Jeta tragjike e etnomuzikologut të famshëm, Ramadan Sokoli

Jeta tragjike e etnomuzikologut të famshëm, Ramadan SokoliHistoria e panjohur e profesorit dhe etnomuzikologut të famshëm, Ramadan Sokoli, pinjoll i një prej familjeve më të vjetra të qytetit të Shkodrës, i cili në vitet’40 u diplomua në Konservatorin e Firences për Kompozicion.

Kthimi i tij në Shqipëri dhe jeta plot peripecira, duke provuar burgjet e regjimit komunist për

vite me radhë së bashku me dy vëllezërit dhe babanë e tyre. Kalvari rrëqethës i intelektualit të shquar i cili u detyrua të shiste pianoforten për të paguar gjobën e vënë nga Instituti i

Folklorit.

Jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, në afërsi të “Rrugës së Barrikadave”, në katin përdhes, apo më saktë në bodrumin e një shtëpie të vjetër tiranase, pronë e familjes së njohur, Petrela, deri para një viti jetonte i vetëm profesori i famshëm, Ramadan Sokoli. Që para pak

vitesh, kur bashkëshortja e tij, një grua fisnike nga familja Petrela, u nda nga kjo jetë, muzikologu i njohur i ngrysi ditët me brengën e vetmisë së pakthyeshme. Një vizitor i zakonshëm që do të hynte në atë shtëpi, do të qortonte veten se kishte shkelur gabimisht në

ndonjë muze antik apo të Mesjetës, apo në ndonjë galeri arti e antikuarësh të ndërthurura mes librash të vjetër e të rinj, ku partiturat klasike e moderne gjendeshin kudo nëpër rafte

dhe sirtarë. Vite të shkuara, këtu e një dekadë më parë, kur muzikologu i famshëm nuk ishte i rënduar ende nga shëndeti e memoria, pas disa takimesh jo të pakta në atë mjedis brilant

të shtëpisë së tij ku ta kishte ënda ta shijoje përsëri, me shumë mundime arritëm ta bindnim profesorin flokëbardhë për të shkruar diçka nga jeta e tij. Ose e thënë ndryshe, për të shënuar diçka nga kalvari i gjatë në të cilin ai kaloi për afro 45 vjet nën regjimin komunist.

Familja Sokoli në kronikat e Evla Celebiut

Po të rrëmosh ndër libra të vjetër, tutje në thellësitë e shekujve, me familjen Sokoli do ta ndeshesh në memuaret e kronikanit turk, Evla Celebi, i cili e ka përshkruar atë si një familje pronare e madhe tokash. Asokohe, ajo familje njihej me mbiemrin Dervishaj, ku pothuajse të

gjithë anëtarët e saj ishin të shkolluar nëpër kolegjet e universitetet më të dëgjuara të kohës. Sipas kronikanit të famshëm turk, në periudhën e sundimit të Bushatllinjve, ajo familje bëri krushqi me ta. Kështu, Veziri i parafundit i Bushatllinjve, Mustafa Pasha, mori për nuse për

vëllanë e tij, një vajzë nga dera e Dervishajve. Nga kjo martesë lindën dy djem, që ishin nipat

e Dervishajve, dhe pas vdekjes së të atit të tyre, ajo familje u shua fare prej Vezirit të fundit, si rezultat i kontradiktave të thella e armiqësive të brendshme familjare. Dy djemtë e kësaj familje të cilët quheshin; Mahmut e Dervish, u rritën në pallatin e Sulltanit në Stamboll.

Mahmuti kishte dy djem; Hodon dhe Ibrahimin, kurse Dervishi kishte një djalë që quhej Duro.

