Një masiv i madh dheu ka rrëshqitur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Dardhë të njësisë administrative Blerim, bashkia Fushë-Arrëz, duke krijuar një situatë frike dhe paniku për banorët, të cilët janë ndierë

seriozisht të rrezikuar nga kjo rrëshqitje. Masivi i dheut, i favorizuar dhe nga pjerrësia e terrenit, ka rrezikuar jetën e disa familjeve në lagjen “Palaj”, si dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në tokat bujqësore.

Aktualisht, në terren ndodhet kryetari i bashkisë Fushë-Arrëz, Z. Fran Tuci, me një pjesë të stafit të tij, të cilët, pas verifikimeve dhe monitorimit të situatës, apeluan për

ndihmë pranë autoriteteve qeveritare, si dhe kanë vënë në dijeni strukturat e emergjencave civile, të këshillit të qarkut dhe të prefekturës, nga të cilat kërkohet mbështetje financiare dhe logjistike për familjet e dëmtuara.

Nga kontaktet tona, me përfaqësues të emergjencave civile pranë kësaj bashkie, ne mësuam se masivi i dheut, ka krijuar dëme të mëdha për disa familje rezidente, në

banesa dhe në tokat bujqësore të fshatit, apo dhe në pemëtoret e fermerëve. Sipas informacioneve tona 12 banesa janë të rrezikuara dhe pritet ndërhyrja e menjëhershme për evakuimin e familjeve.

Sipas specialistëve, shkak për rrëshqitjen e tokës janë bërë reshjet e dendura të shiut, si dhe formacionet jo të qëndrueshme të tokës në këtë zonë, e cila herë pas here përballet me rrezikun e erozionit.

Gjon GJEKA