Nga Skifter Këlliçi

Viktima të tjera të diktaturës në Radio Tirana

Fadil Kokomami dhe Vangjel Lezhos, dy martirë të Radio TiranësNë Konferencën e Tiranës, të mbajtur në prill të vitit 1956, Vehip Demi, shefi i programacionit dhe anëtar i byrosë së partisë në Radio Tirana, në emër të organizatës së partisë së këtij institucioni, mbajti një diskutim, ku

ndër të tjera tha: ”Ne duhet të pranojmë haptazi se te ne ka ndrojtje, frikë për të shprehur mendimet e tyre, për të kritikuar lirisht… Ne duam të pyesim ministrin e Tregtisë,shokun Kiço

Ngjela dhe ministrin e Financave, shokun Abdyl Këllezi, se nga dalin fondet që duhen për të mbuluar Bllokun. Në cilin kapital të buxhetit hyjnë ato. Ne duhet ta bisedojmë shumë çështjen

e Bllokut. Ne nuk mund ta fshehim këtë gjë. Ne si komunistë nuk dimë të sqarojmë, sepse vetë nuk e shohim të drejtë ekzistencën e Bllokut. ”(Arkivi i Shtetit, Fondi i Komitetit të Partisë së Tiranës, dosja A, A/i. A/2, 1956).

Vehip Demi, ashtu si diskutues të tjerë që u shprehën më kaq guxim në këtë konferencë, pas përfundimit të saj, me urdhër të Enver Hoxhës, u burgosën, ose internuan. Pati nga ata që

gjetën edhe vdekjen si Vehip Demi. Kurse anëtarët e tjerë të byrosë, Skënder Tupja, Findia

Veizi, Koco Afezolli, Masar Bekteshi, u hoqën nga Radio dhe drejtorit të saj, Petro Kitos, iu dha vërejtje e rëndë, ndonëse ai ishte në atë periudhë ishte me shërbim jashtë Shqipërisë.

Më 1963, për tentativë arratisjeje, u arrestuan dhe u dënuan me 25 vjet burgim dy gazetarët e talentuar të Radio Tiranës, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, të cilët u ridënuan në 1979 me pushkatim, vendim që u ekzekutua më 29 maj të atij viti. Arsyeja ishte se ata, ndonëse e

dinin se do të dënoheshin me vdekje pas 16 vjetësh të kaluar në burgjet e tmerrshme komuniste, u dërguan një letër anëtarëve të Byrosë Politike të PPSH-së, ku theksonin se Enver Hoxha po e izolonte Shqipërinë nga bota. “Enveri e çoi vendin në humnerën më të

turpshme të historisë”, theksohej në letrën që u nis nga ferri i Spaçit, udhëheqjes së partisë. Ajo që ndodhi me dy gazetarët e dënuar Fadil Kokomani e Vangjel Lezho në fundin e viteve ‘70, ishte një ngjarje e tmerrshme që tronditi jo vetëm opinionin e bashkëvuajtësve. Pavarësisht se ekzekutimi i tyre u artikulua nga autoritetet si ndëshkim i pamëshirshëm për krijimin e një organizate që luftonte për përmbysjen e pushtetit popullor, shkaku i vërtetë kishte të bënte me një letër që Kokomani e Lezho i adresonin Komitetit Qendror të Partisë, për të cilën nuk u fol asnjëherë zyrtarisht.

Një vit më pas, përsëri për tentativë arratisjeje, u dënua me 18 vjet burgim edhe gazetari tjetër i Radio Tiranës, Abdulla Sallaku.

Më 1973, pasi u përjashtua në Plenumin e 4-t famëkeq të PPSH-së nga KQ dhe Partia, u burgos Todi Lubonja, drejtor i përgjithshëm i RTVSH-së, i cilësuar nga vetë Enver Hoxha si armik i Partisë dhe i popullit, që kishte kërkuar të shtrembëronte orientimet e partisë, duke u

orvatur ta shndërronte RTVSH-në në institucion zbavitës. Po atë vit, pasi ishte dërguar të punonte punëtor ndërtimi në Ballsh, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie, regjisori i talentuar Mihal Luarasi, udhëheqës artistik i TVSH-së. Akuza, se kishte vënë në skenë

Festivalin e 11-të të Këngës në RTVSH, shfaqje e cilësuar me ndikime borgjezo-revizioniste, në kundërshtim me shijet e masave të popullit dhe kërkesat e Partisë dhe… shokut Enver Hoxha.