Ibrahimi kishte një djalë; Isufin, ndërsa Hodo, djali i Mahmutit, kishte një motër të martuar te

Veziri i Tivarit, dhe një tjetër tek Iljaz Pashë Dibra (Kryetari i Lidhjes së Prizrenit). Hodo vetë, i cili ishte baxhanak me Oso Kukën e famshëm, kishte mbaruar Akademinë Ushtarake të Stambollit. Një farë kohe ai kishte shërbyer në detyrën e qark-komandantit të këtij qyteti, kryeqendra e Perandorisë Osmane. Në kohën e krizës së thellë lindore, Hodua erdhi përsëri

në Shqipëri, i caktuar me komisionin e mbikëqyrjes së kufijve. Jusufi (babai i Ramadanit), u shkollua në Shkodër e Stamboll, pa arritur të diplomohet, kurse Ibrahimi, pasi mbaroi me

rezultate të larta Universitetin e Drejtësisë në Stamboll, punoi si gjykatës, apo më saktë si interpretues i Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Jusufi e tre djemtë, në burgjet e regjimit komunist

Për herë të parë, babai i Ramadanit, Jusufi, do të zbohej nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra, prej turqve në fillimet e para të këtij shekulli. Pas largimit nga Shkodra, ai u vendos në Bosnjë dhe në Mal të Zi. Në vitin 1913, Jusufi u martua me një vajzë nga familja e njohur e Jukajve në

Shkodër, e cila quhej Aishe. Nga kjo martesë atyre u lindën 9 fëmijë; tre djem e gjashtë

vajza. Në periudhën e pushtimit italian, (1939-1942), për bindjet dhe aktivitetin e tij antifashist, Jusuf Sokoli u internua dy herë në gadishullin Apenin. Gjatë asaj kohe, Ramadani (i

dyti i vëllezërve), i cili në ato vite studionte në Konservatorin e Firences, shkonte herë pas here për ta parë të atin në vendin e internimit. Këtë fat kishte pësuar edhe Aishja në Luftën e Parë Botërore, e cila në kohën e gjurulldirave që përfshinë Shkodrën, u burgos dy herë nga

austriakët. Pas mbarimit të luftës, Jusufi u arrestua përsëri nga regjimi komunist dhe u burgos për dy vjet me radhë në 1946-’48 në qytetin e Shkodrës. Dënimi i Jusuf Sokolit, erdhi pas

akuzave që iu bënë si pjesëmarrës në kryengritjen antikomuniste të Postribës. Po kështu,

fare pak kohë pas mbarimit të luftës, u arrestua edhe djali i parë i Jusufit, Ibrahimi, i cili ishte diplomuar për Drejtësi në Beograd në fund të viteve ’30-të. Ibrahimi asokohe njihej ndër ajkën e intelektualëve të rinj të qytetit të Shkodrës dhe në periudhën e pushtimit fashist

kishte aderuar në Lëvizjen e Legalitetit. Ibrahimi pati një fat tejet tragjik, pasi atij i kaloi pothuajse e gjithë jeta në burgje e internime, duke bërë plot 27 vjet burg, së bashku me gruan e tij, Shano Hasan Dostin, dhe kjo e burgosur për faje politike. Pas Jusufit e Ibrahimit,

po në vitin 1946, u arrestua dhe u dënua me 5 vjet burg politik, edhe vetë Ramadani, duke u

akuzuar për agjitacion e propagandë dhe si pjesëmarrës i kryengritjes së Postribës. I cilësuar si armik i popullit, Ramadani e vuajti të gjithë dënimin dhe u lirua nga burgu në vitin 1950, pasi kishte punuar në kanalet e kënetat e Bedenit të Kavajës. Si për ta plotësuar deri në fund

regjistrin e dënimeve të familjes Sokoli, në vitin 1960, u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg politik dhe vëllai i tretë i asaj familjeje (më i vogli nga tre vëllezërit) Hodua, i cili u ridënua në burg me kryengritjen e Spaçit. Hodua mundi të lirohet nga burgu vetëm në fundin e vitit 1990, pas ndërhyrjes së Ismail Kadaresë, i cili ishte mik i ngushtë i Ramadanit. Ndërsa

vëllezërit Sokoli vuanin në burgjet e regjimit komunist, dy prindërit e tyre, Jusufi me Aishen, u ndanë nga jeta në një kohë të shkurtër nga njëri-tjetri, aty nga viti 1957.

