Kjo histori të rrënqeth mishin! Bamirës nga brenda dhe jashtë vendit janë ftuar për të ndihmuar 6 vajzat jetime që la pas Nurije Poçi, gruaja nga Kukësi që vdiq në maternitet.

Takimin e parë e ka realizuar në shtëpinë e tyre të mjerë, Arbër Hajdari, kreu i fondacionit “Fundjavë Ndryshe”. Ja ç’shkruan Hajdari:

“6 vajza si drita, jetimë, pa nënë e pa babë! Sot isha në Kukës në familjen Poçi. Dhimbje e madhe, midis varfërisë dhe trishtimit për humbjen së fundmi të nënës së tyre.

Sot i premtova Besartës, Fatimes, Anjezës, Dorianës, Dashmires, Dorentinës se shumë shpejt do t’i bëjmë me shtëpi të re.

Po merremi gjithashtu me kujdestarinë e fëmijëve.

Do të bëjmë çmos që fëmijëve të mos i mungojë gjë e shumë shpejt t’i rikthehen shkollës.

Kam parë shumë raste, por më besoni se kjo familje ka shumë nevojë për ne.

Ne jemi e vetmja shpresë që fëmijët të mos shkatërrohen! Zoti na ndihmoftë që ta finalizojmë këtë rast! Edhe nëse nuk keni mundësi të ndihmoni, shpërndani postimin! Të gjithë bashkë do t’ia dalim.

Bamirësia nuk të varfëron,”-përfundon shënimi i Hajdarit.