Më 1975 u burgos edhe gazetari i Radios së Jashtme, Gramos Mborja, dhe u hoq nga RTVSH-ja folësi i njohur Kiço Fotjadhi. Më 1986 të njëjtin fat pësoi edhe radiotelekronisti i talentuar, Timo Luto. Të dy për motive politike. Vetëm pas disa vjetësh ata u kthyen përsëri në RTVSH. Madje, i pari u hoq përfundimisht nga mikrofoni dhe kamera edhe pas rrëzimit të sistemit komunist, se…kishte qenë folës i veprave të Enver Hoxhës.

Asnjë organ shtypi, ose institucion nuk është goditur kaq shumë nga diktatura komuniste se sa Radio Tirana e më pas RTVSH-ja.

Radio Tirana menjëherë pasuron programet!…

Por të kthehemi përsëri në zhvillimet historike të Radio Tiranës…

Duke u bazuar në kujtimet e punonjësve të parë të, që në dhjetor të vitit 1944 e më pas, del se Radio Tirana, ndonëse me vështirësi, nisi të krijojë emisione te reja që u bënë të pëlqyeshme nga dëgjuesit. Këto qene emisionet artistike si “Ora letrare”, “Ora e rinisë”, ”Radio posta” e pastaj ”Ora gazmore”, që rinisi më 15 shtator të vitit 1945 me po atë sukses

që kishte pasur në vitet ’40-të, kur e drejtonte humoristi dhe muzikanti i talentuar shkodran, Pjetër Gjini, që pas Çlirimit u arrestua dhe humbi pa gjurmë.

“Ora gazmore” transmetohej drejtpërdrejt çdo të diel në orën 13.00. Kam qenë i vogël asokohe, por nuk harroj se njerëzit shkëputeshin nga sheshet e rrugët e kudo që të ishin, vraponin në shtëpi për të dëgjuar këtë emision humoristik.

Rol të madh në suksesin e tij kishin aktorët Besim Levonja e Behije Çela që më pas do të bëheshin bashkëshortë, të cilët luanin rolin e Çonit dhe Ishes, Prokop Mima, rolin e Romës e pastaj Mihal Popi, Gjon Karma, Anton Pano etj. Shoqërimi me muzikë i skeçeve, parodive, kupleteve bëhej nga muzikantët e rinj, Llazar Morcka, Nesti Uci, Koço Timko dhe Hysen Pelinku.

Rinisën më 21 dhjetor 1945 edhe emisionet sportive të përgatitura si gjithnjë nga Anton Mazreku. Madje më 20 dhjetor të atij viti ai komentoi drejtpërdrejt më mikrofon nga Fusha sportive e “Shallvares”të parën ndeshje futbolli pas çlirimit.

Më 26 mars të vitit 1946 një tjetër ngjarje me rëndësi në jetën e Radio Tiranës. Me pjesën “Nëna” të shkrimtarit jugosllav Llovriç, nis emisioni “Teatri në mikrofon”, që u bë menjëherë nga emisionet më të ndjekura për dekada me radhë.

Vend të rëndësishëm në emisionet e Radios zunë lajmet që transmetoheshin disa herë në ditë, si dhe emisionet politike, midis të cilave, “Ju njohim me Bashkimin Sovjetik”, “Ju njohim ne Jugosllavinë e Re’, ”komenti mbi çështje të ditës, si dhe biseda me karakter ideologjik, historik, shoqëror, sidomos për Ushtrinë e Kuqe, Leninin, Stalinin, Titon.

U zgjeruan edhe emisionet muzikore, veçanërisht me muzike popullore. Këngëtarët e parë që debutuan në mikrofonin e Radio Tiranës pas Çlirimit qenë përsëri Tefta Tashko Tashko

Koço, Marie Kraja, Jorgjia Truja, Kristaq Antoniu e këngëtaret Merita Sokoli, Viktori Xhaçka, Kel Sata, me grupim shkodran, grupi i sazeve, pa përjashtuar edhe koret partizane, etj…

Si gjithnjë, Mihal Ciko vazhdonte të punonte në drejtimin e sektorit të muzikës. Duhet thënë se të gjitha programet muzikor shqiptare transmetoheshin ende drejtpërdrejt në mikrofon, sepse magnetofoni ende nuk kishte hyrë në fjalorin e Radio Tiranës.

Bën përjashtim përdorimi i një magnetofoni, plaçkë lufte, mbetur nga ushtria gjermane, i tipit AEG. Siç kujtonte Emil Plumbi, së pari redaktor ne Radio e pastaj, mbas mbarimit të studimeve, inxhinier po aty, ky magnetofon i serisë së prodhimeve të para të këtij mjeti që do ta revulocinarizonte Radion në botë, bëri shërbime shumë të dobishme për regjistrimet e emisioneve të Radio Tiranës në atë periudhë.