Ramadani nga konservator i Firences në burgun politik

Ramadani, i mesmi nga tre vëllezërit Sokoli, lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1920. Shkollën fillore ai e kreu në vendlindje në vitet 1927-‘31 dhe që në klasën e dytë ai mësoi notat e muzikës duke luajtur në disa vegla muzikore. Shkollën e mesme ai e mbaroi në

gjimnazin e shtetit në vitet 1931-‘39 po në atë qytet. Pasi mbaroi gjimnazin me rezultate të

larta, ai fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur Konservatorin e Firences në Itali për Flaut e

Kompozicion. Gjatë periudhës së studimit në atë konservator, Ramadani kishte një shoqëri të madhe me Qemal Stafën, Kristaq Tutulanin, Qemal Dracinin, për të cilët deri në fund të jetës ai ruajti kujtimet më të mira të asaj kohe të shkuar. Për shkak të luftës, në vitin 1944,

Ramadani i ndërpreu studimet në atë konservator dhe u kthye në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër. Në atë kohë ai u përla nga vorbulla famëkeqe e luftës së klasave, e cila e përplasi birucave të improvizuara të burgjeve të Shkodrës e kënetave të Bedenit në rrethin e Kavajës.

Në këto ambiente, Ramadani, do të fillonte për herë të parë njohjen me ajkën e inteligjencës shqiptare, të cilët sipas tij do të bëheshin profesorët e një universiteti tjetër. Lidhur me këtë,

ai shprehej: “Bash në rrethana të tilla, kur isha i burgosur politik, kam filluar të merrem me folklorin. Meqë disa nga bashkëvuajtësit që ndodheshin aty ishin bartës të zgjedhur të folklorit, përfitova nga rasti për të vjelë prej tyre lëndë të vyer. M’u aty, duke hulumtuar

visarin tonë kombëtar, të trashëguar gojarisht brez pas brezi, u binda se atdheu ynë është vend i zgjedhur për gjurmuesit e folklorit”, shprehej profesori i famshëm për zanafillën e profesionit të tij të ardhshëm. Pas daljes nga burgu, në vitin 1951, ai u vendos në qytetin e Tiranës, si për t’u shpëtuar disi kthetrave të luftës së klasave.

Peripecitë pas daljes nga burgu

Gjatë gjithë periudhës së burgut, Ramadani mundi të vilte prej shumë “kolegëve” të tij të qelive, një kulturë të madhe në fushat e folklorit e muzikologjisë, të cilat i shërbyen si lëndë e parë në hartimin e përpilimin e mëvonshëm të dy teksteve shkollore që do të bëheshin “patenta” e tij në rrugën e saponisur të etnomuzikologjisë. Pas vendosjes në Tiranë, i vetëm

dhe pa asnjë lloj përkrahjeje, duke shtrënguar fort nën sqetull dy librat e sapopërfunduar, ai

trokiti nëpër dyert e administratës shtetërore, duke kërkuar ndonjë punë që kishte të bënte me muzikën. Nga mungesat e mëdha të kuadrit mësimdhënës, kryesisht të atyre të muzikës, ai arriti të punësohet në Filarmoninë Shqiptare. Në këtë punë ai shërbeu për pak

kohë deri se u mor vesh biografia e tij si “armik i klasës” dhe u pushua shpejt. Pas kësaj, mbas disa ndërhyrjesh ai mundi të rifillojë punë në kryeqytet si drejtues muzike në Shtëpinë e Kulturës nga viti 1952 deri në 1954 kur u pushua përsëri. Me mundime të mëdha ngaqë

kishte shumë nevojë për kuadrin mësimor të muzikës, ai u rregullua si mësues në Liceun Artistik në Tiranë. Në këtë shkollë Ramadani punoi pa ndërprerje në mes peripecish të shumta derisa doli në pension në vitin 1980. Gjatë gjithë këtyre viteve Ramadani u mor pa ndërprerje

