte luftuar, njerëzit më të shumtë që i drejtoheshin Dr. Sytkiut ishin nga Shkodra si dhe nga fshatrat dhe malësitë e Veriut.

Duke pasur parasysh faktin se në atë kohë mundësitë e transportit apo të hoteleve ishin të kufizuara, si dhe faktin që Dr. Sytkiu e konsideronte si detyrim moral që një njeri që i ishte drejtuar për ndihmë ta ftonte në shtëpi, rezultati ishte që në shtëpinë e tij të kishte përnatë miq për darkë dhe për të fjetur. Kjo vazhdonte pa pushim, hall pas halli.

Dr. Sytkiu nuk mërzitej, përkundrazi ai ndjehej mirë vetëm kur ishte mes njerëzve, duke i ndihmuar ata pa kurrfarë interesi apo shpërblimi, gjë që sot është vështirë të imagjinohet.

Ndaj dhe me të drejtë, mjekun e shquar dhe pedagogun shembullor të mjekësisë shqiptare, e kane konsideruar si “Ambasador i Shkodrës në Tiranë”.

Madje, në fakt çdo ambasador do t’ia kishte zili përfaqësimin dinjitoz të humanizmit dhe vlerave të qytetit nga ai vinte si dhe humanizmin e pashtershëm dhe virtyteve të pashembullta që ai shfaqte në të mirë të njerëzve. /panorama.com.al/