Sigurisht, me ardhjen e magnetofonëve të prodhimit sovjetik më 1950 cilësia, jo vetëm e emisioneve artistike e muzikore, por edhe e tërë emisioneve u rrit në mënyrë të ndjeshme, sepse tani ato regjistroheshin e pastaj transmetoheshin.

Edhe muzika klasike zinte vend të rëndësishëm në programet Radios. Ajo deri më 1949 ishte e ruajtur në disqe që nga koha e pushtimit fashist. ”Qe fat i madh, siç kujton fonotekisti i vjetër, Islam Proseku, – që një pjesë e mirë e tyre nuk u shkatërrua, sepse pati nga ta që

mendonin se, meqë është muzikë “fashiste” duhej asgjësuar. Dhe ishte fjala këtu për qindra disqe të cilat ishin ruajtur me kujdes që nga koha e Luftës”.

Për të kuptuar “mendësitë” e disa punonjësve të Radio Tiranës në ato vite, mjafton të përmendim se, duke vënë në dukje popullaritetin e “Radio Postës”, në një nga numrat e parë të revistës “Radiopërhapja”, që nisi të botohej me 1 shtator 1947, shkruhej kështu për muzikën klasike;

“Janë të paktë ata dëgjonjës që kërkojnë muzikë klasike, me tone melankolike të rënda. Dhe kjo sigurisht na ato raste kur gjendja shpirtërore e dëgjonjësit është e tillë, kur ai nuk e ndjen sa duhet gëzimin e jetës dhe nuk ka në masën e duhur besimin se do t’i kalojë ajo gjendje jo e gëzueshme që sundon…”

Një interpretim me të vërtetë trashaman për muzikën klasike.

Zëra të rinj në mikrofon…

Pas Kalipi Plasarit dhe Refik Bezhanit që ishin folësit e parë në mikrofonin e Radios, në vitet e para pas Çlirimit u dëgjuan zëra të rinj: Avni Skrapari, Eleonora Prosi e Hysen Vendresha. Sidoqoftë, me zgjerimin e programeve u ndie edhe nevoja e folësve të tjerë. Kësisoj, Radio

Tirana në verë të vitit 1947 shpalli një konkurs ku morën pjesë shumë të rinj. Fitues të konkursit ishin Haki Beleri dhe Viktori Xhaçka, që u bënë ndër folësit më të mirë të Radios (kjo e fundit kryesisht për emisionet muzikore).

Duke përjashtuar radiokronikën e parë në ditën e Çlirimit të Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1944 para tribunës ku parakaluan forcat partizane, për të cilën kemi folur në pjesën e dytë të këtij cikli, termi radiokronikë thuajse nuk u përdor në programet e Radios. Mirëpo në programin e datës 16 shtator 1946 lexohet: ”Ora 18-Aksion i madh i Rinisë, radiokronikë e

regjistruar në disqe në rrugën Kukës-Peshkopi”.

Siç kujton Emil Plumbi, autori i kësaj radiokronike, në mungesë të magnetofonit u përdorën disqe të buta deciliti, prodhim gjerman, që gjatë viteve të pushtimit dhe pas, shërbyen për regjistrimin e fjalimeve të udhëheqësve fashistë e komunistë.

Me disqe të tilla u regjistrua, me sa dimë, edhe radiokronika e parë në historinë e Radio Tiranës. Teknikisht, për përgatitjen e kësaj radiokronike ndihmoi inxhinieri italian, Antonio Galeaci. U regjistruan zërat e disa aksionistëve, zhurmat e shpërthimit të minave që ndihmuan për përgatitjen sa më mirë të kësaj radiokronike.

Deri në vitin 1947 në të gjithë sektorët e Radio Tiranës punonin mbi 50 punonjës.

Drejtor vazhdonte të ishte Petro Kito, nëndrejtor Findia Veizi, që zëvendësoi Alqi Kriston, shefi i sektorit të muzikës, Mihal Ciko, Mustafa Krantja, që më pas do të bëhej nga dirigjentët më të njohur, pastaj gazetarët Pirro Nace, Nihat Uruçi, e bashkëpunëtorë të rinj, si Mark

Gurakuqi, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Jusuf Alibali; në sektorin teknik Todo Bojdani, Spiro Qirko, Xhafer Zavalani, Met Huta Kaliopi Prifti, përkthyesit për emisionet ne gjuhë të huaja, Vasil

Papajani, Viktor Kraja, Lidia Trendafillova, Lili Adams, Age Bojaxhi, e motra e nënë Terezës, atëherë murgeshë në Indi, që do të bëhej më pas shkak që kjo përkthyese të largohej nga Radio.