me studime në lëmin e muzikologjisë dhe folklorit, duke arritur të bëhet një nga personalitetet kryesore dhe të vetmit në këtë fushë. Në Liceun Artistik, Ramadani ka dhënë

një sërë lëndësh të ndryshme si flaut, folklor muzikorë, harmoni, histori muzike, teori solfezhi, muzikë dhome etj. Me nismën e tij u përfshi në programin mësimor të shkollave të mesme dhe lënda e folklorit muzikor për të cilat ai hartoi tekstet përkatëse, të cilat studiohen

akoma dhe sot. Në këtë lëndë, ai ka dhënë mësim dhe në Institutin e Lartë të Arteve për 10 vjet me radhë duke përgatitur dhe laboratorë përkatës tepër të pasur me instrumente të larmishme.

Libra të botuar dhe dy dokumentarë

Ndonëse profesor Ramadani kishte gati për botim prej vitesh disa libra, për herë të parë botimi i tyre filloi në vitin 1958. Nga ajo kohë e deri në vitin 1995, kur është botuar libri i tij i fundit i titulluar “16 Shekuj”, i janë botuar 13 libra vetëm brenda vendit. Po kështu, profesor Sokolit i janë përkthyer e botuar edhe disa libra të tjerë në disa shtete të Europës. Shkrimtari

i famshëm, Ismail Kadare, në revistën “La Letrus Albanese”, ka botuar mbi 200 faqe vetëm për krijimtarinë e profesor Ramadan Sokolit. Disa nga titujt e veprave të Sokolit janë përfshirë dhe në enciklopeditë e huaja, si dhe në katalogët bibliografikë të UNESCO-s. Këto

janë përshëndetur e vlerësuar nga muzikologët gjermanë Doris Stockman, W. Fiedler dhe E.Stockman, në “Albaniesen Volkmusik” Berlin 1965. Po kështu, muzikologu anglez njëri nga më të njohurit në botë A. L. Lloyd, në disa numra të revistës “Int. Folk Music Council”, ka

recensionuar disa nga veprat e Sokolit. Një jehonë të madhe kanë pasur veprat e tij sidomos tek arbëreshët e Italisë dhe në Kosovë, ku muzikologu i njohur, dr. Rexhep Murushi, është marrë shumë me etnomuzikologjinë e Sokolit. Krahas këtyre veprave, Sokoli në vitin 1957

ka udhëhequr të parën ekspeditë etnomuzikologjie në Shqipërinë Jugore në bashkëpunim me një ekip nga Akademia e Shkencave të Berlinit Lindor, ndërsa në vitin 1969, ai ka udhëhequr një ekspeditë të dytë në verilindje të Shqipërisë, në bashkëpunim me një ekip nga Akademia

Rumune e Shkencave. Disa nga këto punë të Sokolit, të muzikës e folklorit popullor, janë fshirë nga bobinat, e të tjera janë përvetësuar nga disa plagjiatë që kanë vegjetuar prej vitesh në atë institut. Krahas këtyre punëve, profesor Sokoli ka realizuar dhe disa dokumentarë me ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, si ato për Jan Kukuzelin, Niket Dardanin,

arbëreshin Lorenc Tardo e muziktarit Gjon Kujxhia. Për realizimin e dy dokumentarëve të parë, Ramadani ka pasur shumë peripecira deri nga Komiteti Qendror i PPSH-së, duke u akuzuar se kishte sjellë në ato koret fetare të Vatikanit. Pas shumë problemesh tepër serioze që ju paraqiten në lidhje me këto, u desh ndërhyrja e Ramiz Alisë që të lejoheshin transmetimet e tyre.

