Policia dhe Prokuroria kanë zbardhur vrasjen e shtetasit Kreshnik Beqiraj 36 vjeç, banues në Fier. Kufoma e tij u gjet dje në një kanal në fshatin Daullas, 9 muaj pasi ishte vrarë.

Autori i dyshuar i vrasjes Albert Zekaj, 32 vjeç, banues në Kalldrun, Bashkia Koplik, Malësi e Madhe është vënë në pranga.

Policia tha se viktima dhe autori kane qene shokë dhe janë njohur para tre vjetësh në Belgjikë dhe më pas kanë qëndruar në shtëpi me qera në qytetin e Fierit.

Më datë 22.06.2017 rreth orës 23:00 ky shtetas dyshohet se e ka vrarë ne sende te forta dhe trupin e ka hedhur në afërsi të fshatit Daullas.

Ne vijim të hetimeve dhe informacioneve operative u arrit të identifikohej autori dhe u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier. Pas marrjes në pyetje ai pranoi autorësinë e vrasjes dhe hedhjen e kufomës në vendin ku u gjet.

Viktima ishte denoncuar në polici i humbur nga familjarët, por nga veprimet e kryera si dhe nga dyshimet e familjarëve, në muajin Janar 2018 Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka nisur hetimet pasi dyshohej se ky shtetas mund të ishte vrarë ose rrëmbyer.

Nga kryerja e veprimeve proceduriale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

– një batanije e cila kishte shërbyer për transportin e trupit.

– një çekiç me të cilin autori ka kryer krimin;

– mbetje të trupit të cilat u dërguan pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, për ekzaminim të mëtejshëm.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Vrasje me dashje“.

*Në foto viktima Kreshnik Beqiraj dhe pamjet e vendit të ngjarjes ku u gjet kufoma e tij