Nga historia për caktimin e valëve të Radio Tiranës

Nga data 24-28 qershor 1946 Shqipëria mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme Kushtetuese në Bruksel, në të cilën delegacionet e radiodifuzioneve të të 26

vendeve të zonës evropian, duke përfshirë edhe Shqipërinë, miratuan statusin e OIR-it, (Organizata Ndërkombëtare e Radiodifuzionit). Një ndër problemet më të rëndësishme që u

shtruan në këtë mbledhje e në mbledhjet e tjera që u mbajtën më pas, ishte edhe caktimi i valëve të Radios.

Në mbledhjet e tjera të OIR-it të mbajtura përsëri në Bruksel, Kopenhagen, Atlantik Siti, Gjenevë, Meksiko, u bë një punë e kujdesshme për të përcaktuar përfundimisht valët e Radios. Në këto konferenca vendi ynë u përfaqësua nga Petro Kito, drejtor i Radio Tiranës, që

zotëronte shume mirë frëngjishten dhe italishten. Në to u shtrua problemi i planifikinit të frekuencave për stacionet me valë të shkurtra, të mesme e të gjata.

Në konferencën e Kopenhagenit, të mbajtur në tetor të vitit 1948, u caktuan përfundimisht valët e mesme dhe të gjata për vendëe e zonës evropiane.

Në fund të kësaj konference u miratua konventa dhe plani i ndarjes së valëve, i njohur me emrin “Plani i Kopenhagenit”, që hyri në fuqi më 1950. Sipas tij vendit tonë iu caktuan 4

frekuencave për t‘u përdorur në stacionet e Tiranës, Korçës, Shkodrës, dhe Gjirokastrës.

Deri në vitin 1948, Radio Tirana mbante lidhje kryesisht me Jugosllavinë, e cila po përgatitej ta kthente Shqipërinë në Republikë të shtatë.

Pas konferencës së Radiodifuzionit jugosllav, ku mori pjesë edhe vendi ynë, (nëntor 1947), në revistën “Radiopërhapja” shkruhej kështu: ”Kjo konferencë ka rëndësi të madhe për radiodifuzioni tonë. Sikundër në çdo sektor, ashtu edhe në spektrin e radiodifuzionit vendi ynë

do të ketë ndihmën e vlefshme të Jugosllavisë së mareshalit Tito. Prandaj, në zhvillimin e forcimin e Radiodifuzionit jugosllav, ne shikojmë zhvillimin edhe forcimin e radiodifuzionit tonë. ”

Por “muaji i mjaltit” midis të dy vendeve, siç dihet, nuk vazhdoi gjatë. Kjo u pasqyrua edhe në marrëdhëniet midis dy radiodifuzioneve. Më 1947 erdhi në Tiranë pa u ftuar një delegacion nga Komiteti i Radiodifuzionit jugosllav, i kryesuar nga Zvenko Rusiç. Ai kërkoi që në emisione

e Radio Tiranës të zinin edhe më shumë vend ngjarje nga Jugosllavia titiste. (“Radiopërhapja ’nr. 1, 2, 3. ”Historiku i Radio Tiranës’.

Dhe ja, më 30 qershor 1948 shpallet Rezolucioni i Informbyrosë, ku Partia Komuniste Jugosllave cilësohet si agjenture e imperializmit. Ndërpriten marrëdhëniet midis dy vendeve e, doemos, edhe midis dy radiofuzioneve. Nuk arrin në portin e Durrësit radiostacioni me valë të

mesme 20 kilovat, të cilin qeveria jonë e kishte blerë në Francë. Një fakt i tillë pohohet edhe në një relacion të Drejtorisë së Radiofuzionit tonë drejtuar Kryeministrisë, ku thuhet: ”Ky stacion u ble nëpërmjet Jugosllavisë nga firma franceze “Tomson-Hudson” dhe arriti në Rijeka. Por me daljen e komunikatës së Informbyrosë, autoritete jugosllave ndaluan nisjen e

këtij stacioni për në Durrës dhe e mbajtën për vete. ”(AQSH, dosja 4 faqe 155).

E njëjta dukuri do të ndodhte në dhjetor të vitit 1961, kur do të prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe në korrik të vitit 1978 me Kinën.

Shqipëria do të mbetej vetëm. Po ashtu edhe RTVSH-ja.

Kështu për vite e vite, për shkak të politikës aventurore që ndoqi diktatori Enver Hoxha në çdo fushë, duke përfshirë edhe fushën e kulturës dhe artit.

(Foto te Fadil Kokomami dhe Vangjel Lezhos, dy martirë të Radio Tiranës)