Profesor Sokoli: Si e shita pianoforten për të larë gjobën e shtetit

Aty nga mesi i viteve ’80, nga ana e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” iu kërkua profesor Ramadanit që të përgatiste një libër të veçantë me artikujt studimorë mbi gjurmimet në fushën e folklorit shqiptar. Pas një pune disavjeçare ai arriti ta përfundojë vëllimin studimor dhe e dorëzoi atë pranë shtëpisë botuese, ku u caktuan tre recensentë dhe tre redaktorë që

do të merreshin me botimin e librit. Pas një pune të mirë nga ana e këtij ekipi të caktuar, ky

libër arriti që të futej për botim në shtyp ku dhe dolën kopjet e para, të cilat do të kontrolloheshin edhe njëherë nga organet përkatëse për të dhënë viston përfundimtare. Kur vëllimi kishte kaluar gati të gjitha barrierat e pritej shpërndarja e tij, erdhi urdhri nga lart, që ai

duhej të bllokohej. Nga ana e Institutit të Folklorit, ishte thënë atje ku duhej “vallet nuk kanë asnjë lëvizje të kristalizuar, ato nuk kanë një strukturë të përcaktuar…”. Pas kësaj vërejtjeje

nga ana e institutit, u dha urdhër që të rregulloheshin e riparoheshin vërejtjet e bëra nga ky institut e pastaj libri të merrte viston përfundimtare të botimit e shpërndarjes. Për të bërë këtë gjë, duheshin të prisheshin shumë boca e fashikuj, ku dikush duhet të mbante përgjegjësi për skarcitetet dhe t’i paguante ato. Pasi profesor Ramadani bëri rregullimin e

“riparoi gabimet”, sipas vërejtjeve të bëra, e priste gjithë gëzim daljen e librit, i erdhi fatura

për të paguar 16 000 lekë (të vjetra), nga dëmi që i ishte shkaktuar shtëpisë botuese me ribotimin e librit. Lidhur me këtë ai kujtonte: “Kjo gjë më ra si bombë. Asokohe isha i

preokupuar me dasmën e vajzës dhe ajo shumë parash më dëmtonte mjaft. Kështu u detyrova që të shisja pianoforten time për të larë gjobën e vënë, pasi nuk kisha rrugë tjetër duke qenë se kisha ndarë dhe ditën e dasmës. Kur kam nxjerrë pianoforten nga shtëpia kam

qenë në atë gjendje, si atë ditë që kam nxjerrë arkivolet e prindërve që andej”.

 

Përpara viteve ’90, profesor Sokoli, është ftuar nga shumë akademi dhe personalitete të njohura të muzikës e folklorit si në Tokio, Spanjë, Bukuresht, Pragë, Oslo, Sofje, Prishtinë etj. Por shteti shqiptar nuk u lejoi kurrë të merrte pjesë në këto aktivitete e takime për shkak të

biografisë së tij. Shumë personalitete të artit, që vinin në Shqipëri, do ta ftonin atë për ta takuar e shumë prej tyre nuk do të mundnin ta takonin dot. Përgjigjja që u jepej atyre, ishte:

“Ka shkuar me shërbim, nuk ndodhet në Tiranë”. Ata të pakët që arrinin të kontaktonin me të, ishin të kontrolluar nga protokolli, në hotel “Dajti”. Profesor Ramadani është një nga themeluesit e festivaleve folklorike të Shqipërisë, ose më saktë këto festivale fillojnë me Ramadanin

I mënjanuar dhe i harruar edhe pas viteve ’90

Ndonëse me një punë kolosale dhe mes peripecish të shumta gjatë periudhës së regjimit komunist, ku nuk iu dha as dhe një dinstiktiv mësuesi, profesori i famshëm, Ramadan Sokoli, edhe pas viteve ’90-të, vazhdoi ta ndiente veten si të abandonuar. Pjesa më e madhe e

krijimtarisë së tij muzikore dergjej në sirtarët e tij, pa mundur që të shihte dot dritat e skenës, ndonëse aty është një punë tepër cilësore, gjë e cila është konfirmuar dhe vlerësuar

edhe nga kolegët e huaj, si fryte të një studimi disavjeçar. Edhe titulli Profesor, Sokolit iu dha vetëm në vitin 1995, dhe në ato vite ai mundi të dalë për herë të parë jashtë shtetit, duke

ligjëruar në universitetet e Romës, Stambollit, Rudostaldit (Gjermani), Bratislavë, Athinë, Bolonjë, Ravena të Italisë etj. Në adresë të tij vinin shpesh ftesa e letra të shumta që e njoftonin për ligjërata të ndryshme, siç ishte në vitin 1998 një nga tubimet e mërgatës

shqiptare në Arbona të Zvicrës, ku ai nuk pati mundësinë të shkonte, por dërgoi kumtesën e tij që u lexua atje. Po kështu, për shkak të mosmbështetjes nga organet shtetërore,

