Shqiptari ka 7 shpirtra

471

Nga Alion Çaçi

Shpirti i parë i del në mëngjes, kur duhet të nxjerrë makinën nga parkimi dhe i kanë zënë rrugën. Ose, për ata që s’kanë makinë, shpirti i parë u del prej bories së atij që i kanë zënë rrugën poshtë pallatit.

I dyti të del në trotuarët e ngushtë, kur ta zënë rrugën ata që ecin ngadalë.

I treti të del nga kakofonia e këmbanave të kishës, bërë bashkë me borinë e dikujt që do të dalë nga parkimi, ndërkohë që po pret radhën në një trotuar të ngushtë, kur je vonë për në punë.

Shpirti i katërt të del nga dixhei i xhamisë që lëshon ahengun nga minareja, në çdo cep të qytetit.

I pesti të del kur makina e fundit në semafor, të pengon krejt vijat e bardha dhe, çuditërisht, ai është momenti që bie më shumë shi.

I gjashti të del, kur je shofer dhe këmbësorët nisin ta kalojnë rrugën, ndërkohë që semafori do ende 5 sekonda të bëhet i gjelbër.

Shpirti i shtatë të del, kur mbasi ke pritur gjysmë ore të zbresin të lirojnë rrugën apo ke dëgjuar borinë si alarm zgjimi dhe ke shkundur gjysmën e energjisë ditore nga këmbana e kishës a megafoni i minaresë, dhe ke kaluar 100 vija të bardha me çadrën në njërën dorë

dhe zemrën në dorën tjetër, arrin te kafja e punës, në të cilën ke shancin e fundit për të fituar

5% energji, të kanë ngelur vetëm 4 minuta kohë për ta porositur kafen, për ta pirë dhe paguar para se të hysh në punë, ikin dritat dhe s’ka kafe…