Ramadani nuk shkoi dot as në SHBA ku ishte i ftuar nga Universiteti i Miçiganit për një cikël bisedash rreth traditës etnokulturore shqiptare. Gjatë viteve 1990-1995, Ramadani ishte anëtar i Këshillit Drejtues të RTV Shqiptar dhe po atë vit ai drejtoi Festivalin Folklorik

Mbarëkombëtar të Beratit. Ndërkohë, nga shqiptarët e Maqedonisë ishte zgjedhur për pesë vjet me radhë si kryetar i jurisë në festivalet folklorike të Tetovës e Strugës. Ndonëse në një

moshë të thyer, e tepër i lodhur nga peripecitë e një jete plot vuajtje e strese të pafundme, profesor Sokoli vazhdoi të punonte në krijimtarinë e tij deri në ditët e fundit të jetës. Në kuadrin e punëve të krijimtarisë së tij, diku aty nga viti 1995, ai shkoi në Itali me shpenzimet e tij dhe solli në Shqipëri një nga fotokopjet e njërës prej përmendoreve më të hershme të

muzikologjisë shqiptare, Antifonarinë e përpiluar në shekullin XV nga durrsaku Gjergj Danush Lapcaja në Monopoli. Po kështu, deri në muajt e fundit të jetës, ai u mor me ripunimet e pesë monografive në muzikologji e folklor. Ndonëse fama e profesor Sokolit tashmë njihet prej shumë të huajve të cilët e vlerësojnë lart punën e tij, kjo gjë nuk ka qenë krejtësisht kështu në Shqipëri, ku ai ndihej i mënjanuar dhe pa asnjë lloj mbështetjeje nga autoritetet

shtetërore të artit e kulturës. Po kështu, deri në fundin e viteve ’90, ai nuk u zgjodh as si anëtar i Akademisë së Shkencave në zgjidhjet që u bënë nga ajo Akademi. Lidhur me këtë padrejtësi apo mosvlerësim, profesori i famshëm, Ramadan Sokoli, shprehej: “Kjo gjë më

kujton një shkrimtar të madh francez që ishte i shpërfillur zyrtarisht nga shteti i tij. Para se të vdiste, ai u la porosi të afërmve të tij që mbi varr t’i shkruanin një epitaf ku të thuhej: “Ai ishte një hiç, madje as akademik”.

Krahas punës mësimdhënëse në Liceun Artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve, Ramadani studioi dhe kompozon me dhjetëra pjesë në muzikën e dhomës, të cilat ekzekutoheshin

nëpër të gjitha vendet e ashtuquajtura të Demokracive Popullore të Europës Lindore, kurse në vendin e tij, kjo gjë nuk ndodhte për arsye të biografisë. Shumë nga artikujt studimorë që

Ramadani arriti të botojë nëpër entet e specializuara të vendit u morën dhe u përkthyen nga muzikologët e huaj duke i botuar ato në revista e botime prestigjioze të kulturës e artit botëror. Nga këto botime Ramadani arriti të krijojë personalitetin e profilin e tij në këtë fushë,

gjë e cila do ta bënte atë shumë të njohur dhe të kërkuar nga homologët e tij të vendeve të ndryshme të botës. Kështu, për vite me radhë në adresë të tij kanë ardhur me dhjetëra letra nga personalitete të ndryshme të muzikës e folklorit nga shumë vende të botës duke pasur

një korrespondencë që shpeshherë i kontrollohej nga organet kompetente (Sigurimi i Shtetit), të cilat dhe i ndalonin përgjigjet e këtyre letrave. /shqip.al/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...